Pas dorëheqjes nga VV, Shpend Ahmetit i lëkundet pozita e Kryetarit në Prishtinës

Politika

Pas dorëheqjes nga VV, Shpend Ahmetit i lëkundet pozita e Kryetarit në Prishtinës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 8 mars 2018 Në ora: 21:47
Shpend Ahmeti

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti të mërkurën në mbrëmje ka dhënë dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas njoftimit për media, Ahmeti ka thënë se tashmë nuk ekzistojnë arsyet që e kanë shtyrë atë të futet brenda saj.

“Javëve të fundit kam kuptuar shumë gjëra për organizatën të cilat nuk i kam ditur më parë. Këto gjëra nuk janë diskutuar me mua. Mirëpo kjo nuk është arsyeja e vendimit tim. Motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilën unë kam hyrë në LVV nuk është më. Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia.  Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mire, e të tjerët e kanë keq”, kishte shkruar Ahmeti.

Pas kësaj dorëheqje të tij, 17 asamblistët e kësaj Lëvizjeje janë ndarë në dy grupe, ata që e përkrahin Shpend Ahmetin dhe ata që janë kundër tij.

Ky grup i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin komunal të Prishtinës përmes një komunikate për media kanë deklaruar se tash do të jetë pjesë e opozitës.

“Sakrificat, puna e palodhur e aktivistëve dhe vullnetarëve dhe buxheti i ndarë për zgjedhjet lokale në Prishtinë nuk ka qenë për ta patur kryetarin vetëm 100 ditë, por për katër vjet. Tash padrejtësisht Lëvizja do të jetë në opozitë aty ku në fakt fituam. Kjo është gjendje e pazakontë dhe e padrejtë për votuesit, mbështetësit dhe aktivistët e Lëvizjes”, thuhet në njoftimin për media të VV-së.

Ndërsa, shef i grupit të asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës-së në komunën e Prishtinës, Blerand Stavileci, ka thënë për media se partia e tij është i gatshëm për çdo situatë që krijohet.

“Unë duke parë situatën aktuale dhe këto zhvillim.. ta shohim sepse sigurisht se do të ketë zhvillime edhe ditëve të ardhshme, po supozoj duke parë indinjatën e thellë të ish-bashkë partiakëve të  kryetarit aktual sigurisht se ai nuk do ta gëzojë më mbështetjen e tyre dhe mund të ndodhë që ndoshta indinjata e tyre të përkthehet në ndonjë formë tjetër, ne do ta shohim se çfarë do të bëhet. Nga ana jonë do të jemi të gatshëm për cilindo opsion cilindo alternativë, qoftë edhe atë të zgjedhjeve”, ka thënë Stavileci.

Image
Blerim Burjani

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike, Blerim Burjani nuk i sheh të arsyeshme kërkesat për të zgjedhur kryetarin e ri të Komunës së Prishtinës

Sipas tij, mund të ketë kërkesa, por nuk mund të ketë zgjedhje për kryetar, vetëm se në rast të kërkimit me peticion nga qytetarët, atëherë mund të jap dorëheqje. 

 “Gjendja mbetet kështu si është, siç dihet mandati është individual dhe qytetaret kanë votuar individin Shpend Ahmeti. Kërkesat për zgjedhje të kryetarit të ri nuk janë të arsyeshme, kjo dihet qytetaret kanë votuar për këtë kandidat.  VV apo grupacioni i Shpendit janë në asamble komunale, pra kërkesa mund të ketë por s`ka ndonjë mundësi të ketë zgjedhje për kryetar komune, përveç rasteve me ligj për vetëqeverisje lokal nëse jep dorëheqje me peticion të qytetarëve dhe raste tjera që mbështeten në ketë ligj”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat