Shahu: Askush nuk kapi pushkën ta mbrojë këtë copë Kosovë

Politika

Shahu: Askush nuk kapi pushkën ta mbrojë këtë copë Kosovë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 21 mars 2018 Në ora: 22:51
Gazi në Kuvend

Pas dy vite e gjysmë që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, në Kuvendin e Kosovës u ratifikuar kjo marrëveshje, pas katër seancash të dështuara.

E ratifikimi i kësaj marrëveshje nuk ishte i lehtë, derisa seanca u shty disa herë, pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës në sallën ku po mbahej seanca, për katër herë radhazi.

E për shkak të kësaj, 7 deputetë të kësaj partie u arrestuan, ndërsa 6 u përjashtuan nga Kuvendi.

E rreth orës 19:00, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, u arrit ratifikimi i marrëveshjes.

Lidhur me gjithë këtë, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Rexhep Shahu, thotë se kjo marrëveshje është pjesë e çmimit që Kosova duhej ta paguante për lirinë e saj, derisa thotë e ata që ishin kundër nuk bënë asgjë që ta mbrojnë Kosovën.

Image
Rexhep Shahu

“Kjo marrëveshje besoj është pjesë e çmimit që Kosova duhej të paguante për lirinë e saj, pjesë e paralajmëruar, e parashikuar. Tre vjet vend-numëro për patriotizëm tallava, për patriotizëm tavolinash e mejhanesh, për shtirje patriotike për trimëri pas Kuvendit. Kush nuk ishte dakord nuk sakrifikoi asgjë për idenë e vet, për bindjen e vet. Askush nuk kapi pushkën ta mbrojë këtë copë Kosovë. Ata që u betuan rrejshëm se nuk e miratojmë demarkacionin e miratuan për hir të karriges së pushtetit sepse pushteti është më i lakmueshëm se territori”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, e gjitha ka mundur të përfundojë tre vite më parë, por partizanët bënë luftë e rrëzuan LDK-në dhe morën pushtetin, derisa kauza për kufi ishte e rrejshme.

“Kjo gjë ka mundur të bëhej para tre viteve por partizanët siç bënë luftën kundër Rugovës me ia marrë pushtetin se luftën për liri e bënte më shumë Amerika, edhe për marrëveshjen bënë luftë me heqë nga pushteti LDK-në dhe ja ku del se nuk ka qenë qëllimi i kufirit por i pushtetit.  Unë prita se do të ketë shumë dorëheqje tash në Kosovë por nuk po guxon askush ta lëshojë karrigen”, vlerëson Shahu.

Ndërsa, sa i përket skenave me gaz lotsjellës të Vetëvendosjes, ai thotë se askush nuk bëri asgjë por vetëm luftë fjalësh dhe sipas tij, Kosovën e duan më shumë miqtë se sa partizanët e rrejshëm.

“Skenat me gaz lotsjellës të VV-së janë shfaqje e radhës të patriotizmit tallava. Askush nuk e pati seriozisht me sakrifikua diçka për atë territor, por të gjithë bënë luftë fjalësh. E atdheu nuk mbrohet vetëm me fjalë. Në fund duket se duhet të bindemi se ndoshta Kosova ka miq që e duan më shumë Kosovën se sa partizanët e saj që bëjnë be rrejshëm se e duan Kosovën dhe e ngatërrojnë Kosovën me pushtetin”, ka përfunduar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat