“AKI dhe Policia kanë dalë jashtë sistemit të shtetit”

Politika

“AKI dhe Policia kanë dalë jashtë sistemit të shtetit”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 30 mars 2018 Në ora: 17:03
Ramush Tahiri

Gjashtë shtetas turq, drejtor dhe profesorë të kolegjit “Mehmet Akif” në Kosovë, u arrestuan dhe u deportuan për në Turqi, nga Policia e Kosovës dhe AKI.

Reagimet pas kësaj ishin të shumta, derisa kryeministri Ramush Haradinaj tha se nuk ishte në dijeni për atë që ka ndodhur, e në dijeni tha të mos ketë qenë as kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili  gjatë ditës së sotme tha se ndihet i turpëruar për atë që ka ndodhur dje dhe se po të dinte, do të shkonte në aeroport të ndalonte depërtimin e tyre.

E presidenti i vendit Hashim Thaçi kërkoi sqarime dhe përgjegjësi për këtë që ka ndodhur, derisa pas këtyre ndodhive, sot në mëngjes, kryeministri kërkoi shkarkimin e drejtorit të AKI-së, Driton Gashit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Duke komentuar këtë për gazetën “Bota sot”, politologu i njohur, Ramush Tahiri, thotë se emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të AKI-së bëhet nga kryeministri dhe presidenti, në bazë të Kushtetutës, derisa shton se është bërë shkelje e sovranitetit me arrestimin dhe dërgimin e shtetasve turq tek autoritetet turke.

“Emërimi dhe shkarkimi i Drejtorit të AKI behet nga Kryeministri dhe Presidenti është shumë qartë e shkruar ne Ligjin për AKI dhe në Kushtetutë. Fakti se Presidenti i Turqisë e dëshmon se aksioni për arrestimin e Gylenistëve siç ju thotë dhe dërgimi në Turqi në duart e autoriteteve të shtetit turk, flet për shkelje të sovranitetit dhe të integritetit institucional të Kosovës si dhe autoritetit profesional të AKI-së dhe të Policisë së Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, nëse është e vërtetë se krerët e shtetit nuk kanë pasur informatë për atë që kanë ndodhur, del se AKI dhe Policia kanë dalë jashtë sistemit të shtetit.

“Është i pabesueshëm deklarimi i tre zyrtarëve më të lartë të shtetit se nuk kanë pasur informatë dhe dijeni për këtë aksion. Po të jetë kjo e vërtetë, atëherë del që AKI dhe Policia janë dalë jashtë sistemit, pra jashtë dorës institucionale të shtetit”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Ndryshe, për shkak të situatës së krijuar në vend, sot krerët e shtetit janë mbledhur në një takim në një lokal në periferi të Prishtinës, ku pas takimit, Veseli tha se ajo që ka ndodhur nuk do të përsëritet më.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat