Urrejtja e “krahut të luftës” ndaj Ibrahim Rugovës dhe skenari ogurzi i trazirave të marsit 2004 - Bota Sot
Urrejtja e “krahut të luftës” ndaj Ibrahim Rugovës dhe skenari ogurzi i trazirave të marsit 2004

Politika

E hënë, 22 tetor 2018

Urrejtja e “krahut të luftës” ndaj Ibrahim Rugovës dhe skenari ogurzi i trazirave të marsit 2004

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 17 mars 2018 Në ora: 15:36
17 marsi i vitit 2004 shënon ditën kur filluan trazirat që më vonë do të përmenden si “Trazirat e marsit”.

Kanë kaluar 14 vite që nga “Trazirat e Marsit” , ndërsa pas kaq viteve ende vazhdohet të përmenden ngjarjet e atyre ditëve dhe të heshtet për fajtorët e vërtetë.

Muaj më parë, dëshmitari dhe i dënuari për vrasje, Shkumbin Mehmeti ka folur rreth këtyre ngjarjeve dhe për përfshirjen, që sipas tij, janë njerëzit nga politika, sidomos partive të dala nga lufta.

Kjo dëshmi e tij, është mundësi e zbulimit se kush qëndron me të vërtetë pas “Trazirave të Marsit” në Mitrovicë dhe çka saktësisht ishte planifikuar të ndodhte ato ditë.

Prokuroria kishte njoftuar se kishin autorizuar policinë që ta merrnin në pyetje SH. M, por i njëjti ka kushtëzuar dëshminë.

Ende nuk dihen arsyet e këtij kushtëzimi, mirëpo ekspertët e sigurisë vazhdojnë të pohojnë se prapa ngjarjeve të njohura si “Trazirat e Marsit”  qëndrojnë shërbimet serbe në Kosovë dhe miqve të tyre në UNMIK.

Sipas tyre, ngjarjet e atyre ditëve, kanë zbehur imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe kështu e kanë lënë Kosovën të izoluar.

Kajtazi tregon për paralajmërimet e 17-18 marsit 2004

Image
Fadil Kajtazi

Eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, ka thënë për “Bota sot” se ka pasur paralajmërime nga serbët për këto trazira, mirëpo këto janë injoruar nga organet e sigurisë në Kosovë.

“Shërbimet intelegjente serbe përmes agjenturës së tyre në Kosovë dhe miqve të tyre në UNMIK, kanë arritur të organizojnë histeri kundër bashkësisë ndërkombëtare e cila e çliroi Kosovën. Ka pasur parlajmërime nga serbët se do të ndodhin trazira, mirëpo ato ishin injoruar nga organet e sigurisë në Kosovë që vareshin nga UNMIK-u dhe KFOR-I”, ka pohuar Kajtazi.

Ai ka theksuar, se urdhërdhënësit dhe organizatorët e ngjarjeve të marsit 2004, janë shërbimet intelegjente serbe.

Kajtazi ka treguar për “Bota sot”, paralajmërimet që janë bërë nga serbët.

“Urdhërdhënësit dhe organizatorët e ngjarjeve të marsit të vitit 2004, janë shërbimet inteligjente serbe  që,  përmes agjenturës së tyre në Kosovë dhe miqve të tyre në UNMIK, kanë arritur të organizojnë  histeri kundër bashkësisë ndërkombëtare, e cila e çliroi Kosovën. Paralajmërimi se do të organizohet diçka e tillë është bërë në fund të dhjetorit të vitit 2003 nga drejtori i atëhershëm i BIA, Rade Bullatoviq, i cili në një konferencë me media në ambientet e BIA-s, e para dhe e fundit e këtij lloji në historinë e BIA-s, deklaron se "viti 2004 do të jetë  vit për Kosovën". Paralajmërimi tjetër se Kosova mund të përfshihet nga ndonjë katrahurë e madhe, bëhet gjithashtu nga një person i fuqishëm në Serbi; koloneli Momir Stojanoviq, shefi i shërbimit ushtarak VBA. Ai në një intervistë dhënë për revistën NIN, të botuar në janar të vitit 2004, thotë "Vitin që shkoi  kemi arritur që ta konsolidojmë agjenturën tonë në kuadër të kreut të Lëvizjes seperatiste". Me "Lëvizje seperatiste" Stojaneviq nënkupton korpusin politik, shtetëror, medieve, me ndikim në Kosovë. Se sa është ky ndikim po përmendi një kronikë të realizuar nga Ridvan Berisha,  e cila u emetua në edicionin qendrore të lajmeve në RTK, vetëm një  javë para se të fillonin ngjarjet e marsit, ku bashkëbiseduesit e zgjedhur nga ai për intervistim paralajmërojnë se "do të ketë luftë qytetare në Kosovë"”, ka treguar tutje Kajtazi.

Kajtazi: Në ngjarje u involvua “krahu i luftës”

Ai është shprehur se këto janë injoruar nga organet e Kosovës, ndërkaq ka shtuar se në këtë kohë ka qenë në funksion SHIK-u.

“Fatkeqësisht, organet e sigurisë në Kosovë  që vareshin nga UNMIK-u dhe KFOR-i,  i injoruan këto paralajmerime, bile, deklaratën e Momir Stojanoviqit, shefi për informim i KFOR-it, Horst Piper, e pati quajtur diçka si propagandë. Në këtë kohë ka qenë në funksion të plotë operativ SHIK-u, i cili mision duhet të kishte zbulimin, dokumentimin dhe parandalimin e veprimtarisë anti Kosovë. Por, çka në të vërtet ndodhi: ngjarjet rrodhën me shpejtësi dhe në  të u involvua i ashtuquajturi krahu i luftës, vetëm me qëllim për ta komprometuar pushtetin, i cili në atë kohë personifikohej me Ibrahim Rugovën, i cili ishte president i zgjedhur dhe funksiononte në kuadër të kornizës ligjore UNMIK”, ka shtuar Kajtazi.

Eksperti i sigurisë, i konsideron katastrofike pasojat e ngjarjeve të marsit  dhe sipas tij, ato e kanë rrëzuar për toke imazhin e Kosovës përpara bashkësisë ndërkombëtare.

“Pasojat e këtyre ngjarjeve ishin katastrofike. Këto ngjarje rrëzuan për toke imazhin e Kosovës para bashkësisë ndërkombëtare që në të vërtet ishte edhe synim i Serbisë, pra 'futja e shqiptarëve në konflikt me bashkësinë ndërkombëtare' së dyti, nga këto ngjarje doli 'Plani i Ahtisarit' i cili në vend se të bazohej në mbi 11 mijë viktima të shkaktuara nga ushtria dhe policia serbe, ai bazë mori kishat dhe manastiret që ne i dogjëm dhe i rindërtuam me parat tona. Dhe së treti, para faktorit ndërkombëtar krijuam idenë se ne jemi të njëjtë me serbët, vetëm se nuk kemi pasur rast dhe mundësi. Ne në prani të ndërkombëtarëve dogjëm shtëpi të serbëve, rrahëm dhe vramë civilë, dogjëm objekte të kultit, që në fakt të gjitha këto ishin të cytura prej agjenturës serbe”, ka deklaruar Kajtazi.

Shembull

Ai tutje, ka krahasuar këto ngjarje me një operacion të organizuar në Egjipt nga shërbimi intelegjent izraelit MOSAD.

“Shikuar për nga përmasat e përfshirjes dhe efektet në teren, ngjarjet e marsit 2004, apo futja e shqiptarëve në “vallen” e orkestruar nga shërbimet serbe ­(nga valljae Rugoves në Shumasiski), gjason me një operacion të organizuar në Egjipt nga shërbimi inteligjent izraelit MOSAD. Operacioni u organizua gjatë viteve 1950-1952 kundër interesave amerikane në Egjipt. Izraelitet nga frika se amerikanët mund të mbështesin Egjiptin, organizuan sulme me bomba kundër bankave, kompanive dhe interesave amerikane dhe bënë që amerikanët të tërhiqen nga Egjipti. Është interesant fakti se në këtë operacion vetëm në fillim ka qene i involvuar Mosadi, pjesa tjetër ka qenë e realizuar prej grupeve politike dhe fetare egjiptase. Edhe në aksionin e marsit 2004, i ashtuquajturi krah i luftës, vetëm për inate të Rugovës, verbërisht, ndikoi në masovizimin e këtyre ngjarjeve që Kosovës i shkaktuan dëme të mëdha”, ka nënvizuar Kajtazi.

Ndërsa, Hajrullah Tërnava ekspert sigurie, i konsideron të kobshme për shtetin “Trazirat e Marsit”.

Tërnava: Ishin trazira të kobshme për shtetin e Kosovës

Image
Hajrullah Tërnava

Sipas tij, demostratat ishin të orkestruara dhe të organizuara nga shërbimet sekrete të Serbisë dhe Rusisë me bashkëpunëtorët e tyre që gjenden në Kosovë.

Tërnava ka treguar për “Bota sot” anët negative të cilat i kanë sjellë Kosovës ngjarjet e muajit mars 2004.

“Trazirat e marsit 17/18 të vitit 2004 ishin trazira të kobshme për shtetin e Kosoves.  Ato ishin armiqësisht të orientuara ndaj vendit tonë  dhe me këto demostrata Kosovës iu zbrit imazhi pozitiv që e gëzonte deri më atëherë, e që shumë shtete mike sikur Amerika me BE dhe me NATO-në kontribuan dhe e ndihmuan Kosovën të çlirohej  nga armiku shekullor, sikur që është Serbia. Këto demonstrata ishin të orkestruara dhe të organizuara nga shërbimet sekrete të Serbisë dhe Rusisë dhe me bashkëpuntorët e tyre që gjenden në Kosovë, jo në numër të vogël”, ka theskuar Tërnava.

Tërnava, ka treguar për “Bota sot” anët negative të cilat i kanë sjellë Kosovës “Trazirat e marsit”, gjersa ka shtuar se bashkëpunëtorët  e mëhershëm që kanë organizuar demostrata ekzistojnë ende.

“ Të tillë ka edhe sot e kësaj ditë edhe në poste të larta shtetërore, ku krijohen politika të mëdha për prespektivën e këtij shteti, prandaj nuk është çudi pse tash e sa vite pas çlirimit nuk bëjmë  hapa të mëdhenj drejt BE-së,  por kemi mbetur gati aty ku ishim si i vetmi shtet më  i izoluar ne Ballkan pa liberalizim të vizave, pa prespektivë. Faji për këtë ngecje pa prespektivë qëndron  të politikantë e këtij “shteti“ të cilët këtë shtet e kanë bërë pronë të veten dhe nga skamnorët tani janë bërë multimilionera, edhe që shumë  nga ata që nga çlirimi e deri tani edhe që iu ngritën aktakuza nëpër gjyqe me procedura të gjata asnjëherë nuk dënohen dhe në fund kërkojnë edhe dëmshpërblime për shqetësimet e tyre që i kanë pasur. Përkundrazi, në këto gjykata dënohen njerëz që kanë bërë kundërvajtje dhe krime të lehta”, ka deklaruar Tërnava.

Përgjegjësia e drejtuesit e shtetit

Ai përgjegjës për ngjarjet e muajit mars të vitit 2004 i bënë udhëheqësit e shtetit.

“ Edhe që kriteri i fundit për liberalizim të vizave është luftimi i krimit të organizuar. Sikur të luftohej ky kusht që e kërkon BE-ja, vetë këta që e udhëheqin këtë shtet duhet të gjinden prapa grilave të burgjeve. Vetëm ta përkujtojmë sa vrasje politike kanë ndodhur gjatë luftës dhe pas saj e asnjë nuk u zbardh deri më tani?! Me një fjale shteti është kapur për fyti nga të mëdhenjët e këtij shteti, prandaj te të rinjtë është humbur shpresa e të jetuarit në Kosovë dhe shumë nga ta ditë e për ditë në të “zezë” e lëshojnë vendin tonë dhe migrojnë në mënyra të ndryshme në perëndim. Nga këto që i thashë deri tani, lehtë është të konstatohet se përgjegjës të këtyre ngjarjeve të mujit mars të vitit 2004, janë vetë udhëheqesit e shtetit, sepse po të ishin të pastërt dhe mos të ishin të përzier në këto ngjarje, do i zbulonin me kohë, ata që i organizuan këto ngjarje dhe do i dënonin me shumë vite burg që në preventive këto dënime të ju shërbejnë edhe tjerëve si mësim se shteti ndërtohet në baza të shëndosha dhe kush nuk ia donë të mirën shtetit tonë, pamëshirshëm do të dënohen edhe në të ardhmen”, ka shtuar Tërnava.

“Trazirat e marsit” kanë filluar më 17 mars 2004, kur dy fëmijët shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës ishin mbytur në lumin Ibër.

Disa fëmijë që mbijetuan në orët e vona, po atë natë treguan para kamerave se ata ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur kur disa nga bashkatdhetarët e tyre u mbytën në lumë. Të nesërmen, më 17, mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt eskaluan në dhunë.

Gjatë këtyre trazirave u dogjën disa shtëpi dhe kisha serbe. Diçka e ngjashme ndodhi me shtëpitë shqiptare në pjesët me shumicë serbe. Serbët hakmerren edhe me djegien e disa xhamive jo-shqiptare në Serbi.

19 persona, prej këtyre 12 shqiptarë, humbën jetën gjatë këtyre trazirave

UNMIK-u, për të mos ndezur situatën, nuk tregoi të vërtetën se çfarë kishte ndodhur. Serbët shfrytëzuan këtë rast për të nxirë aspiratat e politikanëve të Kosovës, për një Kosovë të pavarur dhe multietnike.

Këto trazira zgjuan nga gjumi shumë vendimmarrës. Të gjithë e kuptuan se shumë pak në Kosovë mund të përmirësohet pa zgjidhjen e statusit përfundimtar. Sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, i dha detyrën norvegjezit, Kai Eide, për hartimin e një raporti që do të pasqyronte situatën në Kosovë. Eide mori këtë detyrë shumë seriozisht dhe pas shumë vizitave në Kosovë dhe Ballkan, ku takoi përfaqësues të të gjitha partive, komuniteteve, feve etje. në tetor 2005 dorëzoi raportin e porositur.

Edhe pse Eide në këtë raport e vë gishtin në shumë gjëra që mund të përmirësohen, rekomandon se koha ka ardhur për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.

Disa ditë më vonë të njëjtin rekomandim për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e bën edhe Kofi Annan.

Më 17 shkurt 2008, bazuar në këtë propozim, Kosova shpallet shtet i pavarur dhe sovran. Kushtetuta e Kosovës që i jep asaj të gjitha kompetencat e shtetit, hyn në fuqi me 15 qershor 2008.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test