Misteri i heshtjes së Haradinajt, a e dinte me të vërtetë se do të arrestohej Gjuriqi?

Politika

Misteri i heshtjes së Haradinajt, a e dinte me të vërtetë se do të arrestohej Gjuriqi?

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 29 mars 2018 Në ora: 09:27
Ramush Haradinaj dhe arrestimi i Marko Gjuriq

Kryeministri Ramush Haradinaj reagoi 20 orë me vonesë për arrestimin e zyrtarit serb, Marko Gjuriqi, i cili hyri ilegalisht në territorin e Kosovës. Ky reagim i vonshëm nga ana e kryeministrit po konsiderohet se është bërë për shkak se ai po i frikësohej daljes së Listës Serbe nga koalicioni.

Frika se Lista Serbe do të dal nga koalicioni qeverisës, bëri që kryeministri, Ramush Haradinaj mos të reagojë me kohë lidhur me arrestimin e zyrtarit serb, Marko Gjuriq.

Policia e Kosovës të hënën arrestoi Marko Gjuriqi, i cili kishte hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Në momentin që u arrestua, ai po qëndronte në një tubim në Mitrovicën e Veriut së bashku me një delegacion nga qeveria e Serbisë.

Gjuriq u soll në stacionin e Policisë në Prishtinë, e më pas u depërtua nga të njëjtit deri në pikën kufitare në Merdare.

Për arrestimin e tij, të hënën pati reagimi nga të gjitha institucionet e shtetit dhe partitë politike me përjashtim të shefit të Qeverisë.

Tek pas 20 orëve, Haradinaj doli me një qëndrim zyrtar lidhur me ngjarjen në fjalë.

Ai njoftoi se vendimin për anulimin e vizitës së Gjuriqit e ka marrë Ministria e Jashtme që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli.

“Ministra e Jashtme e ka anuloi vizitën e Gjuqiqit në Kosovë. Në këtë rast aktivizohet misioni i rendit. Kjo është zbatim i ligjit sepse nuk na është dhënë rrugë tjetër. Kam qenë në dijeni të procesit”, është shprehur kryeministri në konferencë për media.

Image
Nexhat Haziri

Arrestimi i Gjuriqit e zuri Haradinajn në befasi

Ndonëse Haradinaj është prononcuar se ai ka qenë në dijeni me aksionin për arrestimin e Gjuriqit, analistët politik e mendojnë të kundërtën.

Ata thonë se kryeministri është zënë në befasi sa i përket këtij aksioni policor.

“Mendoj se kryeministri Haradinaj është zënë në befasi sa i përket zhvillimeve të fundit në veriun e vendit dhe arrestimin e zyrtarit serb Gjuriq. Siç duket Haradinaj nuk ishte konsultuar fare për këto zhvillime të cilat janë sajesë e dyshes se presidenteve, Thaçi dhe Vuçiq, të cilëve iu është nevojitur për konsum të brendshëm politik një spektakël i tillë, pasojat e së cilit mund t’i shohim në ditët në vazhdim”, thotë për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

Sipas tij, tanimë Haradinaj është duke i bërë kalkulimet se cila do të jetë goditja ndaj tij pas daljes së Listës Serbe nga koalicioni qeverisës.

Zyrtarët e Listës Serbe të martën pas takimit që mbajtën me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq përmes një konference për media kanë bërë të ditur se ata nuk do të jenë më pjesë e ekzekutivit.

Arsyetimi i tyre për dalje nga koalicioni ishte se Policia e Kosovës ka përdorur dhunë ndaj përfaqësuesve serb, gjatë aksionit për arrestimin e Gjuriqit.

Image
Bajram Gecaj

Ngjashëm me Gjuriqin, Haradinaj heshti edhe për rastin Rikallo

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj thotë se prej fillimit të mandatit, ekzekutivi ka qenë i varur nga votat e listës Serbe.

“Unë çdo herë kam theksuar se kjo qeveri varet plotësisht nga Lista Serbe, rrjedhimisht nga Aleksandër Vuçiq”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

Qeveria Haradinaj së bashku me Listën Serbe kishte gjithsej 61 vota. Këto vota i siguruan Qeverisë, shumicën minimale për të qeverisur me vendin.

Por ekzekutivi i Haradinaj u shndërrua në një institucion i varur plotësisht nga Lista Serbe.

Kjo është arsyeja që sipas Gecajt, Haradinaj heshti në disa raste të rëndësishme për vendin.

“Prandaj besoj se, ashtu si në rastin Rikallo, edhe tani kemi një heshtje të tillë të Kryeministrit Haradinaj.

Kujtojmë, se ministri i deri tanishëm i Bujqësisë nga Lista Serbe, Nenad Rikallo me të ardhur në krye të këtij dikasteri u akuza nga disa banorë të lagjes “Dardania” për maltretim të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovës.

Publikimi i këtij lajmi ngriti një reagim të ashpër në opinion publik në vend.

Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës thirri në Interpelancë kryeministrin Ramush Haradinaj, për ta informuar Kuvendin mbi akuzat publike të shfaqura ndaj ministrit në fjalë.

Në këtë seancë, kryeministri jo që nuk morri një vendim për shkarkimin e Rikallos, por ai u vë në mbrojtje të tij.

Haradinaj në këtë seancë kishte thënë se nuk ka prova se vartësi i tij ka qenë i përfshirë në keq trajtimin e shqiptarëve.

“Drejtoria për inteligjencë e MPB-së ka thënë se nuk ka raste të raportuara në sistemin informativ të Policisë së Kosovës. Nga Prokuroria tha se përgjigja e tyre ka qenë se në lidhje me kërkesën e ministri serb nuk evidentohet asnjë shënim me informacionet për Nenad Rikalon, kurse AKI-ja ka thënë se kur ka të dhëna të karakterit të tillë ne i dorëzojmë në Prokurorinë e Shtetit. AKI-ja nuk ka dorëzuar asnjë informatë për veprën e dyshuar për krime lufte për Rikalon", pati thënë Haradinaj.

Image
Fadil Lepaja

Haradinaj duhet të qartësohet kush po qeverisë në këtë vend

Edhe publicisti tjetër, Fadil Lepaja hedh dyshimi se a ka qenë në dijeni kryeministri lidhur me urdhrin për aksionin e policisë për arrestimin e Gjuriqit.

“Unë mendoj se, përpara se të komentohet diçka rreth kësaj çështje, Haradinaj duhet të njoftoj opinionin se a ka qenë në dijeni të ndërhyrjes në veri, pasi që ai ka qenë, i angazhuar, së paku nga mediat sa shihet, me aktivitete krejt tjera. Nëse nuk ka qenë, duhet të qartësohet kush po qeverisë në këtë vend”, thotë Lepaja për “Bota sot”.

Në të kundërtën, Lepaja thotë se kryeministri duhet të vlerësojë se ja vlen për të ndenjur ende në krye të ekzekutivit.

“Nëse, Haradinaj, nuk ka qenë në dijeni, për këtë ndërhyrje, dhe nuk i kontrollon dot ministrat e vet, duhet ta mendoj se a ja vlen të rrijë në krye të qeverisë”, deklaroi Lepaja.

Haziri: Thaçi mund të përfitojë nga zhvillimet e fundit në veri

Nga ana tjetër, analisti politik Nexhat Haziri thotë se fituesi më i madh nga zhvillimet e fundit në veri mund të jetë presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Sipas tij, presidenti mund të përfitojë nga kjo ngjarje për të forcuar pozitën e tij politike apo për të shtyre ngritjen e aktakuzave të Gjykatës Speciale.

“Por ajo që dua të them është se ky spektakël, apo lojë e rrezikshme me zhvillimin e ngjarjeve në veri, do të mund të shfrytëzohet nga Thaçi për ta përforcuar pozitën e tij politike si dhe një tentim i tij për ta vonuar sa me shume ngritjen e aktakuzës nga Gjykata Speciale ndaj tij, thotë Haziri për “Bota sot”.

Dyshime për një koordinim të mundshëm ndërmjet presidentit Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiq janë ngritur edhe politikanë dhe analistë në Kosovë dhe në Serbi.

Gazeta ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të presidencës për të marr një qëndrim lidhur me këto dyshime, por askush nuk është përgjigjur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat