Alarmon juristi i njohur: Ja pse Asociacioni serb do të shkatërrojë territorin e Kosovës

Politika

Alarmon juristi i njohur: Ja pse Asociacioni serb do të shkatërrojë territorin e Kosovës

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 29 mars 2018 Në ora: 15:56
Kosovë

Profesori i çështjeve juridike dhe anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Muhamet Kelmendi, ka thënë se është kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, sipas marrëveshjeve të nënshkruara nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa në Bruksel.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Kelmendi ka treguar se në bazë të Kushtetutës së Kosovës, ndalohet formimi i pushtetit të tretë në Kosovë, Asociacionit.

“Pse jam kundër Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë, sipas marrëveshjeve të nënshkruara nga Thaçi e Mustafa në Bruksel?! Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në nenin 1, paragrafi 1, qëndron: Republika e Kosovës është shtet i pavarur, Sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. Ky përkufizim juridik tregon karakterin unik të shtetit, duke ndaluar, çfarëdo forme të pushtetit të tretë, i cili mund të ndërtohet në Kosovë”, ka thënë ai.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas Kelmendit, nga Marrëveshja e vitit 2013, e nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe ajo e vitit 2015, e nënshkruar nga Isa Mustafa, shkatërrohet uniteti i Republikës së Kosovës.

“Nga Marrëveshja për Asociacion të komunave serbe të vitit 2013, të nënshkruar nga Thaçi, si dhe në Marrëveshjen e vitit 2015, të nënshkruar nga Isa Mustafa, uniteti i Republikës së Kosovës shkatërrohet definitivisht. Marrëveshja e vitit 2015 u gjet në mbi 23 baza në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës nga Gjykata Kushtetuese. Po kjo gjykatë, nuk analizoi  Marrëveshjen e vitit 2013, por me një mendjelehtësi autorizoi që Asociacioni i Komunave Serbe të ndërtohet sipas Marrëveshjes së vitit 2013”, është shprehur më tej profesori Kelmendi.

Ai ka sqaruar se çka përmban kjo marrëveshje dhe si do të mund të funksiononte Asociacioni.

“Në marrëveshje mbi themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe të vitit 2013, dalin këto baza që tregojnë statusin e Autonomisë së gjerë serbe në Kosovë. Këto jane: 1. Karakteri politik, 2. Karakteri organizativ, 3. Karakteri ekonomik, 4. Karakteri territorial dhe 5. Karaketri i pushtetit shtetëror. Elementet e tilla janë faktor domethënës të shtetit. Ato janë bazë të autonomisë së gjerë politike dhe territoriale, sepse ky Asociacion e ka me Marrëveshjen e vitit 2013 territorin, popullësinë dhe pushtetin shtetëror. Me anën e këtyre elementeve, deformohet Republika dhe shkatërrohet tërësia territoriale dhe karakteri unik i shtetit. Ajo krijon pushtet të tretë që nuk varet nga qendra dhe që gradualisht dërgon nga ndarja e territorit të shtetit”, ka thënë Muhamet Kelmendi.

Profesori më tej ka theksuar se pse Asociacioni është tërësisht në kundërshtim me ligjet në fuqi.

 “Nuk do mend se në krahasim me demarkacionin, qoftë me Maqedoninë, qoftë me Malin e Zi, apo në të ardhmen me Serbinë, Asociacioni do të likuidojë përfundimisht Republikën. Ai krijon pushtet të ri juridik dhe politiko-territorial. Asociacioni i tillë është tërësisht në kundërshtim me ligjet në fuqi. Atë si të ndaluar e përcakton Kushtetuta e Republikës dhe natyrisht se në Kodin Penal konsiderohet vepër e rëndë penale. Kjo kështu është e sanksionuar në nenin 123 dhe 125 të KP të Republikës së Kosovës dhe përcakton dënimet nga 5, respektivisht 10 vjet deri në dënim me burg të përjetshëm. Ky përkufizim e ka bazën në nenin 1 të Kushtetutës dhe këto dy nene të KP obligojnë Prokurorinë Speciale të nisin hetimet për vepër penale. Këtë Asociacion serb në Kosovë nuk duhet lejuar kurrë”, ka shtuar në prononcimin për “Bota sot”, Muhamet Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat