Marrëveshja e “blinduar” dhe përplasjet politike - Bota Sot
Marrëveshja e “blinduar” dhe përplasjet politike

Politika

Marrëveshja e “blinduar” dhe përplasjet politike

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 8 mars 2018 Në ora: 20:37
Ilustrim

“Sa më shumë që mund ta kuptoj kryeministri aktual se nuk mund t’i siguroj votat për demarkacionin, aq më shumë do të sulmojë LDK-në. Kjo për arsyen se pretendon që për këtë t’ia lë fajin LDK-s, Ai nuk po e kupton se jo vetëm mbi demarkacionin por kjo Qeveri po ngec në çdo gjë dhe shumë, çka i jep të drejtë opozitës t’i thotë se i ka ditët e numëruara”,-theksoi Faton Abdullahu.

Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë të jashtëzakonshme për shkak të përjashtimit të Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë të Arsimit të Lartë (EQAR).

Në këtë seancë, pati shumë përplasje mes deputetëve në Kuvend, ku veçohet përplasja e kryeministrit Haradinaj me deputetët e LDK-së, e në veçanti me shefin e grupit parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hotin.

I pari që e nisi replikën ishte kryeministri Haradinaj, i cili interpelancën e thirrur nga LDK e cilësoi më tepër si mundësi për prezantimin e forcës politike të Hotit, i cili sipas Haradinajt synon të marrë në dorë drejtimin e LDK-së.

Reagimi i Hotit

Pas kësaj akuze, ka reaguar Hoti i cili deklaratën e kryeministrit e konsideroi të ndikuar nga frika se do të bie qeveria, të cilën ai e drejton tash e gjashtë muaj.

“Nuk e ka hallin ai tek interpelanca, por hallin e ka sepse i ka ditët e numëruar pasi që LDK është partia më e madhe opozitare”, tha Hoti.

Pas kësaj replike, Haradinaj doli sërish para deputetëve për të pohuar se hallin e ka pikërisht aty, duke shtuar se është interesuar të di nëse edhe ai e ka qëlluar hallin e Hotit, kur e ka akuzuar atë se synon të bëhet kryetar i LDK-së.

“Besoi ia qëllove për mua, por a mund të të pyes unë ty se a ia qëllova unë për ty”, u shpreh Haradinaj.

Por a mund ta prishin këto përplasje marrëveshjen e demarkacionit të propozuar nga LDK-ja, flasin për “Bota sot”, deputetë e njohës të çështjeve politike.

Abdullahu: Sa më shumë që Haradinaj e kupton se nuk mund t’i siguroj votat për demarkacionin, aq më shumë do të sulmojë LDK-në

Publicisti i njohur, Faton Abdullahu, thotë se kryeministri Haradinaj është i nxituar në disa momente dhe nuk i mendon si duhet gjërat, duke e shfaqur kokëfortësinë që e ka e më vonë e kupton se e ka gabim.

Image
Faton Abdullahu

“Qeveria Haradinaj dhe sidomos kryeministri aktual në shumë sfera bën ‘ad hock’ politikë. Pa koncepte të menduar mirë e pa strategji qeverisëse me synime të përcaktuara argumentueshëm. Ka në këtë qasje shumë, inate, kokëfortësi, por pak e hiç tolerancë dhe konstruktivitet. Prandaj determinohen shumë gabime dhe për rrjedhojë edhe pendesa për vendimet apo tërheqje nga ato pasi kuptohet me vonesë se është vendosur gabueshme. Nga kjo prizmë duhet parë edhe reagimet e tij ndaj deputetëve të ndryshëm dhe qasjeve aktuale në Kuvend”,-shprehet Abdullahu.

Ai mendon, se Haradinaj po e sulmon LDK-në, për arsye se po tenton t’ia lë fajin kësaj partie për çështjen e mungesës së votave për demarkacionin.

“Sa më shumë që mund ta kuptoj kryeministri aktual se nuk mund t’i siguroj votat për demarkacionin, aq më shumë do të sulmojë LDK-në. Kjo për arsyen se pretendon që për këtë t’ia lë fajin LDK-s, Ai nuk po e kupton se jo vetëm mbi demarkacionin por kjo Qeveri po ngec në çdo gjë dhe shumë, çka i jep të drejtë opozitës t’i thotë se i ka ditët e numëruara”,-theksoi Abdullahu.

Image
Drita Millaku

Millaku: Loja më e rrezikshme është ndërmjet koalicionit qeverisës

Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Drita Millaku, e sheh këtë përplasje si një lojë mes Haradinajt dhe LDK-së, duke thënë se loja më e rrezikshme është ndërmjet koalicionit qeverisës, ku mendon kjo do të zgjasë për arsye se partitë politike po i bëjnë kalkulimet politike për interesa partiake.

“Loja me demarkacionin vazhdon. Jo veç në mes AAK-së dhe LDK-së, por loja më e rrezikshme është ndërmjet koalicionit qeverisës që besoj se kjo lojë do të zgjas edhe më shumë dhe e keqja është pse asnjëra palë nuk janë të vendosur dhe i bëjnë kalkulimet politike për interesa partiake”- u shpreh Millaku për “Bota sot”.

Image
Lirim Zorra

Ndërsa njohësi i çështjeve politike, Lirim Zorra, i cilëson këto përplasje si të zakonshme në Kuvendin e Kosovës dhe nuk mendon se do të kenë ndikim në marrëveshjen e demarkacionit.

“Nuk besoj se këto përplasje mund të ndikojnë te marrëveshja e demarkacionit kur dihet se kushti i LDK-së është plotësuar më herët për termat e përdorur në ligj. Përplasjet parlamentare janë të zakonshme në parlament midis pozitës dhe opozitës andaj edhe kjo përplasje nuk është risi”,- thekson Zorra.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Lista serbe si problem

Edhe analisti politik, Nexhat Haziri, mendon se kjo përplasje nuk do të ndikojë në prishjen e marrëveshjes së demarkacionit dhe thotë se Lista Serbe po shihet në disponim të mirë për votimin e demarkacionit.

“Nuk mendoj se përplasja në kuvendin e Kosovës ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit,mund të ndikojë në ndonjë polarizim të tyre sa i përket votimit për ratifikimin e kufirit me Malin e Zi. Mendoj se pas akordimit të partive politike për heqjen e raportit të Bulliqit, si dokument juridik dhe lënien e ti si një raport njoftues, pengesa e fundit për ratifikim të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, ka qenë lista serbe. Por,tani sipas disa deklaratave të zyrtarëve nga ky subjekt politik,shihet se ka disponim edhe te deputetët Serb për të votuar pro marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e zi”,- thotë Haziri për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
test