Mbështetja e SHBA për ushtrinë e Kosovës ka alarmuar Serbinë

Politika

Mbështetja e SHBA për ushtrinë e Kosovës ka alarmuar Serbinë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 29 mars 2018 Në ora: 12:37
FSK

“Deklaratat e zyrtarëve të SHBA -ve në mbështetje të formimit të  ushtrisë sigurisht se i ka alarmuar zyrtarët serb. Ata do të përpiqen që në çdo formë t’i pengojnë progreset në Kosovë e këtë rast edhe formimin e ushtrisë së Kosovës duke e futur në lojë edhe Rusinë”, thotë Xhemajlaj për “Bota sot”.

Tema e Demarkacionit, e cila ishte tema më e përfolur gjatë tri viteve të fundit në Kosovë. Por, kjo teme tashmë ka përfunduar, dhe tash pritet të zgjidhen tjera projekte të rëndësishme për Kosovën.

Njëra ndër to është edhe formimi i ushtrisë së Kosovës. Kjo çështje e fundit duket se i ka tensionuar mjaftë shumë serbët. Kjo pasi që, zyrtarët serbë janë shprehur mjaftë të tensionuar dhe kundër formimit të ushtrisë së Kosovës.

Madje, kryetari i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i ka ftuar serbët nga Kosova të mos marrin pjesë në formimin Ushtrisë së Kosovës.

“Ata nuk po shkojnë vetëm në jug, po shkojnë edhe në veri për të na i blerë të rinjtë tanë. Thonë, ja kaq i ke para të gatshme, bëju pjesë e Ushtrisë”, ka thënë ai.

Kurse, ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka thënë se Kosova nuk mund të themelojë ushtrinë e saj për shkak se këtë gjë nuk e parasheh Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244.

“Kur flasim për ushtrinë e Kosovës, dokumentet e Këshillit të Sigurimit janë në fuqi. Nëse dikush dëshiron t’i ndryshojë, duhet të bëhet në formatin e njëjtë, në seancat e Këshillit të Sigurimit. Rezoluta 1244 ose ndonjë tjetër dokument nuk parashohin themelim të ushtrisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Por se sa do të ndikojnë këto thirrje të Serbisë kundër ushtrisë së Kosovës?

Image
Isa Xhemajlaj

Serbet pa ndikim

Lidhur me këtë, Zëvendësministri i Punëve të Brendshme nga radhët e Nismës Socialdemokrate Isa Xhemajlaj, thotë se serbët janë alarmuar nga deklarata e zyrtarëve të SHBA-së për formimin e ushtrisë së Kosovës.

“Deklaratat e zyrtarëve të SHBA -ve në mbështetje të formimit të  ushtrisë sigurisht se i ka alarmuar zyrtarët serb. Ata do të përpiqen që në çdo formë t’i pengojnë progreset në Kosovë e këtë rast edhe formimin e ushtrisë së Kosovës duke e futur në lojë edhe Rusinë”, thotë Xhemajlaj për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka thënë se serbët do të kenë pak ndikim në formimin e ushtrisë.

“Ofensivat  politike të Serbisë do kenë pak ndikim në formimin e  Ushtrisë së Kosovës, sepse kjo çështje varet shumë nga qëndrimet e  SHBA-ve dhe  NATO-së, të cilat janë prezente në Kosovë”, theksoi ai.

Image
Gjergj Dedaj

Serbia nuk mund ta parandalojë formimin e ushtrisë

Kurse, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj, deklaron për “Bota sot” se Serbia nuk mund ta ndalojë formimin e ushtrisë, siç nuk mundi ta ndalojë as lirinë dhe pavarësinë e saj.

“Ushtria e Kosovës do të formohet dhe Serbia këtë nuk mund ta parandalojë me asnjë mjet, siç nuk mundi ta parandalojë as pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Serbia duhet të heqë dorë nga ëndrrat, mitet dhe tendencat provokative e konfliktuoze duke mos u invlovuar në çështjet e brendshme të Kosovës”, ka theksuar ai.

Dedaj tha po ashtu se ushtria e Kosovës do të jetë faktori kyç i stabilitetit të Kosovës dhe rajonit.

“Çdo shtet i pavarur dhe sovran ka forcat e rendit, të sigurisë, policinë dhe ushtrinë e vetë, për të mbrojtur paqen, sovranitetin, stabilitetin dhe rendin kushtetues e këtë do ta ketë edhe Kosova. Ushtria e Kosovës do jetë faktor kyq i stabilitetit të Kosovës dhe rajonit dhe në një të ardhme edhe anëtare e Aleancës Veriatlantike të NATO-së”, thekson Dedaj për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyqi

Ushtria e Kosovës domosdoshmëri

Ndërkaq, profesori dhe njohësi i zhvillimeve politike, Enver Bytyqi thotë se ushtria e Kosovës tashmë është domosdoshmëri, sa më shumë marrin përparësi çështjet gjeopolitike në rajonin tonë, aq më e ngutshme bëhet krijimi, organizimi i ushtrisë, si dhe forcimi i aftësisë mbrojtëse të Kosovës.

“Serbia dhe serbët janë në një dilemë të papërsëritshme. Kurrë në historinë e 300 viteve të fundit nuk ua ka vënë dikush alternativën: O me ne (Perendimin), ose me Rusinë. Alternativë e vetme në çeshtjet e sigurisë dhe strategjisë politike e ushtarake ka qenë gjithmonë Rusia. Bën përjashtim vetëm periudha e sundimit të komunizmit autoritar nën Titon. Pork y përjashtim vokalisht nuk ndikoi aq shumë te populli serb”, thekson ai.

Profesor Bytyçi shton se emisarët amerikanë dhe gjermanë e kanë vënë Beogradin në pozitë të vështirë, të pranojnë humbjen e Kosovës.

“Nëse Serbia do ta pranojë këtë, dmth nëse ajo do të pajtohet për të lejuar anëtarësimin e Kosovës në OKB atëherë si shenjë të parë do të japë miratiin, votën e saj, dmth të Listës Srpska, për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Nëse do të pozicionohet kundër orientimit perendimor, atëherë Beogradi dhe Lista Srpska nuk do ta pranojnë forimimin e ushtrisë së Kosovës. Unë nuk besoj se Serbia do të ankorohet përsëri edhe më tej në portin e Kremlinit. Megjtihatë, mund të ndodh gjithçka në këtë Ballkanin tonë të çmendurive politike”, ka theksuar ai.

Ai thotë se duhet edhe vota e serbëve për formimin e ushtrisë së Kosovës, madje vota e tyre duhet edhe për ndryshimet kushtetuese.

“Serbët jo vetëm ndikojnë, por me kushtetutën e Kosovës do të duhet vota e tyre për krijimin e ushtrisë. Ushtria është subject dhe institucion kushtetues. Kushtetuta ndryshon vetëm më 2/3 e votave të parlamentit si tërësi dhe 2/3 e votave të minoriteteve. Pra, duhet patjetër vota e Listës Srpska për ndryshimet kushtetuese dhe krijimin e ushtrisë si element kushtetues. Por e thashë, do të shohim në muajt e ardhshëm deri nga vera, se si do të orientohet politika e Beogradit”.

Ai thekson po ashtu se kjo nuk do të thotë se ushtria e Kosovës nuk do të formohet, nëse Beogradi orientohet në një aleancë strategjike me Rusinë.

“Thjesht do të kërkojë më shumë kohë. Shteti I Kosovës nuk zhbëhet më. Ndërkohë liderët politikë të Kosovës nuk duhet të manipulojnë sentimentin e qytetarëve të Kosovës me këtë temë, thjesht për interes të votave në elektorat”, ka përfunduar  Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat