Flet juristi: Arrestimi i shtetasve turq pa koordinim të Qeverisë, pse po hesht ambasada turke në Kosovë

Politika

Flet juristi: Arrestimi i shtetasve turq pa koordinim të Qeverisë, pse po hesht ambasada turke në Kosovë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 29 mars 2018 Në ora: 22:02
Qeveria e Kosovës

Drejtori i përgjithshëm i Shkollës "Mehmet Akif" në Kosovë Mustafa Erdem, zëvendësi i tij Yusuf Karabina, drejtori i shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana, janë arrestuar nga Policia e Kosovës sot dhe më pas janë deportuar në Turqi. Ne mesin e të arrestuarave dhe të dëbuarve është edhe mjeku Osman Karakaja, i cili nuk ishte punonjës i këtyre shkollave.

Të gjithë të arrestuarit dhe deportuarit janë qytetarë turq.

Këtë e ka konfirmuar Policia dhe Ministra e Punëve të Brendshme, ku kjo e fundit ka njoftuar se revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit e Turqisë.

“Duke iu referuar rasteve konkrete Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka vepruar në bazë të Ligjit për të Huaj dhe mandatit që ka për shqyrtimin dhe vendosjen e të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me leje qëndrim. Kjo është një procedure ligjore e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrim, gjithashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës dhe u është revokuar për arsye të sigurisë, apo procedurave tjera të parapara me ligjin përkatës”, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë.

Pas kësaj, krerët e shtetit kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni për arrestimin dhe deportimin e tyre.

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se ka qenë i informuar, por që ka kërkuar përgjegjësi dhe ka kërkuar që të sqarohen arsyet që kanë çuar deportimin e këtyre shtetasve turq për në Turqi.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se nuk ka qenë i informuar, derisa ka kërkuar raportim nga AKI, Policia, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se e gjithë kjo që ka ndodhur nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit, as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë.

Image
Blerim Burjani

Lidhur me gjithë këtë, për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, thotë se arrestimi i shtetasve turq duket të jetë bërë në mënyrë të pakoordinuar me Qeverinë, derisa thotë se ajo duhet të japë shpjegime dhe detaje se si ka ndodhur e gjithë kjo.

“Arrestimi i profesorëve turq në Prishtinë duket të jetë i pa koordinuar me Qeverinë e Kosovës, deri më tash ka pak të dhëna pse ka ndodhur kjo? Sidoqoftë Qeveria duhet të jep shpjegime dhe detaje të plota të kësaj ngjarje, pasi që shkollat e tilla funksionojnë dhe janë licencuar nga MASHT nëse ka diçka këtu pse kanë licencuar shkolla e tilla e pastaj me i përndjekë stafin e tyre dhe me i deportuar, pra kërkohet më shumë sqarime për rastin”, është shprehur Burjani.

Sipas tij, ana tjetër është që po hesht edhe shteti turk dhe ambasada turke në Kosovë, që i bie se ka bashkërendim në këtë arrest.

“Situata tjetër është shteti turk dhe ambasada turke në Kosovë po heshtet, kjo po i bie se ka bashkërendim në këtë arrest, kuptohet nëse është fjala për politikat që ndjek Turqia nëpër botë, Kosova duhet plotësisht të jetë neutrale dhe e pa interesuar për atë politikë ndarëse në mes liderëve dhe desidentëve turk”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat