Skandali që nuk na duhej

Politika

Skandali që nuk na duhej

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 1 prill 2018 Në ora: 22:29
Kosova dështoi të tregohet shtet, pasi Kryeministri nuk dinte gjë për deportimin e disa mësimdhënësve dhe një mjeku, në duart e Presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan.

10 vitet e pavarësisë së Kosovës u karakterizuan me ngjarje e zhvillime të ndryshme politike. Kosova nuk gjeti qetësi përgjatë kësaj periudhe si pasojë e shumë proceseve politike në Ballkan, pastaj në botë.

Paqëndrueshmëria e shtetit u dëshmua veçanërisht ditëve të fundit, ku institucionet kryesore të shtetit të Kosovës, ranë në kundërshtim me njëra tjetrën sa i përket arrestimit dhe deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Të tjera fjalë fliste Kryeministri, të tjera Presidenti e krejt të tjera Kryetari i Kuvendit. E njëjtë ishte vetëm “mosdija” e tyre, se çka po ndodhte në shtetin që vet e drejtonin.  Ky në fakt ishte një provim, të cilin nuk arritën ta kalonin me sukses krerët e shtetit të Kosovës. Ata nuk kishin arritur të merreshin vesh për veprimet e tyre dhe të institucioneve që i drejtojnë siç është Policia e Kosovës dhe AKI-ja.

Kosova dështoi të tregohet shtet, pasi Kryeministri nuk dinte gjë për deportimin e disa mësimdhënësve dhe një mjeku, në duart e Presidentit të Turqisë Rexhep Taip Erdogan. Askush nuk kishte marr mundin që ta informonte të parin e qeverisë, për ngjarjet që brenda pak ditësh trazuan vendin. Por, atë që nuk e dinte Kryeministri e as Kryetari i Kuvendit, sipas të gjitha gjasave ka ditur Presidenti Hashim Thaçi, “vëllai” i Presidentit turk.

Kështu ka lënë të kuptohet një deklaratë e Erdoganit, i cili falënderon Thaçin për dorëzimin e 6 turqve që jetonin në Kosovë.

"Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them 'turp'. Largimi nga detyra i kreut të inteligjencës, ministrit të Brendshëm, të cilët na i dhanë anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. Ata bënë detyrën e tyre", ka thënë Erdogan.

Kaq mjafton për ta kuptuar se Thaçi qëndron prapa arrestimit dhe deportimit që ndodhi tre ditë më parë në Kosovë. Mjafton edhe për ta kuptuar se Presidenti ka njerëzit e tij besnikë në çdo institucion. Këta njerëz, ka kohë që kanë kapur shtetin dhe po e qojnë drejt greminës.

Thaçi, që ka përjetuar vet azilin politik sikurse edhe qindra mijëra bashkëkombës të tij shqiptarë, u tregua shumë gjakftohtë kur vendosi që nëpërmjet njerëzve të tij, t`ia dorëzoj “vëllait” të tij 6 gylenistët.

Ai nuk reagon përballë kërcënimeve që Erdogani ia drejton Kryeministrit të vendit Ramush Haradinaj.

Ndërsa, ky i fundit për shkak të pushtetit të shumë dëshiruar, nuk e tha as edhe një fjalë për t`iu kundërpërgjigjur fjalëve të Presidentit të Turqisë.

Haradinaj, për ta mbajtur postin e Kryeministrit me çdo kusht e Thaçi për t`i shijuar edhe dy vite në Presidencë, po bëjnë çmos.

I pari heshtë për shkak të frikës se humbë një votë në Kuvendin e Kosovës, derisa i dyti bën aleanca të çuditshme dhe lufton për protagonizëm.

E  qytetarët shikojnë si spektatorë se deri ku janë në gjendje ta qojnë shtetin Kryeministri dhe Presidenti. Kushedi, mbase një ditë edhe ata do të reagojnë. Durimit ndonjëherë i vije fundi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat