Demarkacioni ratifikohet javën e ardhshme, të dorëhequrit e VV-së votojnë pro?

Politika

Demarkacioni ratifikohet javën e ardhshme, të dorëhequrit e VV-së votojnë pro?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 4 mars 2018 Në ora: 21:11
Deputetet e Vetevendosjes

Çështja e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi mund të zgjidhet javën e ardhshme.

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për të votuar marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, ndërkaq kryeparlamentari ka shprehur bindjen e tij se kjo marrëveshje do të votohet nga deputetët.

Kadri Veseli në një intervistë për televizionin publik, ka treguar se janë intensifikuar takimet me deputetët që gjatë kësaj jave të mbahet seanca në mënyrë që të ratifikohet demarkacioni me Malin e Zi.

Veseli ka shprehur bindjen se gjatë kësaj jave, votës pro demarkimit të kufirit do t’i bashkohen edhe deputetët nga Vetëvendosje.

‘Ka unitet, pavarësisht se ka pasur disa deklarime nga marrëveshja e fundit në mes të LDK’së dhe AAK’së. Unë besoj më shumë tek reflektimi që është te interesi i qytetarëve, Besoj te pjekuria politike e dy subjekteve dhe unë jam shumë i sigurt se brenda javës së ardhshme takimet të cilat do t’i kemi intensiv të gjithë bashkërisht do të tejkalojmë edhe një situatë të keqkuptimit. Ajo që është kryesore, mesazhi është ky: Jemi vonuar mjaft. Nuk është në interesin e qytetarëve që të vonohemi më tej”, tha Veseli për televizionin publik të Kosovës.

“Bota sot” ka kontaktuar Lëvizjen Vetëvendosje, për t’i pyetur nëse ata kanë ndryshuar qëndrim sa i përket demarkacionit, mirëpo ata kanë refuzuar të japin përgjigje.

Image
Nexhat Haziri

Ndërkaq, analistët politikë nuk besojnë që mund të ketë ndryshim qëndrimesh, por mund të ketë ndonjë fraksion nga ana e deputetëve të dorëhequr të VV-së.

Analisti politik, Nexhat Haziri, ka thënë për “Bota sot” se deklarata e Veselit për ratifikimin e demarkacionit gjatë javës së ardhshme mbështetet tek deputetët e Listës serbe.

Sipas Hazirit, nëse Lista serbe voton pro demarkacionit, pastaj duhet parë çfarë pazari ka bërë koalicioni qeverisës me ata për shkëmbim votash.

“Nuk besoj se LV-ja të ketë ndryshuar qëndrim sa i përket votimit të demarkacionit të kufrit me Malin e Zi, ndoshta ndonjë nga fraksioni i deputetëve të dorëhequr nga LV-ja, edhe mund të ketë ndryshuar mendim. Por, mendoj se deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli se javën e ardhshme pritet të votohet demarkacioni, kujtoj se më shumë mbështetet në deputetët e Listës Serbe, pasi zgjedhjet lokale në Serbi tani vetëm sa kanë përfunduar, dhe mendoj se këta deputetë serbë në kuvendin e Kosovës me lejen e presidentit serb Vuqiq, do të mund të votojnë pro demarkacionit me Malin e Zi. Kjo tregon se koalicioni qeverisës në Kosovë varet shumë nga Lista Serbe, dhe vendimet e mëdha dhe të rëndësishme për vendin nuk mund t’i marrin pa miratimin edhe të Vuqiqit. Për më tej në rast se Lista Serbe voton pro demarkacionit, atëherë duhet të shohim se çfarë pazari ka pasur në mes koalicionit PANA dhe Listës Serbe në shkëmbim të kësaj vote”, ka pohuar Haziri.

Lëvizja Vetëvendosje ka pasur qëndrim të prerë kundër marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndërkaq thirrje të partive tjera që ajo të votojë pro kanë qenë të shumta./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat