Rifat Jashari injoron Thaçin dhe Haradinajn, analisti politik: Familjet e dëshmorëve janë keqpërdorur

Politika

Rifat Jashari injoron Thaçin dhe Haradinajn, analisti politik: Familjet e dëshmorëve janë keqpërdorur

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 5 mars 2018 Në ora: 22:11
Epopeja e UÇK-së

Forca e Sigurisë së Kosovës sot organizoi ceremoninë për manifestimin e “Epopesë së UÇK-së”, ku morën pjesë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë.

Në ceremoninë ka qenë i pranishëm edhe Rifat Jashari, vëllai i Adem Jasharit i cili gjatë fjalimit të tij ka injoruar Thaçin dhe Haradinajn, duke deklaruar pos tjerash se gjuha serbe në trojet  e Kosovës më nuk do të komandohet.

“Sot përpara janë djemtë tanë, bijat tona, dhe komanda bëhet në gjuhën shqipe. Gjuha serbe në këto troje më nuk do të komandohet”, tha Rifat Jashari.

Vëllau i komandantit legjendar pati një thirrje edhe për krerët e shtetit.

Kërkoi nga ta që të bëhen bashkë dhe ta çojnë Kosovën drejt zhvillimit.

Sipas analistit politik, Faik Krasniqi, injorimi i Rifat Jasharit ka ardhur si pasojë e keqpërdorimit të familjeve të dëshmorëve nga ana e partive dhe politikanëve shqiptarë.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi në një prononcim për “Bota sot” ka pohuar se familja Jashari nuk është dashur të lejonte, që të keqpërdoren politikisht për interesa personale.

“Familjet e dëshmorëve janë keqpërdorur shumë nga partitë dhe politikanët tanë, për interesa të tyre personale. Me emrin e tyre edhe kanë ndërtuar karrierë politike.  Janë pasuruar, janë bërë të pushtetshëm. Një ndër ato familje edhe familja Jashari.  Institucionet tona respektin më të madh që mund t’i bëjnë kësaj familje,  është të mos keqpërdoren politikisht për interesa personale. Njëkohësisht edhe familja Jashari nuk është dashur të lejonte të binte pre e tyre, për hir të interesa të ngushta të disa anëtarëve të kësaj familje, që kanë me politikanë matrapazë të Kosovës. Sikur liderët dhe partitë tona politike të mendonin dhe punonin për interesa të qytetarëve dhe të shtetit, nuk do ta plaçkisnin dhe vjedhin shtetin dhe popullin. Nuk do të pasuroheshin me djersën e popullit. Kështu që Lista serbe nuk do të ekzistonte fare, e lëre më të ishte faktor për çështjet madhore të Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi. Në  ceremoninë e FSK-së,  morën pjesë edhe zyrtarë të institucioneve dhe të korit diplomatik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat