Haradinaj i zënë ngushtë, Lista serbe i kërkon Prilluzhën e Gorën për Demarkacionin - Bota Sot
Haradinaj i zënë ngushtë, Lista serbe i kërkon Prilluzhën e Gorën për Demarkacionin

Politika

Haradinaj i zënë ngushtë, Lista serbe i kërkon Prilluzhën e Gorën për Demarkacionin

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 13 mars 2018 Në ora: 21:39
Ramush Haradinaj

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se është në bisedime me Listën serbe për sigurimin e votave për votimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i varur plotësisht nga votat e Listës Serbe për të qeverisur vendin, nuk do të jetë në gjendje t’i thotë jo krijimit të komunës së re serbe në Priluzhë të Vushtrrisë,dhe komunës së Gorës. Sipas burimeve të gazetës “Bota sot”, ky është edhe kushti i Listës serbe në këmbim të votës për Demarkacionin.

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi tashmë varet edhe nga votat e deputetëve të Listës serbe në Kuvendin e Kosovës. Një burim i ka thënë gazetës “Bota sot” se kushtet e Listës serbe për Qeverinë e Kosovës dhe Presidentin e Kosovës për votimin e Demarkacionit, janë që tu mundësohet serbëve në Kosovë edhe krijimi i dy komunave tjera serbe brenda territorit të Kosovës, komunës se Prelluzhës dhe asaj të Gores në Dragash. Një mundësi të tillë, s’ka dashur ta komentojë askush nga Qeveria e Kosovës, derisa analistet e kanë vlerësuar  si proces të dëmshëm.

Lista Serbe, ende nuk ka vendosur se cili do të jetë qëndrimi i deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, në rast se Marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi sillet në legjislativ për t’u ratifikuar.

Gora e Prilluzha në shkëmbim të Demarkacionit

Në lidhje më këtë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i varur plotësisht nga votat e Listës Serbe për të qeverisur vendin, nuk do të jetë në gjendje t’i thotë jo krijimit të komunës së re serbe në Priluzhë të Vushtrisë, dhe komunës së Gorës. Plani për Komunën e Gorës, nuk është publikuar shumë në media, megjithatë,  kjo vazhdon të jetë kërkesë e Listes serbe për Qeverinë e vendit dhe presidencën po ashtu.

Image
Ramush Tahiri

Ramush Tahiri, analist dhe njohës i çështjeve të pushtetit lokal dhe decentralizimit,  ka thënë për “Bota sot” se decentralizimi i territorit të Kosovës i dalë nga procesi i bisedimeve në Vjenë nuk është kryer sipas projeksionit dhe nevojave të qytetarëve dhe të ndarjes administrativo territoriale në funksion të ofrimit të shërbimeve më të mira dhe të zbritjes së një varg kompetencash në  pushtetin e nivelit lokal.

“Në Kosovë u krijuan dhjetë komuna me shumicë etnike serbe dhe Mamusha me shumicë etnike turke e tash Kosova ka marrë obligim të krijojë asociacionin e komunave serbe . Decentralizimi si proces mohet dhe është në dobi të qytetarëve pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare.  Mbetet te Qeveria dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, që të vendosë se cilat komuna të reja  sipas kërkesave të qytetarëve. Si njohës i çështjeve të pushtetit lokal dhe të decentralizimit për Kosovën do të ishte  shumë e dobishme dhe efektive që Republika e Kosovës, të ishte e ndarë në 60-70 komuna, edhe ashtu ishin premtuar gjatë fushatës dhjetëra komuna, mandej shtatë Bashki, mandej organizimi ne katër regjione si dhe Prishtina kryeqytet me status të veçantë” ka thënë Ramush Tahiri analist dhe njohës i çështjeve të pushtetit lokal.

Selmanaj: Haradinaj, Veseli e Thaci nuk kanë mandat për kompromise

Në lidhje me rrezikun që i kanoset vendit, në rast se votat për Demarkacionin nga Lista serbe merren në në këmbim të themelimit të Asociacionit në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, e jo në vendim të Gjykatës Kushtetuese, përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se ende nuk janë në dijeni për bisedime të tilla më Qeverinë sene, por që nomrlaisht janë kundër një gjëje të tillë.

Image
Driton Selmanaj

Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Driton Selmanaj, në një intervistë për “Bota sot” ka thenë se nuk kanë asnjë informatë se çfarë po bisedon qeveria dhe partnerët e koalicionit me Listën Serbe.

“Normalisht se këta janë të pabesë. Nuk i besohet as zotit Haradinaj, zotit Veseli dhe zotit Thaçi. Këta nuk kanë mandat për të diskutuar me askënd për të nxjerr diçka për tej rregullave dhe vendimeve të institucioneve të Kosovës. për fat të keq e kemi ditur këtë se kur varet gjithçka nga Lista Serbe, kjo tregon për ndikimin e tyre. Ne i kemi thënë që në fillim nuk guxon Kosova që në këtë fazë të ketë një qeveri të tillë që krejt fati i saj të varet në dorë të Listës Serbe. Demarkacioni është një proces tejet i rëndësishëm që është në duart e tyre” ka thënë Selamanaj.

Sipas tij, nuk ka mandat askush qoftë Thaçi, Veseli apo Haradinaj, që të bëjnë lëshime as për asociacion dhe as për një element tjetër në raport me Listën serbe.

“Ne e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, mundemi të vazhdojmë me themelimin e asociacionit në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në çdo variant tjetër, nëse lëshohen në pazare të tjera do t’i kenë pasojat jo vetëm shteti i Kosovës, por edhe vet këta individë, sepse nuk do të kalojnë gjëra të tilla. LDK-ja është shumë e përkushtuar që çdo tendencë për të denigruar edhe më tutje shtetësinë e Kosovës nuk mund të jetë aleate e askujt. Ne nuk mund të ndërtojmë konsensus për tema të mëdha, as për pazare politike ngjashëm sikur ndodhi ky koalicioni me Milan Radojiçiqin nëpër kafe të Prishtinës dhe në atë të pjesës veriore ku u takua kryeministri i vendit. Kjo për LDK-në është absolutisht e papranueshme. Ne mund të diskutojmë vetëm mbi premisat e kushtetutshmërisë në Kosovë” ka thenë për “Bota sot” Deputeti i LDK-së në Kuvendin e Kosovës Driton Selmanaj.

Image
Faton Abdullahu

Abdullahu: Kjo Qeveri do të bëj lëshime, marrëveshje dhe zbrapsje nga më të ndryshme me Listën Serbe

Njohësi i çështjeve politike në vend Faton Abdullahu, ka shpjeguar se kjo qeveri aktuale e vendit nuk do të vinte në pozitë pa ndihmën e Listës serbe dhe pa ndihmën e këtij subjekti politik nuk do të mund të qëndronte.

“Kjo Qeveri nuk do të vinte në pushtet pa ndihmën kruciale të Listës Serbe. Ajo sot nuk mund ta vazhdoj qeverisjen pa përkrahjen e këtij subjekti politik. Ky ka qenë kusht të cilin kjo Qeveri e ka pranuar vullnetshëm dhe me vetëdije. Prandaj, kjo Qeveri do të bëj lëshime, marrëveshje dhe zbrapsje nga më të ndryshme me Listën Serbe dhe në të mirë të saj, me qëllimin e vetëm që të mbetet në pushtet. Sa më gjatë që kjo Qeveri qeverisë me Kosovën aq më të mëdha e më të dëmshme bëhen apetitet e Listës Serbe. Ajo nuk ka të ndalur” ka thënë ai.

Sipas Abdullahut, Lista serbe do të kërkojë edhe një komunë serbe më shumë, do të kërkoj më shumë ingirenca për Asociacionin, do ta parandaloj formimin e Ushtrisë, etj, etj.

“Do të vazhdoj kështu, sepse ajo në Kosovë bënë politikën zyrtare të Beogradit, e cila deri dje ishte klandestine, por tani me këtë Qeveri, është zyrtarizuar. Pavarësisht se do të ketë përpjekje të koordinuar që krejt kjo të kamuflohet, numrat dhe realiteti e dëshmojnë të kundërtën. Fatkeqësisht” ka përfunduar analisti Faton Abdullahu.

Image
Muhamet Kelmendi

“Më mirë është fare të mos votohet demarkacioni, se sa të krijohen edhe dy komuna”

Kurse, për njohësin e çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, tërësia territoriale e Kosovës me komunat ekzistuese serbe është rrezikuar mjaft.

“Mbi 20% e territorit të Kosovës kontrollohet dhe pothuajse është nën ndikimin e shtetit serb. Nëse krijohen edhe komunat tjera serbe rritet tërësia territoriale e kontrolluar nga Serbia.

Kjo nuk duhet të ndodhë. Nuk duhet kurrsesi të lëshohen nën mbikëqyrje edhe dy komuna. Më mirë është fare të mos votohet demarkacioni, se sa të krijohen edhe dy komuna apo të vihet Trepça nën sundimin serbomadh. Këto dy veprime janë shumë të dëmshme dhe kurrë nuk duhet të realizohen”, është shprehur Kelmendi për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
    test