LDK në kontakt me Vetëvendosjen, pritet mocioni për rrëzimin e Qeverisë

Politika

LDK në kontakt me Vetëvendosjen, pritet mocioni për rrëzimin e Qeverisë

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 4 mars 2018 Në ora: 16:19
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

“Ne kemi kontakte dhe kemi biseduar, por deri më tani nuk kemi gjetur ende një gjuhë të përbashkët, nuk kemi gjetur ende atë numrin që na duhet për ta rrëzuar Qeverinë, sepse për 5 vota nuk rrëzohet Qeveria. Ne jemi diku te 58-59 vota, por numrin 61 ende nuk e kemi siguruar”, është shprehur për “Bota sot”, deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli.

Qeveria PDK-AAK-NISMA-AKR dhe Lista serbe e drejtuar nga Ramush Haradinaj, mund të përballet së shpejti me mocion rrëzimi nga partitë opozitare në vend.

Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas së cilëve, Ramush Haradinaj do të duhej të dorëhiqej vet, për shkak të të gjitha dështimeve të tij.

Haxhi Avdyli, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, ka thënë se Qeveria aktuale e ka humbur kuptimin me veprimet e dhimbshme, duke përmendur dështimet e saj.

Image
Haxhi Avdyli

Avdyli: Ende nuk i kemi numrat për rrëzimin e Qeverisë

“Kjo Qeveri e ka humbur kuptimin me të gjitha veprimet e veta të dhimbshme për vendin. Që nga krijimi i saj, ajo ka marrë shumë vendime, me të cilat ka dëmtuar raportet me ndërkombëtarët, ka dëmtuar raportet brenda Kosovës, ka dëmtuar buxhetin e Kosovës, marrëdhëniet ndërpartiake dhe ndër-njerëzore dhe janë shumë vendime tjera, të cilat kanë bërë që kjo Qeveri të duhet marrë valixhet dhe të ikë nga qeverisja e Kosovës”, është shprehur Avdyli në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, nëse kryeministri do të ishte i përgjegjshëm, ai do të dorëhiqej vet. Mirëpo, deputeti i LDK-së, ka thënë se meqë kjo nuk po ndodhë, LDK-ja me partitë tjera progresive, do të duhej të shkarkonte qeverinë e tij.

Megjithatë, Avdyli ka konfirmuar se aktualisht, opozita nuk i ka numrat për rrëzimin e Qeverisë.

“Normalisht , përballë gjithë këtyre dështimeve, një kryeministër normal, do të duhej vet të dilte dhe të dorëhiqej. Por, meqenëse nuk po jep dorëheqje, atëherë duhet që të gjitha partitë progresive në Kosovë të mblidhen dhe të shkarkojnë këtë qeveri. Ne si LDK do ta përkrahim çdo iniciativë të tillë në çdo kohë kur kërkohet. Mirëpo, për momentin ne nuk mundemi vet ta bëjmë këtë, sepse nuk i kemi numrat, ne jemi vetëm 27 numra, ndërsa për ta rrëzuar nga duhen 61 vota. Numrat tonë janë gjithmonë të gatshëm që kurdo që kërkohet, po flas edhe për vete, edhe për numrin më të madh të kolegëve, jemi të gatshëm që ta përkrahim këtë iniciativë. Por, normalisht duke e ditur dhe duke e marrë parasysh, që për rrëzimin e kësaj qeverie, na duhen 61 vota dhe për momentin ende nuk i kemi. E mira e së mirës, një kryeministër i përgjegjshëm do të dorëhiqej, në rast se do të faktoheshin gjithë këto dështime që i kanë ndodhë gjatë mandatit”, ka pohuar Haxhi Avdyli.

Bisedimet me Vetëvendosjen

Ndërsa, i pyetur nga gazeta për bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje, deputeti ka konfirmuar se LDK ka kontakte me këtë parti, mirëpo ende nuk e kanë gjetur një gjuhë të përbashkët.

“Ne kemi kontakte dhe kemi biseduar, por deri më tani nuk kemi gjetur ende një gjuhë të përbashkët, nuk kemi gjetur ende atë numrin që na duhet për ta rrëzuar Qeverinë, sepse për 5 vota nuk rrëzohet Qeveria. Ne jemi diku te 58-59 vota, por numrin 61 ende nuk e kemi siguruar”, është shprehur për “Bota sot”, deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Hashim Thaçi ia shkaktoi të keqen më të madhe Kosovës

E njohësi i zhvillimeve politike Faik Krasniqi, duke komentuar këtë deklaratë të deputetit Avdyli, ka thënë se do të ishte në rregull mocioni për shkarkimin e Qeverisë Haradinaj.

Por, ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se as opozita nuk dallon nga partitë në pushtet.

“Sikur të kishim një opozitë që mendon për të mirën e qytetarit, do të ishte në rregull moicioni për shkarkimin e Qeverisë. Por, as opozita nuk ka fare dallim me partitë në pushtet. As ata që ishin para këtyre, për interesa të shtetit dhe qytetarëve të këtij vendi nuk ishin më të mirë se këta që janë sot. As ata që vijnë nesër nuk do të jenë më të mirë se ata të djeshmit dhe këta të sotshmit”, është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, të keqen Kosovës ia kanë shkaktuar të gjitha partitë, e më së shumti presidenti Hashim Thaçi.

Ai parashikon që qytetarët do të ngelin në mjerim dhe në izolim edhe më tutje.

“Të keqen këtij vendi ja kanë sjellë të gjithë, dikush më shumë e dikush më pak, por dihet që partitë më të mëdha e sidomos Hashim Thaçi më së shumti. Avazi i vjetër do të vazhdojë. Shteti nuk do ec përpara, dhe qytetarët e Kosovës prapë se prapë do ngelin në mjerim dhe izolim. Këtu prej 12.06.99 ka filluar mbrapsht, dhe fatkeqësisht ai trend po vazhdon”, ka pohuar Faik Krasniqi, për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

Shahu: Zgjedhje të reja në Kosovë

Edhe sipas analistit politik Rexhep Shahu, Kosova mund të shkojë lehtë dhe pa dramë në zgjedhje të reja. Mirëpo, ai ka thënë se nuk i beson as opozitës në Kosovë.

“Unë besoj se në Kosovë, zgjedhjet nuk janë parë asnjëherë si tragjedi siç shihen në Tiranë. Besoj se Kosova ka treguar qytetari të lartë dhe shkon lehtë e pa dramë në zgjedhje të reja. Por, nuk i besoj opozitës, nuk i besoj opozitës se Vetëvendosjes dhe qytetarët mendojnë se nuk kanë arsye pse të ikin nga shiu në shi apo në breshër”, ka theksuar analisti.

Sipas tij, Qeveria aktuale ka shumë kryeministra në hije, mirëpo LDK-ja është e vetme në iniciativën për rrëzimin e saj.

Nuk është thjeshtë Qeveria Haradinaj, nuk është saktë ky përcaktim pasi Qeveria është kësaj radhe shumë Haradinëshe, më shumë kryeministra në hije. Andaj, nuk mendoj se jep shpresë e besim opozita në gjendjen që është, pasi edhe LDK-ja e vetme ende është gjunjaz”, ka thënë Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat