LDK nuk do ta mbajë në këmbë Qeverinë Haradinaj

Politika

LDK nuk do ta mbajë në këmbë Qeverinë Haradinaj

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 mars 2018 Në ora: 21:00
Ramush Haradinaj

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka thënë shumë qartazi qëndrimin e vet dje dhe në mbledhje, qëndrimi i kryesisë përkrahet edhe nga LDK-ja, nuk besoj që LDK-ja duhet të mbajë një qeveri në këmbë, të cilës prej fillimit i kemi thënë se kjo qeveri nuk duhet të jetë në këtë formë. Zgjidhja që do të duhet të bëhej është që të ulen të gjitha partitë politike dhe të gjejnë një rrugëzgjidhje, një rrugë për të ecur përpara”, ka theksuar Xhafer Tahiri.

Nuk ka kaluar ende një vit që nga rrëzimi i qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa, nga të gjitha partitë që tani janë në pushtet, ndërkaq tani me largimin e Listës serbe diskutohet “mundësia” që LDK-ja të jetë bashkëqeverisëse me partitë të cilat kanë nënshkruar mocion për rrëzimin e saj.

Qeverisja Haradinaj është kritikuar, jo vetëm për shkak të mënyrës se si ka arritur në pushtet, por edhe për shkak të varësisë nga Lista serbe.

Kjo e fundit duke “kërcënuar” qeverinë me votat e saj, në procese të rëndësishme të Kosovës, siç ka qenë çështja e demarkacionit, tashmë ka marrë një hap të ri.

Koalicioni i pakicës

Lista serbe të martën ka njoftuar edhe zyrtarisht largimin e tyre nga koalicioni qeverisës dhe kjo e gjitha pas arrestimit të shefit të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq.

Kryetari i Listës, Goran Rakiq, ka njoftuar se kanë vendosur të largohen nga Qeveria e Kosovës, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Pas këtij vendimi, koalicionin qeverisës e përbëjnë vetëm partitë shqiptare Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e re.

Duke mos pasur shumicën parlamentare, kryeministri Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqje, ndërkaq në media është raportuar që koalicionit qeverisës mund t’i bashkangjitet LDK-ja.

Këtë e ka mohuar Lidhja Demokratike e Kosovës, duke thënë se asnjë formulë tjetër, përveç votës së qytetarëve, nuk do t'i japë legjitimitet dhe pushtet LDK-së, për të qeverisur me Republikën.

Përmes një komunikate për medie, ata kanë deklaruar se nga opozita do t’i mbrojnë institucionet.

Sipas tyre, LDK-ja nuk do të mbajë në këmbë një Qeveri të cilës prej fillimit i kanë thënë se nuk duhet të jetë në këtë formë.

Image
Xhafer Tahiri

Tahiri: Nuk besoj që LDK-ja duhet të mbajë në këmbë qeveri

Kryetari i Vushtrrisë dhe anëtari i LDK-së, Xhafer Tahiri, ka thënë për “Bota sot” se një qeveri që nuk e ka pasur shumicën shqiptare në vend, nuk mund të jetë stabile.

Kjo gjendje e një paqartësie politike, sipas Tahirit, ndikon edhe në zhvillimet politike dhe ekonomike të Kosovës.

“Natyrisht se një qeveri duhet ta ketë shumicën në vend dhe ka qenë e qartë që nga fillimi që një qeveri e cila nuk e ka shumicën shqiptare solide në Kuvendin e Kosovës nuk mund të jetë një qeveri stabile dhe kjo është vërtetuar tani, ky jostabilitet politik po i sjellë dëme Kosovës. Kjo gjendje e një paqartësie politike natyrisht që i pengon zhvillimet politike, i pengon zhvillimet ekonomike të Kosovës, sepse sektorët e huaj hezitojnë të vijnë të investojnë në një vend që ka pasiguri politike të kësaj natyre siç e kemi ne, domethënë jo stabilitet qeveritarë dhe investorë të huaj duan stabilitet qeveritar, një garancion për investimin e tyre për paratë e tyre që investojnë në Kosovë, ky stabilitet sigurisht që do të dëmtojë drejtpërdrejt mirëqenien sociale të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.

Ai zgjidhje të situatës ka konsideruar bisedimet në mes partive politike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës e ka thënë shumë qartazi qëndrimin e vet dje dhe në mbledhje, qëndrimi i kryesisë përkrahet edhe nga LDK-ja, nuk besoj që LDK-ja duhet të mbajë një qeveri në këmbë, të cilës prej fillimit i kemi thënë se kjo qeveri nuk duhet të jetë në këtë formë. Zgjidhja që do të duhet të bëhej është që të ulen të gjitha partitë politike dhe të gjejnë një rrugëzgjedhje, një rrugë për të ecur përpara”, ka theksuar Tahiri.

Qeveria Mustafa, është rrëzuar si pasojë e një mocioni mosbesimi të iniciuar nga Nisma për Kosovën, e të përkrahura nga pjesa tjetër e opoitës si dhe PDK dhe Lista serbe.

Mocioni ishte mbështetur nga 78 vota. Pas mocionit të mos besimit, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e sheh të sinqertë t’i kërkohet ta mbajë këtë qeveri.

Xhafer Tahiri, anëtar i LDK-së, ka pohuar të gjitha partitë kanë rrëzuar qeverinë e suksesshme të LDK-së dhe tani nuk mund të kërkohet bashkëqeverisje.

“Unë shoh një jo sinqeritet të atyre që thonë që LDK-ja duhet ta mbajë në këmbë këtë qeveri, nuk mund t’i kërkohet as LDK-së, e askujt tjetër një veprim i tillë dhe kjo për faktin që ne i kemi parë se si kanë vepruar në momentin kur të gjitha partitë së bashku edhe me Listën serbe kanë votuar rrëzimin e Qeverisë Mustafa. Kjo qeveri ishte e suksesshme në të gjitha parametrat e saj, sepse janë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave në atë kohë, përveç demarkacionit. Ne kemi pasur reformën më të madhe fiskale nga e cila kanë përfituar drejtpërdrejt bizneset, është hequr TVSH-ja, është hequr dogana për teknologjinë dhe për mallra të lëndës së parë që ka arritur dhe kjo ka shkaktuar drejtim tepër të madh drejt prodhuesve vendor, por të gjitha partitë janë bashkuar për ta rrëzuar këtë qeveri të sukesshme të LDK-së dhe tani është shumë e pasinqertë t’i kërkojnë LDK-së ta mbajë në këmbë këtë qeveri, nëse një qeveri do të duhej të funksiononte është nëse e ka shumicën dhe këtë shumicë e arrinë përmes zgjedhjeve”, ka shtuar Tahiri.

Image
Blerim Burjani

LDK duhet të kërkojë shkarkimin e Qeverisë

Ndërsa, analistët politikë pohojnë për “Bota sot” se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk duhet të hyjë në Qeveri aktuale, gjersa shtojnë se ajo të humbasë shumë në rast se bënë një veprim të tillë.

Analisti politik, Blerim Burjani, ka deklaruar se LDK-ja mund ta shpëtojë një Qeveri më të dobët në historinë e Kosovës, por nuk ia vlen të hyjë në një qeveri analfabetësh.

“LDK e ka të vështirë zyrtarisht të hyjë në koalicion që do të ishte edhe më shumë e dëmshme për të si subjekt politik. LDK në një format tash duket të jetë në një koalicion të gjerë pres saj pritet të zgjidhet problemi i asociacioanit që priten të ipen votat e saj për këtë temë, pastaj tema e themelimit të ushtrisë, LDK po shpëton një qeveri më të dobëtën në historinë e Kosovës pa ndonjë arsye dhe bazë, duket të jetë e panjohur veprimi i LDK-së dhe i pa kuptueshëm. LDK duhet sa më parë të merret me këtë qeveri të dobët që të kërkojë shkarkimin e saj përndryshe bëhet pjesë forma e saj dhe politikisht humbë plotësisht, edhe po të hyjë në koalicion LDK nuk i kthehet posti i marrë nga PDK i kryeministrit atëherë nuk ia vlen fare të hyjë në një qeveri analfabetësh të kotë”, ka pohuar Burjani.

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, Faton Mehmeti analist politik, mendon se LDK-ja nuk duhet të bëjë gabime të së kaluarës dhe si opozitë nuk është e detyruar ta ndihmojë qeverinë.

Hyrja në qeveri me Haradinajn dhe Veselin, sipas Mehmetit, do ta dëmtonte LDK-në.

“Mendoj se LDK nuk duhet të bëjë gabime si në të kaluarën, duke u shndërruar në patericë të pushtetit. Nuk është detyrë e opozitë  të ndihmojë qeverinë, përkundrazi është detyrë për ta rrënuar atë. Hyrja e mundshme e LDK në koalicion me Ramushin e Kadriun, do e dëmtonte shumë. Në këtë mes LDK s’duhet të bëjë pazare, por të kërkojë shkuarjen në zgjedhje, me një koalicion me të gjerë për të ardhur në pushtet. Kjo qeveri do të rrëzojë vetveten, pasi nuk mund të mbijetojë kështu. Qeveria ka rënë në momentin që Lista Srpska është tërhequr, në sensin që tanimë shumicë është opozita. S’ka logjikë të funksionojë qeveria, derisa nuk e ka shumicën në kuvend. Kjo është lojë e Thaçit dhe Kadriut, të cilët e përdoren Ramushin si karrem për të kaluar demarkacionin. Tanimë e kanë në dorë dhe do të luajnë me të, në lojëra të cilat LDK nuk guxon të futet dot”, ka shtuar Mehmeti.

Image
Mentor Tahiri

Pasoja për LDK-në dhe partitë tjera

Sikurse analistët tjerë, edhe politologu Mentor Tahiri mendon se LDK-ja nëse hynë në këtë Qeveri, nuk e dëmton vetveten, por edhe partitë tjera.

“Aktualisht de fakto, Kosova ka një qeveri pakicë e cila nuk mbështetet nga një shumicë parlamentare. Lëvizjet e Listës Serbe, po shpërfaqin edhe njëherë pakuptimësinë e mënyrës me të cilën u formua kjo qeveri. Që në fillim, kjo qeveri e la popullin shqiptar të Kosovës në opozitë, kur atëherë 59 deputet shqiptarë mbetën në opozitë, kurse vetëm 41 ishin pjesë e mazhorancës. Lidhur me kërkesat që LDK të bëhet pjesë e qeverisë dhe ashtu të shpëtojë jetëgjatësinë e këtij ekzekutivi, besoj që kjo nuk i kontribuon jetës politike në Kosovë. Vendi sot ka nevojë për parti politike të cilat pjesëmarrjen e tyre në qeveri e shohin si rezultat të koncepteve programore dhe legjitimimit elektoral, e assesi jo për parti të cilat thjeshtë synojnë pushtetin me çdo kusht. Nëse bëhet pjesë e kësaj qeverie, LDK nuk do të dëmtoj thjeshtë vetveten, por do të dëmtojë edhe partitë në pushtet, ngase nuk do t’iu mundësonte të njëjtave që të reflektojnë dhe eventualisht të zhvillojnë një demokraci të brendshme. Kosova ka nevojë për një skemë politike të cilës qartë i alokohet edhe përgjegjësia, e aspak për një skenë politike që ekzistimin e saj e mbështet në kalkulime matematikore brenda Kuvendit. Rezultatet e kësaj të fundit, po shihen”, ka theksuar Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat