Bytyçi: Thaçi është shndërruar në kërcënim për lirinë dhe sovranitetin e Kosovës

Politika

Bytyçi: Thaçi është shndërruar në kërcënim për lirinë dhe sovranitetin e Kosovës

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 31 mars 2018 Në ora: 07:54
Hashim Thaçi

“Kësaj loje politike i kontribuon Thaçi. Nuk besoj se pa qëllim e pa objektiv e bën këtë. Çdo destabilizim i Kosovës është interes serb dhe rus. Nëse dikush në Kosovë, qoftë ky dhe president i kointribuon destabilizimit, atëherë duhet thënë se ky person ose grup personazh politik në Kosovë punojnë në dobi të interesave serbe. Situatën e krijuar prej tri ditësh me arrestimin e Gjuriç që ditën e parë e kam parë me dyshim”, ka thënë Profesor Enver Bytyçi.

Gjykata Speciale ende nuk ka filluar me aktakuzat e para. E së fundmi, në Kosovë ndodhën ngjarje, siç ishte arrestimi i shefit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, për hyrje ilegale në territorin e Republikës së Kosovës, i cili pas arrestimit u lirua për në Serbi.

Por, sa ndikon e gjitha situata e krijuar në ngritjen e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale.

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë thënë se nuk i komentojnë zhvillimet politike, ndërsa sa i përket ngritjes së aktakuzave të para, duhet të pyetet Zyra e Prokurorit, e cila nuk ka kthyer përgjigje.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në parim nuk komentojnë në lidhje me zhvillimet politike. DHSK është e përqendruar në zbatimin e mandatit të saj në përputhje me Ligjin e miratuar për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe amendamentin kushtetues”, thuhet në përgjigjen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për “Bota sot”.

Image
Adrian Gjoshi

Nuk kanë ndikim

Avokati Adrian Gjoshi, vlerëson se rrethanat politike e sidomos krizat artificiale nuk mund të ndikojnë në punën e Speciales, pasi është e pavarur.

“Siç e kam përmendur edhe në prononcime të tjera, rrethanat politike e sidomos krizat artificiale, nuk mund të ndikojnë në punën e Gjykatës Speciale si organ i pavarur. Gjykata Speciale është organizatë ligjore dhe si e tillë, veprime të tilla të jashtme nuk mund ta ndalojnë apo ndërpresin punën e saj”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike në vend, Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se situatat e tilla i shërbejnë zgjatjes së afateve për veprimin e Speciales, derisa thotë se Thaçi është shndërruar në kërcënim për territorin e Kosovës.

“Situatat konfliktuale padyshim që i shërbejnë zgjatjes së afateve për vënien në veprim të Gjykatës Speciale. Në këtë kuptim ngjarjet e këtyre tri ditëve nuk mund të mendohen pa këtë lloj objektivi. Thaçi për mendimin tim tashmë është shndërruar në kërcënim për lirinë dhe sovranitetin e Kosovës. Në këmbim ose në synim për t’i ikë përgjegjësive të tij të shkuara po luan me fatin dhe territoret e Kosovës. Megjithatë jam i bindur se Gjykata Speciale edhe nëse e vonon marrjen në akt-akuzë, do të jetë më strikte pas sjelljeve të tilla të Thaçit. Ai po përpiqet të sfidojë gjithë investin ndërkombëtar e kombëtar për lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit, thjesht për ta dëshmuar veten si aktor dhe faktor kryesor i domosdoshëm në Kosovë e në rajon. Ka të njëjtën sindromë si edhe Edi Rama”, është shprehur ai.

Lojës politike i kontribuon Thaçi

Sipas tij, përshkallëzimin e gjithë situatës do ta parandalojë KFOR-i, derisa thotë se nga konflikti përfiton Serbia.

“Nëse Kosova nuk do të ishte nën sigurinë e NATO-s situatën e krijuar do e shihja si kërcënuese, jo vetëm për territorin dhe pavarësinë, por edhe për lirinë e shqiptarëve. Vazhdoj të besoj dhe shpresoj se prezenca e KFOR-it aty do të parandalojë çdo përshkallëzim të dhunshëm të situatës. Megjithatë, politikisht Serbia fiton pikë nga konflikti. Kjo për faktin se në Beograd dinë ta shesin lirë e shtrenjtë aksiomën, sipas së cilës shqiptarët janë ekstremistë dhe problem i Ballkanit”, vazhdon më tej profesori.

Image
Enver Bytyçi

Bytyçi vlerëson se lojës politike i kontribuon Thaçi dhe çdo destabilizim është interes rus dhe serb.

“Kësaj loje politike i kontribuon Thaçi. Nuk besoj se pa qëllim e pa objektiv e bën këtë. Çdo destabilizim i Kosovës është interes serb dhe rus. Nëse dikush në Kosovë, qoftë ky dhe president i kointribuon destabilizimit, atëherë duhet thënë se ky person ose grup personazh politik në Kosovë punojnë në dobi të interesave serbe. Situatën e krijuar prej tri ditësh me arrestimin e Gjuriç që ditën e parë e kam parë me dyshim”, shprehet ai, duke vazhduar me analizimin e arrestimit të Gjuriqit, që thotë se ka qenë skenar i dyshes Thaçi-Vuçiq, me ndërmjetësim të Edi Ramës.

“Sot jam i bindur se ishte skenar i përbashkët i Aleksandër Vuçiç, Hashim Thaçit me ndërmjetësimin e Edi Ramës, i cili duket se tash po rri në hije, por nuk është ashtu. Skenari provohet nga shumë fakte: - Pse zoti Thaçi veproi i vetëm, pa konsultim me njeriun përgjegjës për sigurinë e vendit, kryeministrin, Ramush Haradinaj? - Pse ai urdhëroi arrestimin e Gjuriç, madje keqtrajtimin e tij dhe sjelljen brutale para kamerave, ndërkohë që në të njëjtën kohë urdhëroi mos arrestimin e këshilltarit të presidentit të Serbisë, i cili shoqëronte Gjuriç? A nuk kishin bërë të njëjtën shkelje këta të dy? Duhet të jesh idiot të besosh se kjo nuk është bërë qëllimisht”, është shprehur më tej Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Kuvendi të diskutojë për ndodhitë në Mitrovicë

Sipas tij, Thaçi nuk urdhëroi arrestimin e këshilltarit të Vuçiqit, pasi do ta dëmtonte atë.

“Thaçi zbatoi dy standarde të ndryshme, duke urdhëruar mosarrestimin e këshilltarit të Vuçiqit, sepse ky veprim do ta lëndonte e dëmtonte politikisht homologun e tij serb. Mjaftojnë këto dy pyetje për të ngritur një dyshim të justifikuar për ekzistencën e këtij skenari. Ndërkohë që Kosova ka nevojë për konsensus të gjerë në ndërhyrje dhe vendimmarrje, Thaçi vazhdon të imponohet si një lider autoritar. Kjo e bënë akoma më të rrezikshme situatën në Kosovë. demarkacioni dëshmoi se marrëveshjet e zotit Thaçi ishin të pastudiuara. Prandaj dhe besoj se politika në Kosovë do të nxjerrë mësimet e saj për të ardhmen”, vlerëson ai.

Sipas profesorit, Kuvendi duhet të mbajë seanca për ndodhitë e fundit në Mitrovicë dhe të përcaktojë përgjegjësit për ato veprime.

“Kuvendi i Kosovës duhet të zhvillojë seancë plenare për të shqyrtuar të gjitha veprimet e mosveprimet e paligjshme në rastin e konfliktit të fundit në Mitrovicën e Veriut si dhe të përcaktojë përgjegjësit për pasojat e këtyre veprimeve. Skenarë të tillë çuan në vendimmin e njëanshëmm serb për ngritjen e Asociacionit. Thaçi duhet të përgjigjet për këtë. I ka hyrë detit në këmbë, le ta kalojë! Ndryshe edhe pse president, ai duhet të japë llogari. Kosova duhet të dëshmojë se nuk është republikë presidenciale, as semipresidenciale, por është një republikë parlamentare. Në një republikë parlamentare është kryeministri përgjegjës për të gjitha veprimet e mosveprimet për sigurinë kombëtare. Derisa Thaçi ka pranuar në mënyrë jashtë kushtetuese të marrë funksionet e kryeministrit, ai duhet të përgjigjet, veçmas për dështimet e tij në të tilla aksione. Mos mendoni se Kosovës i lindi djalë nga këto situate të inskenuara në Kosovë”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Rexhep Shahu

”Marsi për Kosovën”

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se muaji Mars është muaji kur korbat duan t’ia nxjerrin sytë Kosovës dhe çdo gjë bëhet sipas një skenari, që botës t’i thuhet se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet.

“Unë trishtohem në çdo Mars sepse korbat që duan t'ia nxjerrin sytë Kosovës fluturojnë në Mars. Mendoj se çdo gjë ecën sipas një skenari që synon ta destabilizoje Kosovën që t’i thuhet botës se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet. Frika nga Gjykata Speciale është një faktor që nxit krimin kundër Kosovës. Krijimi i shtetit të ri të Kosovës, krijimi i një shteti të dytë shqiptar në botë, është akt madhor që e bën të mundur vetëm Amerika akt gjigant pas Luftës së Dytë Botërore. Krijimi i shtetit të Kosovës është sfidë e jashtëzakonshme amerikane, euroatlantike përballë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërjes së Jugosllavisë. Shkatërrohen perandori nga njëra anë dhe nga ana tjetër krijohet një shtet i dytë shqiptar. Këtë gjë nuk e durojnë as pranojnë lehte armiqtë e shqiptarëve. Ndaj, Kosova ecën me mund përpara në konsolidimin e saj”, ka deklaruar Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat