Misioni i dështuar i Hashim Thaçit - Bota Sot
Misioni i dështuar i Hashim Thaçit

Politika

Misioni i dështuar i Hashim Thaçit

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 8 mars 2018 Në ora: 10:36
Hashim Thaçi

“Presidenti po e sheh që e ka humbur rendësin dhe rolin e tij. Ai tashmë është bërë një personalitet i parëndësishëm në skenën publike në Kosovë dhe tashmë ai po provon të dal me deklarata të tilla shpesh herë të papërgjegjshme”, thotë për “Bota sot”, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk ka të drejtë të ankohet për bllokimin që po bën Lista Serbe sa i përket themelimit ushtrisë dhe institucioneve të tjera që kompletojnë shtetësinë e Kosovës.

Kjo, pasi që është pikërisht Thaçi ai që ia solli Kosovës në Kuvend, Listën Serbe që publikisht del kundër pavarësisë.

Kreu i shtetit në deklaratën e tij në kuadër të manifestimit të përgjithshëm për “Epopenë e UÇK-së”, është shprehur se nuk do të lejohet askush që të vë veto pa fund për transformimin e FSK-së në FAK.

Por, deputet të partive opozitare dhe analistë politik thonë se është joserioze që i pari vendit të akuzojë këtë subjekt politik për të cilin është vet fajtor.

Lidhur me këtë gazeta ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Presidencës, por askush nuk është përgjigjur.

Image
Driton Selmanaj

Opozita thotë se Thaçi po e përdor ushtrinë për faktorizim

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj thotë për “Bota sot”, se Thaçi ka humbur rolin që e kishte dikur në vend dhe deklarata të tilla po i bën ai vetëm për tu faktorizuar në skenën politike.

“Presidenti po e sheh që e ka humbur rendësin dhe rolin e tij. Ai tashmë është bërë një personalitet i parëndësishëm në skenën publike në Kosovë dhe tashmë ai po provon të dal me deklarata të tilla shpesh herë të papërgjegjshme”, thotë Selmanaj për “Bota sot”.

Selmanaj, kujton edhe zotimin e vitit të kaluar për ushtrinë nga ana e presidentit.

“Mos harroni se e kemi pasur para një viti një iniciativë të tij për këtë çështje. Ne të gjithë e dinim  se kjo nuk mund të bëhej, por ai në njëfarë formë sikur mashtronte opinionin publik që do të ndodhte kjo, por ja që nuk ndodhi”, deklaron më tej ai.

Institucioni i presidencës, vitin e kaluar i procedoi në Kuvend për miratim Projektligjin për transformimin e FSK-së në FAK.

Por, pas një kohë të shkurtër ai i dërgoi një letër Kryetarit të këtij institucioni, Kadri Veseli që mos të procedonte këtë iniciative, me arsyetimin se për këtë nevojiteshin ndryshimet kushtetuese.

Për këtë, Selmanaj i konsideron jo serioze deklaratat e Thaçit për formimin e këtij institucioni.

“Edhe tash, unë deklaratat e tij i shoh vetëm si tendencë për protagonizëm edhe për faktorizim të tij në kontekstin e konsumit të brendshëm politik, sepse ai është i vetëdijshëm se Ushtria nuk bëhet pa një koordinim të mirë me faktorin ndërkombëtar”, shtoi Selmanaj.

Image
Ismajl Kurteshi

Edhe deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, mendon se deklaratat e kreut të shtetit po bëhen për konsum politik.

“Unë mendoj se presidenti këto gjëra më shumë po i bën për publikun se kinse ai është duke bërë diçka në këtë drejtim”, thotë Kurteshi për “Bota sot”.

Sipas tij, askush nuk duhet të mundohet të marrë më shumë merita për çështje të rëndësishme për të cilat Kosova ka ngecje.

“Problemi është se për ne në Kosovë me rëndësi është për tu bërë ushtria dhe askush nuk duhet të lavdërohet se kush po bën më shumë për ushtrinë. Pra është obligim për të gjithë ne që jemi në skenën politike”, deklaron ai.

Kurteshi shtoi se Thaçi kishte ndërmarrë një iniciativë për FAK-un gjatë kohës sa ai ishte kryeministër, e cila sipas tij u bë paka para zgjedhjeve qendrore.

Listën Serbe e solli Thaçi

Të dy opozitarët thonë se subjekti politik, Lista Serbe që është në Qeveri dhe në Kuvend, i erdhi Kosova fal bisedimeve të Brukselit të udhëhequra nga presidenti që në atë kohë mbante pozitën e kryeministrit.

“Ai tashmë po flet për Listën Serbe, por mos të harrojmë se kjo parti politike erdhi në Kosovë si pasojë e negociatave të Brukselit të udhëhequr nga Hashim Thaçi”, thotë deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj për “Bota sot”.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi, e sheh si shumë të dëmshme këtë subjekt politik për konsolidimin e shtetësisë.

“Lista serbe është krijuar me gabimet e udhëheqësve kosovare sidomos të atyre që kanë marrë pjesë në bisedimet e Brukselit, e dihet kush ka marrë pjesë e kush i ka udhëhequr ato bisedime. Prandaj, janë defektet më të mëdha që i kanë ndodh këtij vendi, sepse kemi pasur disa serb që kanë qenë më të integruar dhe tash i kemi disa serbe që janë të lidhur me Beogradin dhe për çfarë do vendimi ata konsultohen me Vuçiqin dhe pa lejen e tij nuk bëjnë asgjë” thotë Kurteshi.

Qeveria Thaçi filloi negociata me Serbinë, të cilat në fillim u quajtën si bisedime teknik edhe pse gjatë kësaj kohë, u nënshkruar Marrëveshja për Fusnotën, ajo për menaxhimin e kufijve dhe një varg marrëveshje të tjera.

Më pas, këto bisedime çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në vitin 2013.

Kjo marrëveshje dhe bisedimet e tjera, të cilat më pas filluan të quhen politike solli në Kosovë Listën Serbe.

Ky subjekt politik garoi për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2014.

E përkrahur nga Beogradi politikisht dhe financiarisht, ky subjekt politik filloi gati të gjitha ulëset në Kuvend, duke lënë jashtë deputetët e partive tjera serbe në vend, që pranonin pavarësinë e Kosovës.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi thotë Thaçi e ka varë Kosovën tek lista serbe

Kritik ndaj presidentit Thaçi shprehet edhe analisti politik, Jeton Kelmendi.

“Deklarata e presidentit Thaçi së nuk do të lejohet që dikush të vë veto pafundësisht për ushtrinë është në vazhdën e mashtrimeve që ia bënë këtij populli për të ndenjur edhe pak në pushtet”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës nuk duhet t’i besojnë këtyre deklaratave.

“Çdo gjë që e thotë Thaçi është e pasinqertë dhe nuk duhet të merret parasysh”, tha ai.

Kelmendi thotë se është presidenti që e themeloi Listën Serbe që tash po e pengon formimin e ushtrisë.

“Pra njeriu më anti ushtri është Hashim Thaçi, sepse me të bëmat e tij në dëm të Kosovës dhe të kombit ka ndikuar ta çojë vendi këtu ku gjendet sot”.

Sipas tij, shteti nuk mund të ec përpara, sepse Kosova tani është e varur nga Serbia si pasojë e bisedimeve të Brukselit.

“Pra, ai i e ka varur Kosova tek Serbia. Kështu që jo vetëm ushtrinë, por as edhe qeverinë, Thaçi,  Ramushi dhe Kadri Veseli nuk mund ta bëjnë pa Listën Serbe. Prandaj ato që i deklaron Hashim Thaçi janë shpifje dhe mashtrime ordinere të llojit të tij dhe nuk duhet të merren seriozisht”, deklaron më tej Kelmendi.

Ai thotë se Kosova do të bëj ushtrinë kur të largohet presidenti nga pushteti.

“Thaçi duhet të dal në pension në mënyrë që të krijohen parakushtet tjera për ta shfuqizuar Listën Serbe për të pasur një demokraci më të madhe dhe në të njëjtën kohë të ketë parti nga serbët lokal që e njohin Kosovën”, ka nënvizuar ai.

“Pra, Thaçi që e ka lexuar deklaratën e pavarësisë është njeriu që e ka varë Kosovën tek individi, Vuçiq dhe tek Lista Serbe dhe Serbia”, shtoi Kelmendi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test