Eksperti i arsimit paralajmëron Kosovën pas përjashtimit nga EQAR

Politika

Eksperti i arsimit paralajmëron Kosovën pas përjashtimit nga EQAR

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 7 mars 2018 Në ora: 17:45
Dukagjin Pupovci

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim të Kosovës Dukagjin Pupovci, ka treguar se cila është zgjidhja për tejkalimin e kaosit të shkaktuar në Kosovë, pas përjashtimit të Agjencisë Kosovare për Akreditim nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR).

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Pupovci ka thënë se hapi i duhur në këtë moment është arritja e një konsensusi mirëkuptimi në Kuvend, për votimin e një bordi të ri të Agjencisë për Akreditim të Kosovës, që do ta mundësonte funksionalizimin sa më të shpejtë të kësaj Agjencie.

“Hapi i duhur në këtë moment është arritja e një konsensusi, e një mirëkuptimi në Kuvend, për votimin e një bordi të ri të Agjencisë për Akreditim të Kosovës, që do ta mundësonte funksionalizimin sa më të shpejtë të kësaj agjencie, që kjo pastaj do të ndikonte në përmirësimin e pozicionit të saj ndërkombëtar”, ka thënë Pupovci.

Sipas Pupovcit, nëse Agjencia nuk është funksionale, Kosovën mund ta presin gjëra edhe më të këqija, siç është përjashtimi nga institucionet dhe organizatat e tjera.

“Derisa Agjencia nuk e ka një post funksional, atëherë ajo nuk mund të ndryshojë asgjë nga gjendja që është krijuar tashmë. Për më tepër, mund të ndodhin gjëra edhe më të këqija siç është përjashtimi nga institucionet dhe organizatat e tjera dhe po ashtu pasoja të tjera që ndërlidhen me akreditimin e programeve të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë”, ka pohuar Dukagjin Pupovci, për “Bota sot”.

Ndryshe, në Kuvendin e Kosovës, gjatë ditës së sotme është duke u mbajtur një seancë e jashtëzakonshme, në të cilën ka pasur përplasje mes pozitës dhe opozitës për këtë çështje.

Opozita ka kërkuar me ngulm dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, për gjendjen e krijuar pas përjashtimit të AKA-së nga EQAR.

Ai e ka quajtur ish-kreun e Bordit të AKA-së, Blerim Rexhën hajn ordiner, derisa kritikoi ashpër partitë se janë bërë bashkë ta mbrojnë një agjenci, duke i akuzuar ato se “mos iu ka dhënë Rexha para të gjithëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat