“Ramush Haradinaj të zgjedhë: A do të dorëhiqet a do të shkarkohet?!”

Politika

“Ramush Haradinaj të zgjedhë: A do të dorëhiqet a do të shkarkohet?!”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 8 mars 2018 Në ora: 21:47
Ramush Haradinaj

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të mbajtur dje për shkak të përjashtimit të Kosovës nga EQAR, është kërkuar dorëheqja/shkarkimi i kryeministrit Ramush Haradinaj.

Partitë opozitare kanë akuzuar këtë të fundit, pasi sipas tyre, deri te përjashtimi i Agjencisë Kosovare të Akreditimit, ka ardhur për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie nga kryeministri Haradinaj.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Valentina Bunjaku, ka thënë se shkarkimin e këtij bordi nga kryeministri, Komisioni Evropian e ka konsideruar si ndërhyrje politike në bordin e AKA-së, i cili është konsideruar jo legjitim.

Sipas saj, kryeministri Haradinaj moralisht duhet të japë dorëheqje për gjendjen e krijuar pas përjashtimit të AKA-së nga EQAR.

“Humbja e besueshmërisë së AKA-së, sidomos në hapësirën evropiane dhe zhvlerësimi i diplomave në universitetet publike, dëmton studentët e Kosovës. Rënia e besimit ndërkombëtar të Kosovës ndikon në humbjen e projekteve evropiane në fushën e arsimit”, është shprehur Bunjaku.

Se Haradinaj duhet të zgjedh se a do të jetë i dorëhequr apo i shkarkuar, e ka thënë edhe njohësi i çështjeve ligjore Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Burjani ka thënë se Haradinaj do të shkarkohet ose dorëhiqet kur Gjykata Kushtetuese, do ta konstatojë se vendimi për rritjen e pagave, ishte në konflikt interesi.

Sipas tij, Haradinaj duhet të zbatojë vendimin e Kushtetueses.

“Dorëheqja ose shkarkimi duhet të ndodhë në momentin kur Gjykata Kushtetuese, konstaton vendimin për konflikt interesi në rastin e rritjes së pagës së vet, por edhe për EQAR ka arsye, për falje të borxheve pa ligj nga Kuvendi, për emërinin e Këshillit Drejtues të UP-së, këto të gjitha janë shkelje ligjore dhe të kundërligjshme. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shkak të konfliktit të interest duhet të zbatohet. Mund të zgjedh ky njeri, a do të dorëhiqet apo do të jetë i shkarkuar?”, është shprehur Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat