Bisedime të fshehta me Vuçiqin, opozita kërkon shkarkimin e Thaçit

Politika

Bisedime të fshehta me Vuçiqin, opozita kërkon shkarkimin e Thaçit

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 27 mars 2018 Në ora: 14:32
Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuqiq

Përfaqësuesit e partive opozitare dhe analistë politik në vend kërkojnë nisjen e një procedure për shkarkimin e presidentit, Hashim Thaçi nëse dalin fakte se ai ka biseduar fshehtas me zyrtarët serb për ndarjen e Kosovës.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mund të përballet me procedurën për shkarkimin e tij, nëse vërtetohet se ai ka biseduar fshehtas me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq për ndarjen e Kosovës.

Presidenca nuk ka dhënë përgjigje me shkrim ne pyetjet e gazetës “Bota sot” se cila është e vërteta lidhur me këtë çështje, por javën e kaluar prestigjiozja austriake “Der Standard” njoftoi se dy krerët e shteteve ishin përfshirë në bisedime për ndarjen e Kosovës, por që ky opsion ishte ndaluar pas intervenimit të Berlinit.

Kurse, një zyrtar, në kushte anonimiteti i ka thënë kësaj të përditshme se ka frikë se Thaçi dhe Vuçiqi mund të flasin në kanale tjera rreth ndarjes së Kosovës.

Nga ana tjetër, deputetët e partive opozitare nuk përjashtojnë mundësinë e fillimit të iniciativës për shkarkimin e presidentit, nëse dalin fakte që vërtetojnë pretendimet e gazetës austriake.

Image
Naser Osmani

Thaçi mund të shkarkohet nëse vërtetohet kjo aferë

Duke folur për çështjen në fjalë, deputeti i LDK-së, Naser Osmani thotë se i pari i vendit duhet të deklarohet për opinionin publik për këto pretendime.

“Unë jam i rezervuar nëse ka pasur bisedime të fshehta ndërmjet presidentit, Hashim Thaçi me zyrtarët serb. Por, unë mendoj se ai duhet të deklarohet lidhur me këtë në opinionin publik”, thotë Osmani për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo i tejkalon kompetencat e tij si president, nëse është e vërtetë dhe kjo mund të destabilizojë shtetin e Kosovës.

Madje, ai nuk e përjashton mundësinë për nisjen e një procedure në Kuvend për shkarkimin e tij, në rast se vërtetohet përfshirja e tij me zyrtarët e Beogradit për ndarjen e Kosovës.

“Unë nuk e di se a mund të bëhet thirrja e një seance interpelancë për presidentin, por nëse ai përfshihet në veprime të tilla mund të fillojnë procedurat për dorëheqjen e tij”, shtoi Osmani për “Bota sot”.

Sipas nenit 91 të Kushtetutës së Kosovës, Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Kurse, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit.

Image
Ali Lajçi

Lajçi: Thaçi të flas publikisht për këtë pretendime

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi thotë presidenti, Hashim Thaçi duhet të flas se cila është e vërteta rreth pretendimeve për bisedime të tij të fshehta për ndarje të Kosovës.

“Prandaj, unë konsiderojë se është më se e nevojshme që ai të jap llogari para deputetëve të Kuvendit për këto bisedimet e fshehta që po flitet në media dhe për ecurinë e procesit të bisedimeve në Bruksel”, thotë Lajçi për “Bota sot”.

Presidenti Thaçi të premten është takuar në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiq ku temë e bisedimeve ka qenë themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurse, të hënën i pari i shtetit ka pritur në takim Kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli. Në këtë takim u arrit dakordimi mes palëve që të krijohet një grup punues, i cili do të draftojë statutin e Asociacionit së komunave me shumicë serbe.

“Në takim u konkludua për ta krijuar një Grup Punues të gjerë institucional, i cili do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë, për draftimin e Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në njoftim për media të Presidencës.

Image
Faton Mehmeti

Edhe analisti Mehmeti kërkon të iniciohet shkarkimi i presidentit

Analisti Faton Mehmeti thotë se pjesëmarrja e presidentit në bisedime e Brukselit përben rrezik për vendin.

“Tani e tutje çdo pjesëmarrje e Thaçit në bisedimet me Serbinë është e rrezikshme për vendin, duke pasur parasysh proceset në të cilat pritet të ndodhin në Kosovë, me Gjykatën Speciale në prag të derës, kontrabandimi i interesit personal në dëmë të vendit është më i dukshëm se kurrë”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

“Në këtë logjikë duhet parë edhe roli i Hashimit në këto procese, andaj opozita duhet të reagojë me shpejt. Hapi i pare duhet të jetë interpelanca, e pastaj edhe të iniciohet shkarkimi i tij nga pozita e të parti të vendit, me arsyetimin e vënies së interesave personale mbi atdheun”.

Sipas tij, bisedimet e fshehta, janë çdo herë të rrezikshëm duke njohur naivitetin dhe dhelpërinë e Thaçit për të kalkuluar me interesat e vendit, në favor të shpëtimit të lëkurës së tij.

“Tani për tani, Thaçi është njeriu më i rrezikshëm për vendin, andaj duhet të jemi vigjilent si shoqëri, mbi të gjitha opozita duhet të ushtrojë presion që ky njeri të shkarkohet, pasi po dëmton rënd atdheun. Nuk i mjaftoi falja e tokës Malit të Zi, dhe tani dëshiron që ta ushqej apetite e Serbisë karshi Kosovës”, shtoi Mehmeti për “Bota sot”.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Kuvendi të thërras një mbledhje urgjente për Thaçin

Edhe profesori universitar i shkencave juridike, Muhamet Kelmendi thotë se Kuvendi duhet të thërras një mbledhje vetëm për veprimet e shefit të shtetit.

“Gazeta “Der standard” tregon ndikimin e Merkelit në tentim të ndalimit të ndarjes së Kosovës nga Hashim Thaçi dhe në të njëjtën kohë konstaton se kemi të bëjmë me një person që është president i Kosovës, i cili i shërben shumë ilegalitetit dhe lëvizjeve jashtë syrit të qytetarëve të shtetit”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

“Natyrisht se kjo e detyrën Kuvendin e Kosovës që të thërras një mbledhje urgjente në mënyrë që presidenti i vendit para deputetëve ta sqaroj lidhur me të gjitha proceset për të cilat janë deklaruar në gazetën në fjalë”.

Sipas tij, kjo gjë është mjaft serioze dhe paraqet rrezik për tërësinë territoriale të Kosovës.

Kërkohet që Thaçit t’i ndalohet vazhdimi i bisedimeve ne Bruksel

Kelmendi: Kuvendi t’ia ndalojë Thaçit bisedimet e Brukselit në të ardhmen

Kelmendi thotë se Kuvendi duhet t’ia ndalojë presidentit që ai të marrë pjesë në bisedimet e Brukselit.

“Unë mendoj që Kuvendi i Kosovës është momenti i fundit që t’ia ndalojë presidentit Thaçi çfarë do komunikimi me palën serbe, sidomos me Vuçiqin të karakterit politik, juridik. Thjesht atij duhet t’i ndalohen takime të tilla, sepse ai i ka sjell shumë çështje të dëmshme Kosovës, siç është asociacioni që sot ka filluar komisionin për themelimin e tij”, thotë Kelmendi.

Ai thotë se përpos dëmeve që ia ka bërë vendit në të kaluarën, ai rrezikon t’i sjell Kosovës edhe dëme në të ardhmen.

“Dëmet që i ka shkaktuar ai në të kaluarën ndaj këtij vendi, janë shumë të mëdha dhe ekzistojnë mundësia që dëme të tilla të shkaktojë edhe në të ardhmen”, shtoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat