Zbulohet arsyeja se përse Lista serbe është kundër Demarkacionit me Malin e Zi

Politika

Zbulohet arsyeja se përse Lista serbe është kundër Demarkacionit me Malin e Zi

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 4 mars 2018 Në ora: 19:30
Foto ilustrim

“Problemi kryesor pse duhet të votohet demarkacioni nuk është liberalizimi i vizave, por pikërisht ajo që e thotë Rada Trajkoviq, "legalizim i Kosovës si vend kufitar me Malin e Zi si dhe anulimin e shtetit të Serbisë në këtë kufi”, thotë për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi.

Institucionet e shtetit të Kosovës duhet të merren seriozisht me deklaratën kërcënuese të politikanes serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq.

Kjo, pasi që në një deklaratë për media, ajo është shprehur se mund të ketë destabilitet në Kosovë, nëse miratohet Marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

Ajo më tej u ka bërë thirrje deputetëve të Listës Serbe, që të votojnë kundër kësaj marrëveshje.

Lidhur me këtë, gazeta ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Qeverisë, por askush nuk është përgjigjur.

Nga ana tjetër, deputet të opozitës dhe njohës të sigurisë thonë se deklarata e Trajkoviqit duhet të marrët parasysh nga të gjithë deputetët e Kuvendit për t’i dhënë fund shënjimit të kufirit me Malin e Zi.

Image
Haxhi Avdyli

Deklarata e trajkoviqit, e papranueshme

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli në një prononcim për “Bota sot”, thotë se janë të papranueshme thirrjet për trazira në vend.

“Ne jemi shtet i pavarur, jemi të njohur nga gjysma e vendeve të botës, nga superfuqitë më të mëdha dhe çdo shtet i pavarur ka kufijtë e vet të përcaktuar. Prandaj, është non-sens kjo deklaratë e saj për destabilitet që për mua është më shumë për qëllime lokale”, thotë Avdyli.

Sipas tij, kjo deklaratë e saj duhet të merret parasysh që të punohet në konsolidimin e shtetësisë.

“Mendoj që Kosova duhet t’ia tregojë vendin të gjithë këtyre politikanëve që deklarohen në mënyrë të tillë, e në të njëjtën kohë të punojnë që Kosova të bëhet shtet me kompetenca të plota”, deklaroi ai.

Avdyli, fajëson klasën politike që po dështon në forcimin e shtetësisë.

“Mendoj që puna e konstituimit të shtetit është një proces i pakthyeshëm që nuk ka rrugë tjetër, i pëlqeu apo jo, Vuçiqit apo Trajkoviqit. Por, problemi i Kosovës është se klasa e jonë politike është e dobët, që nuk po arrin të konstituojë këtë shtet dhe kështu që sot nuk jemi një shtet që nuk po respektohet nga ne, e jo nga të tjerët”, shtoi ai.

Trajkoviq të merret si shkak për miratimin e demarkacionit

Njohësi i çështjeve të sigurisë thotë se Trajkoviq nuk mund të nxisë trazira në Kosovë, por sipas tij, deklaratat e saj duhet të merren si shkak nga deputetët shqiptare për të miratuar marrëveshjen e Demarkacionit.

Partitë e koalicionit PANA dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje për miratimin e Demarkacionit.

Në bazë të kësaj marrëveshje, raporti i komisionit të Bulliqit, do të futet vetëm si tekst orientues.

Por, pavarësisht kësaj ujdie ndërmjet këtyre subjekteve politike për të kaluar marrëveshja për kufirin, Qeverisë po i nevojiten së paku dy vota të deputetëve të Listës Serbe ose të Vetëvendosjes.

Lista Serbe po kërkon votën për demarkacionin në këmbim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, që për Kosovën është e papranueshme.

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që Demarkacioni të hidhet poshtë nga Kuvendi, pasi që sipas këtij subjekti politik, me këtë marrëveshje, Kosova po humb mbi tetë mijë hektarë tokë.

Image
Fadil Kajtazi

Për ekspertin e sigurisë Fadil Kajtazi, problemi kryesor pse duhet të votohet demarkacioni nuk është liberalizimi i vizave, por pikërisht ajo që e thotë Rada Trajkoviq, "legalizim i Kosovës si vend kufitar me Malin e Zi si dhe anulimin e shtetit të Serbisë në këtë kufi.

Ai thotë, se është naivitet nga ana e klasës politike shqiptare që nuk po e kuptojnë këtë fakt.

“Në kushtet e zhvillimeve të tanishme botërore, të ndryshimeve gjeopolitike, është e rëndësishme që kjo të kuptohet esencialisht. Serbia me të gjitha mjetet po mundohet të prolongojë konsolidimin shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, e shpreson se në nivel global do të ndodhë ndonjë katrahurë ku kësaj do t'i krijoj kushte për kthim në Kosovë përmes alternativës ushtarake”, deklaron ai.

Kajtazi, fajëson edhe deputetët e LDK-së në legjislaturën e kaluar, të cilët nuk votuan demarkimin e kufirit me Malin e Zi.

“Fatkeqësisht këtë më mirë se deputetët shqiptarë të kuvendit të Kosovës, po e di Rada Trajkoviq. Fatkeqësia qëndron të deputetet e LDK-së, të cilët në mandatin e kaluar, e sabotuan shtetësinë e Kosovës, sabotuan këshillën e mirë të SHBA-së dhe BE-së. Mundësia ideale për tu kryer kjo punë ishte mandatin e kaluar, por kjo u sabotua nga grupi i deputetëve në LDK, të cilët sa i përket vetëdijes politike u treguan nën nivelin e Rada Trajkoviqit”, shtoi Kajtazi për “Bota sot”.

Marrëveshja për Demarkacioni, u nënshkrua me 26 gusht të vitit 2015, nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe ajo e Malit të Zi.

Por, miratimi i kësaj marrëveshje u kundërshtua fuqishëm nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe ata të NISMA-s për Kosovën.

Kundërshtime të tilla pati publikisht edhe nga deputeti i LDK-së Shpejtim Bulliqi, e nga disa të tjerë që ishin kryesisht nga Dukagjini nuk u deklaruan publikisht kundër, por që brenda partisë kërcënon se do të votonin kundër.

Image
Nait Hasani

Edhe Nait Hasani i PDK-së, ishte kundër kësaj marrëveshje.

Nga ana tjetër, deputetët e opozitës për të pamundësuar mbarëvajtjen e Kuvendit për miratimin e Demarkacionit, ata hodhën gazë lotsjellës brenda seancës.

Kështu, që veprimet e tilla bllokuan punën e Kuvendit të Kosovës për më shumë se gjashtë muaj.

Opozitarët, përpos hedhjes së gazit lotsjellës, ata mbajtën një seri protestash në Prishtinë, në disa prej tyre u përdor edhe dhunë ndërmjet policisë dhe protestuesve.

Organizimi i peticionit për mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve, ishte një kundërshtim tjetër i opozitës së bashkuar.

Peticioni u mblodh pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës ku u mblodhën më shumë se 200 mijë nënshkrime. Por, në këtë peticionin, përpos kundërshtimit të Demarkacionit, opozita u kërkoi qytetarëve përkrahjen edhe për ndalimin e themelimit të Asociacionit të komunave serbe.

Image
Avni Islami

Islami: Trajkoviq flet me gjuhën e Beogradit

Eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se Trajkoviq flet me gjuhën e politikanëve të Beogradit, kur është në pyetje Pavarësia e Kosovës.

“Kur është në pyetje çështja e Kosovës, Rada Trajkoviçit nuk dallon nga Lista Serbe dhe Qeveria e Serbisë. Prandaj, deklarata e saj edhe vet mos prezenca e Listës Serbe në seancë për miratimin e demarkacionit tregon se ajo nuk po i pranon institucionet e Kosovës”, thotë Islami për “Bota sot”.

Ai thotë se këto janë lojëra të ndyra që i bëjnë serbet dhe të gjitha këto gjenezën e kanë në Beograd.

“Kështu që as Rada Trajkoviqi as Lista Serbe nuk punojnë pa miratimin dhe pëlqimin e Qeverisë së Serbisë dhe assesi nuk mund të pajtohen me Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Kështu që deklarata e saj më tepër i ngjason një deklarate politike sesa që ka diçka konkrete”, deklaron Islami më tej.

Sipas tij, Trajkoviq po bën deklarata të tilla edhe pse ajo aktualisht ka mbetur jashtë politikës.

“Ajo po e luan lojën e djallit për shkak se ka mbetur jashtë politikes dhe kështu që ajo nuk do të duhej të merrej seriozisht nga institucionet e Kosovës”, shtoi Islami.

Ndryshe, partitë e koalicionit janë deklaruar se ditëve në vijim do të mbahet seanca për miratimin e demarkacionit, nëse arrijnë t’i sigurojnë dy votat nga deputetët e Listës Serbe apo të Lëvizjes Vetëvendosje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat