Asociacioni nxit tensione të reja ndëretnike

Politika

Asociacioni nxit tensione të reja ndëretnike

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 29 mars 2018 Në ora: 07:42
Foto ilustrim, Aksioni i Policisë në Veri të Kosovës

Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, mund t’i kushtojë Kosovës, me tensione të reja me Serbinë. Kështu kanë paralajmëruar njohës të çështjeve të sigurisë dhe të politikës, të cilët konsiderojnë se grumbullimi i serbëve në këto komuna, do të trazojë edhe pjesën shqiptare, duke theksuar se Kosova po shkon drejt ndarjes.

Derisa institucionet e Kosovës, janë zotuar se do të përmbushin marrëveshjen e arritur në Bruksel për formimin e Asociacionit, përfaqësuesve të komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë, po u ngutet formimi i tij.

Në një takim të mbajtur gjatë ditës së mërkurë, ata i kanë dhënë ultimatum institucioneve  të Kosovës, që të themelojnë Asociacionin deri më 20 prill. Në të kundërtën, ata do të bëjnë vet një gjë të tillë.

Por, Qeveria e Kosovës, përmes një reagimi për media, ka thënë se asnjë nismë, e cila nuk është e bazuar në ligjet dhe procedurat demokratike të Republikës së Kosovës, nuk do të implementohet dhe nuk do të respektohet.

“Asociacioni është obligim që Kosova e ka marrë në procesin e Brukselit dhe i cili do të implementohet në të ardhmen e afërt. Asnjë nismë, e cila nuk është e bazuar në ligjet dhe procedurat demokratike të Republikës së Kosovës nuk do të implementohet dhe nuk do të respektohet”, thuhet në përgjigjen e zyrtarëve për informim të kryeministrit.

E ekspertët e sigurisë, kanë paralajmëruar se do të ketë tensione të reja ndëretnike, në rast të formimit të ASK-së.

Image
Drizan Shala

Shala: Do të ketë tensione të reja

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, eksperti i sigurisë Drizan Shala, ka thënë se ASK do të duhej formuar para 3 viteve, në bazë të obligimeve ndërkombëtare të Kosovës.

Mirëpo, ai ka thënë se ASK nuk mund të jetësohet pa u bërë ndryshime në disa pika nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.

“Kosova ka përmbyllur obligimet e saj ndërkombëtare ndaj marrëveshjeve dhe kështu edhe ASK-ja është një proces, i cili do duhej të ishte përfunduar para 3 vite dhe kështu të ecte Kosova një hap para normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Për ASK-në kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka cilësuar se disa pika duhen të ndryshohen dhe të përshtaten me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe me pastaj të jetësohet”, është shprehur ai.

Ndërkohë, Shala ka pohuar se Serbia ka nisur një fushatë sulmesh ndaj institucioneve të Kosovës, derisa ka paralajmëruar tensione të reja mes të dyja vendeve.

“Lidhur me krijimin e tensioneve, kjo po shihet që nga vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq dhe pastaj sulmin ndaj pjesëtarëve të FSK-së dhe së fundi edhe arrestimi i Marko Gjuriqit nga ana e Policisë së Kosovës. Dhe Beogradi zyrtar nuk do e lë vetëm me këtë, sepse ka filluar një fushatë sulmesh asimetrike kundrejt institucioneve dhe rendit të Kosovës. Dhe pritet edhe në të ardhmen të kemi tensione të tilla”, ka thënë për “Bota sot” Drizan Shala.

Image
Naim Miftari

Kosova drejt ndarjes?

Ndërsa, sipas ish-eprorit të UÇK-së dhe ish-anëtarit të SHIK-ut Naim Miftari, Kosova po shkon drejt ndarjes. Ai për këtë ka fajësuar presidentin e vendit Hashim Thaçi, Kuvendin dhe partitë politike në Kosovë.

“Kosova po ndahet me ndihmën e Thaçit dhe parlamentit tonë, partive politike dhe me ndihmën e qeverive tona. Kushtetuta e Kosovës është shkel në 23 nene me rastin e të ashtu quajturës Bashkësi e komunave serbe, që faktikisht janë kantone, pra Kosova po ndahet. Edhe pse u shkel Kushtetuta, askush nuk dha llogari nga pala shqiptare, nënshkruesit e atyre marrëveshjeve në Bruksel, që dirigjent kanë pasur Hashim Thaçin, pasi Edita Tahiri është nëpunëse e tij. Dhe shikoni, këto 20 vjetët e fundit ku ka marrë pjesë gjerë më sot në biseda për Kosovën Hashim Thaçi, Kosova ka dalë kokulur dhe e dështuar karshi Serbisë”, është shprehur Miftari.

Ai më tej ka thënë se Thaçi ia ka hapur dyert Serbisë për pranimin në Bashkimin Evropian.

“Më plotë përgjegjësi e them që Thaçi ia ka hapur dyert Serbisë për pranimin në Bashkimin Evropian dhe ia ka mbyllur Kosovës. Ju kujtohet fillimi i bisedave me Serbinë, kur gënjente presidenti Thaçi, Edita e shumë të tjerë se bisedat me Serbinë janë vetëm teknike, çka nuk është e vërtetë, sepse bisedat me Serbinë, janë armike dhe kurrë teknike, por biseda dhe marrëdhënie territorial”, ka shtuar Naim Miftari.

Image
Faton Mehmeti

Mehmeti: Arrestimi i Gjuriqit lidhet me Asociacionin

Ndërsa njohësi i zhvillimeve politike Faton Mehmeti, formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e lidh me arrestimin e Marko Gjuriqit, duke thënë se kjo është vepër e Thaçit dhe Vuçiqit.

Ai ka thënë për “Bota sot” se Asociacioni do të themelohet dhe se Kosova do të kantonizohet.

“Besoj se spektakli i arrestimit të Gjuriqit ishte i përgatitur, për të përshpejtuar Asociacionin me komunat serbe si dhe dobësimin e Ramushit në Qeveri. Kjo vepër u kurdisur nga Thaçi e Vuçiq, është në vazhdën e përpjekjeve të tyre për ndarje të vendit. Asociacioni do të bëhet shpejtë, dhe si I tillë Kosova do të kantonizohet”, ka thënë Mehmeti.

Sipas Mehmetit, formimi i ASK-së, do të trazojë edhe pjesët tjera shqiptare dhe  kësisoj, Kosova do të shkojë drejt ndarjes.

“Besoj se në veri do të ketë trazira të orkestruara nga Hashimi me Vuçiqin që do ta legjitimonin ndarjen. E gjitha është marrëveshje e arritur në Bruksel. Nga kjo gjë Thaçi përfiton imunitet nga ndjekja e drejtësisë, ndërsa Vuçiqi heq pengesën e quajtur Kosovë ndaj serbëve. Pra, e tëra është marrëveshje Thaçi-Vuçiqt. Asociacioni do të stabilizojë serbët, por Kosova asnjëherë nuk do të jetë e qetë. Grumbullimi i kriminelëve serb në këto komuna serbe, do të trazojë edhe pjesën shqiptare. De fakto, Kosova po shkon drejt ndarjes”, ka pohuar Faton Mehmeti.

Image
Faik Krasniqi

“Për një ulëse në OKB, Kosova po rrezikon veriun e saj”

Edhe sipas analistit politik Faik Krasniqi, fajtore për krijimin e ASK-së, janë partitë politike që kanë pranuar një gjë të tillë.

Ai ka thënë se Asociacioni do të ishte i pranueshëm, nëse edhe Serbia do të pranonte një të tillë për shqiptarët e Kosovës Lindore.

“Asociacioni i komunave me shumice serbe, zanafillën e saj e ka prej fillimit të bisedimeve në Vjenë. Pastaj, për të vazhduar gjatë bisedimeve në Bruksel. Kam frikën se ky Asociacion do të na del dardhë me bisht, dhe padyshim që fajtore për krijimin e saj janë partitë politike që kanë pranuar një gjë të tillë. Nëse Serbia do të pranonte një Asociacion edhe për shqiptarët në Kosovën Lindore, atëherë do të ishte në rregull”, ka pohuar Krasniqi.

Ai më tej ka theksuar se për një ulëse në OKB, Kosova po rrezikon pjesën veriore të saj.

“Ka rrezik që për një ulëse në OKB të na ik Veriu, dhe duke i njohur këta politikanë e bëjne një gjë të tillë, madje duke i hedhur hi syve popullit që Kosova nuk humb asgjë. Me këtë klasë politike, kemi rrezik edhe ta humbim Veriun, e pastaj të vajtojmë që nuk e shkëmbyem me rikthimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, ka shtuar për “Bot sot” Faik Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat