Abazi: Thaçi përgjegjës për vrasjen e policit Enver Zymberi dhe krijimin e Listës serbe

Politika

Abazi: Thaçi përgjegjës për vrasjen e policit Enver Zymberi dhe krijimin e Listës serbe

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 21 mars 2018 Në ora: 07:30
Hashim Thaçi

Njohësi i zhvillimeve politike në vend Haki Abazi, ka hedhur akuza të rënda ndaj presidentit Hashim Thaçi. Ai në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se vetë presidenti i Republikës se Kosovës Hashim Thaçi e ka pranuar që të krijohet Lista serbe, e cila është plotësisht e kontrolluar nga Beogradi. Sipas Abazit, Thaçi po ashtu ka pranuar edhe që komisioni qendror zgjedhor i Kosovës të mos kontrollojë zgjedhjet në komunat më serbë dhe të njëjtat të bëhen në bazë të rezolutës 1244 ku Kosova konsiderohet provincë e Serbisë.

“Në dialogun me Beogradin që Thaçi ka hyrë pa asnjë kusht dhe pa asnjë përgatitje të vetme, ndër marrëveshjet tjera ka pranuar që të krijohet lista serbe plotësisht e kontrolluar nga Beogradi dhe gjithashtu është përjashtuar Partia Liberale Serbe nga politika e Kosovës. Thaçi ka pranuar që komisioni qendror zgjedhor i Kosovës të mos kontrollojë zgjedhjet dhe ka pranuar që OSBE të bëjë ketë gjë duke pranuar që këto zgjedhje të konsiderohen zgjedhje sipas rezolutës 1244 ku Kosova konsiderohet provincë e Serbisë” ka thënë Abazi.

Ai ka thënë se, Lista serbe është një instrument politik që presidenti i Republikës se Kosovës Hashim Thaçi e ka krijuar për të mbajtur në kontroll përfaqësuesit e pakicës serbe sa për të qëndruar në qeveri. Sipas analistit Haki Abazi, Thaçi ka bërë të gjitha koncesionet e mundshme që t’iu merr votat e listës serbe që përkrahja e tyre të jetë për Partinë Demokratike të Kosovës.

 “Kur i shtojmë kësaj edhe fusnotën dhe kontrollin e sistemit energjetik nëpërmjet kompanisë “Kosmet” dhe faktin që Serbia edhe sot e ka Kosovën në preambulën e Kushtetutës, atëherë është e çartë që Lista Serbe është instrument politik që Thaçi e ka krijuar për të mbajtur nën kontrolle përfaqësuesit e pakicës serbe për të qenë në qeveri. Ai ka bërë të gjitha koncesionet që ti marr votat e Listës Serbe për përkrahje të PDK-së në cilindo rast. Ai këto marrëveshje i benë me Aleksandër Vuqiç-in me ndërmjetësimin e bashkëthemeluesve të PDK-së dhe SNS Sprapska Napredna Stranka e Vuciçit” ka thënë nder të tjera ai.

Image
Haki Abazi

Sipas Abazit, pas shpalljes se Pavarësisë në mënyrë simbolike e djallëzore duke e dërguar njësitin “ROSU” ku është vrarë polici Enver Zymberi, presidenti i vendit Hashim Thaçi ka pranuar hapjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Është e qartë që Thaçi Nuk e ka konsultuar askënd, dhe ka vepruar më skenar të përgatitur jashtë institucioneve të Kosovës dhe pa dijeninë e miqve tanë ndërkombëtarë” ka deklaruar për “Bota sot” Njohësi i zhvillimeve politike në vend Haki Abazi.

Ndryshe edhe në një postim në Facebook, Abazi ka thënë se Thaçi, është zgjedhur president me dhunë dhe se ai po përçan vendin, përcjell Bota sot.

Sipas tij, Thaçi ka krijuar Listën serbe dhe ka pranuar Asociacionin e komunave.

Ai ia ka përmendur Thaçin, edhe premtimin se nëse nuk do të formohej ushtria brenda një viti, ai do të dorëhiqej, gjë e cila nuk ka ndodhur.

“Në emër të kujt flet ose negocion ky President i zgjedhur me dhunë. Ky njeri e ka përçarë vendin, ka dëmtuar seriozisht imazhin e vendit, ka nënshkruar marrëveshje të dëmshme, ka krijuar Listen Srpska dhe ka pranuar Asociacionin e komunave, ka privatizuar asetet strategjike të vendit përderisa nxënësit dhe pacientët janë në gjendje të mjerë; është borgjli i keq dhe shpenzon buxhetin e shtetit pa asnjë kriter dhe pa transparencë, asnjë premtim të vetëm përfshirë edhe dorëheqjen për ushtrinë nuk e ka mbajtur”, ka deklaruar Abazi.

Ndryshe, gazeta nuk ka marrë përgjigje nga zyra për informim e Kuvendit të Kosovës, lidhur me deklaratat e Haki Abazit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat