1 milion euro për t’i furnizuar me rrymë komunat veriore, eksperti i ekonomisë tregon a është zgjidhje e duhur

Politika

1 milion euro për t’i furnizuar me rrymë komunat veriore, eksperti i ekonomisë tregon a është zgjidhje e duhur

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 5 mars 2018 Në ora: 22:15
Ilustrim

Ditë më parë njësia B2 e Termocentralit Kosova B ra nga sistemi, duke shkaktuar reduktime në gjithë vendin.

E disa ditë pas kësaj, Qeveria ka marrë vendim që të ndajë  mjete financiare në vlerë 1 milion euro për KOSTT-in, për mbulimin e shpenzimeve për furnizim me energji elektrike në komunat veriore.

Këtë vendim e ka marrë sot në mbledhjen e mbajtur, ku Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se ky është një vendim i përkohshëm, i cili ruan funksionalitetin e rrjetit të KOSTT-it.

“KOSTT ka kërkuar që me vendim të Qeverisë t’i ndahen mjete në shumë prej 1 milion euro për mbulimin e shpenzimeve për furnizim me energji elektrike, në komunat veriore të Kosovës. Jemi në pritje të përmbylljes së marrëveshjes për konektivitetin dhe për regjistrimin e operatorëve në veri dhe për fillimin e pagesave nga qytetarët në veri. Mirëpo kanë ndodhur devijime të shumta, pra mungesa në rrjet dhe KOSTT është i rrezikuar sikurse e dini, për përjashtim. Në mënyrë që ta sanojmë një proces të tillë, jemi të detyruar të ndërhyjmë. Është vendim i përkohshëm, por si i tillë e ruan funksionalitetin tonë, të rrjetit tonë të KOSST dhe na mundëson me mbet në tavolinë, për të fituar të drejtën tonë si operator në rrjetin e operatorëve të transmisionit në Evropë. Por jo vetëm kaq, por dhe të drejtën mbi tregun, mbi tërësinë e tregut në Kosovë”, tha ai.

Image
Muhamet Mustafa

Lidhur me këtë vendim, profesori i ekonomisë, Muhamet Mustafa vlerëson se një vendim i tillë mund të jetë për të tejkaluar një problem aktual por jo një zgjidhje.

“Ky mund të jetë një vendim emergjent për të tejkaluar një problem aktual, nuk mund të jetë një zgjidhje që përsëritet edhe në vazhdim. Aq më parë kur edhe të ardhurat (shpenzimet e lejuara) të KOSTT duhet tu faturohen konsumatorëve në çmim”, është shprehur ai.

Sipas Mustafës, energjia duhet të paguhet nga ata që shpenzohet dhe nuk mund të jetë ndryshe.

“Kjo çështje duhet të hiqet nga rendi i ditës pa vonesë e ekuivoke, duhet të faturohet dhe paguhet energjia elektrike nga ata që e shpenzojnë. Nuk mund të paramendoj se dikush mund të argumentojë ndryshe dhe të kundërshtojë këtë. Aq më parë tanimë kemi vendimin e Gjykatës për këtë dhe ai vendim duhet të zbatohet pa ekuivokë”, ka deklaruar profesori Muhamet Mustafa për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat