Loja me numra për Demarkacionin dhe bllokimi i Qeverisë Haradinaj

Politika

Loja me numra për Demarkacionin dhe bllokimi i Qeverisë Haradinaj

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 5 mars 2018 Në ora: 17:04
Foto ilustrim

Po i afrohemi vitit të tretë nga dita kur edhe është nënshkruar Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi. Përkundër që po bëhen tre vite, edhe me tej kjo marrëveshje ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Ndërsa, së fundi, edhe pas tri seancave të mbajtura, ratifikimi i Demarkacionit ka dështuar në Kuvend,  pasi  koalicioni qeverisës ende nuk po arrin që t’i sigurojë 80 votat e nevojshme. Kjo marrëveshje, e nënshkruar në vitin 2015, së bashku me aneksin e nënshkruar nga presidentët e të dy vendeve nuk u votua as javën e kaluar.

Mos gjetja e një zgjidhjeje për ratifikimin e kësaj marrëveshje,  nga njohësit e çështjeve politike në vend po shihet se mund t’i sjellë pasoja të mëdha Kosovës në agjendën ndërkombëtare dhe të proceseve integruese të Kosovës në BE.

Ndërsa, deputetët theksojnë se për shkak të mos gjetjes së një zgjidhje për Demarkacionin, Kosova veç se është duke i përjetuar pasojat e saj.

Image
Driton Selmanaj

Selmanaj: Bllokimi i koalicionit qeverisës, po e pengon Kosovën në çdo aspekt

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se moskalimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, jo vetëm që ka izoluar Kosovën, por, sipas  tij tema të tilla po e ngulfasin edhe jetën publike e politike në Kosovë.

Ai thotë se me moskalimin e kësaj çështjeje, përfaqësuesit e popullit nuk po arrin të merren me jetën reale që ka kjo shoqëri.

“Pasojat e moskalimit të Demarkacionit për ne si popull, si shoqëri dhe si politik veç tani se jemi duke i përjetuar. Tash e tre vite pothuajse, përkundër që kjo çështje ishte dashur të përfundojë, i kemi lënë njerëzit të izoluar dhe kjo nuk është pasoja e vetme. Mendoj se kemi edhe pasoja të tjera të cilat janë ngecje drejt Bashkimit Evropian. Tema të tilla që ne nuk po arrijmë t’i kalojmë po e ngulfasin edhe jetën publike e politike në Kosovë sepse nuk po arrijmë të merremi me jetën reale që ka kjo shoqëri, qoftë me gjendjen e rëndë në ekonomi, kulturë, arsim, shëndetësi”, u shpreh deputeti i LDK-së.

Sipas tij, bllokimi i koalicionit aktual po e pengon Kosovën në çdo aspekt të zhvillimit të saj.

“Bllokimi i koalicionit qeverisës, theksoi se tani është problemi i koalicionit, që po e pengon Kosovën në çdo aspekt të zhvillimit të vendit, të integrimit të saj në BE, por, po them edhe çka është më e rëndësishmja është se me mos kalimin e këtyre temave i kemi lënë nën hije të gjitha problemet tjera reale që tash po i ka kjo shoqëri dhe të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet secili qytetar i Kosovës”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj për gazetën “Bota sot”.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Stagnim i plotë i shtetit

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot” thotë se Demarkacioni është lojë e cila nuk ka kufij.

Për Burjanin, dëmi më i madh, po bëhet ndaj qytetarëve të Kosovës. Ai potencon se, ky është një stagnim i plotë i shtetit në agjendën ndërkombëtare dhe të proceseve integruese të Kosovës në BE.

“Pak a shumë e kam pritur këtë dështim të serishëm, për disa arsye. E para, politika dhe sinqeriteti janë esenciale për respektuar vullnetin e qytetarëve që kanë votuar këtë klasë politike. E dyta, nuk quhet politik, dështimi, por zgjidhja. E treta, ky proces nuk është shumë transparent nga aktorët e saj PDK, LDK NISMA dhe AAK. LDK-ja ka dëshirë që të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme pa marrë parasysh deklarimet e vazhdueshme se ata janë pro demarkacionit dhe marrëveshjes së arritur. Kosovën po e qeverisin dy parti të vogla pa kapacitete profesionale dhe asgjë. Demarkacioni është lojë e cila nuk ka kufij, dëmi është shumë i madh ndaj qytetarëve të Kosovës, stagnimi plotë i shtetit në agjendën e ndërkombëtare dhe të proceseve integruese të Kosovës në BE”, u shpreh ai.

Burjani thotë se dështimi i Demarkacioni mund të quhet si paaftësi e këtij Kuvendi. Sipas tij, situata po bëhet e padurueshme me këtë paaftësi të plotë.

“Dështimi i demarkacioni mund të quhet si paaftësi e këtij kuvendi, jo seriozitetit, jo sinqeritetit ndaj qytetarëve dhe konfliktit në mes partive dhe individëve që mbajnë poste deputeti. Situata po bëhet e padurueshme me këtë paaftësi të plotë, ndoshta opsioni i vetëm mbetët zgjedhjet e jashtëzakonshme. S’po ka rrugë tjetër, shtyrjet e vazhdueshme janë dekurajues shumë për BE dhe qytetarët e Kosovës, kjo klasë politike nuk ndien vetën përgjegjëse fare për këto tema, nëse për demarkacioni duhet me prit 3 vjet sa duhet me prit me zgjidhe çështjen e asociacionit apo çështjen e themelimit të ushtrisë së Kosovës? Çfarë janë këto sjellje dhe s’ka asnjë tolerancë për kurrgjë që shkon në dobi të shtetit?”, tha Burjani.

Burjani thekson se dështimi ka ndodhur për shkak numrave. Krejt në fund, ai thotë se me këtë çështje është e tepruar, dhe se po humb optimizmi tek qytetarët e vendit.

“Dështimi ka ndodh për shkak numrave , tjetër arsye s’ka, pa numra nuk shkohet as në kuvend e lëre me fute në rend dite demarkacionin, pse japin premtime për këtë javë a për javë tjera këto mbetën jo serioze, nuk duhet dhënë premtime kot dhe me vazhdu me probleme të njëjta. Më mirë të shtyhen proceset, derisa të bëhen votat dhe jo me u mbledhë në Hajavali e me arrit marrëveshje koti, e dalin dy a tre deputetë e të thonë se nuk e votojnë demarkacionin. Nëse nuk kanë ndikim të deputetët e tyre pse i kandidojnë ata si subjekte politike. Tash ka të dhëna se mungojnë së paku 2 a 3 vota. Kjo është e tepruar, po humb optimizmi tek qytetarët”, ka theksuar në fund, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj: Qytetarët e Kosovës të thyer në të gjitha segmentet

Ndërsa, edhe analisti politik, Leon Duhanaj tha se mosdefinimi i Demarkacionit me Malin e Zi po vazhdon t’i sjellë vendit dëme të paimagjinueshme.

“Mosdefinimi i demarkacionit me Malin e Zi, pasojat me të mëdha janë ato që po vazhdojnë të mbajnë të izoluar Kosovën, qytetarët, bizneset. Ky izolim ka sjellë dhe vazhdon të sjellë dëme të paimagjinueshme, qoftë në aspektin ekonomik e kulturorë, qoftë në atë emocional. Qytetarët e Kosovës janë të thyer moralisht në të gjitha segmentet. Në anën tjetër, dëmet vazhdojnë të jenë evidente në aspektet integruese evropiane, duke i sjellë vonesa të paarsyeshme edhe pse edhe ashtu jemi të stërvonuar”, u shpreh Duhanaj

Ai thotë se definimi kufitar më së shumti i pengon Serbisë. Sipas tij, ky shtet po bën përpjekje për ta destabilizuar Kosovën dhe Malin e Zi në këtë segment.

“Aspekt tjetër është edhe ai gjeostrategjik, e që për mendimin tim, është më i rëndësishmi. Siç dihet, kjo linjë kufitare dhe definimi i sajë me së shumti i pengon Serbisë. Sepse ajo ka pretendime dhe këtë linjë e konsideron ndërhyrje në sovranitetin e sajë. Serbia po bën përpjekje për ta destabilizuar pikërisht këtë segment Malin e Zi dhe Kosovën. Qëllimi është, të shpallët Kosova shtet jofunksional dhe të vij deri të ndarja e saj. Në një rast të tillë, Serbia do të synonte ndërlidhjen e veriut të Kosovës bashkë me zonën kufitare me Malin e Zi, çka do t'i mundësonte kontrollon edhe të Malit të Zi. Nuk janë të rastin thirrjet për shkëmbim territoresh që konkretisht nënkuptojnë krijimin e Serbisë së madhe, me ç ‘rast do të ndaheshin disa territore në shtetet që përkufizohemi”, tha ai.

Duhanaj thotë se me këtë kartë të rrezikshme, po luajnë edhe disa çarqe shqiptare dhe se çdo vonesë shkon në favor të të tjerëve.

“Pjesa e mbetur do t'i bashkohej Shqipërisë, por që shqiptarët do të humbnin përfundimisht shumë territor. Me këtë kartë të rrezikshme, po luajnë edhe disa çarqe shqiptare. Në këtë kontekst, lirisht mund të konstatojmë se, humbjet e Kosovës dhe shqiptarëve, janë të paimagjinueshme dhe së çdo vonesë shkon në dëmtonin dhe në favor të armiqve tanë”, përfundoi Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat