“Prokuroria Speciale ta ftojë urgjentisht në intervistë Thaçin”

Politika

“Prokuroria Speciale ta ftojë urgjentisht në intervistë Thaçin”

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 2 prill 2018 Në ora: 20:03
Hashim Thaçi

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Jeton Kelmendi në një prononcim për “Bota sot”, thotë se Prokuroria Speciale duhet ta ftojë urgjentisht për intervistë presidentin Thaçi, pas akuzave të tij se Lëvizja Vetëvendosje financohet nga Irani dhe për lidhje me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

“Mendoj se deklarata e presidentit Thaçi lidhur me akuzat që i bën ai ndaj Lëvizjes Vetëvendosje se po paguhen nga Irani, janë serioze dhe në një shtet normal prokuroria do të duhej ta intervistonte atë”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Jeton Kelmendi

“Unë mendoj se në një shtet normal sigurisht që do të duhej të intervistohej dhe pastaj ose do të duhej të arrestoheshin zyrtarët e Vetëvendosjes për një financim të tillë ose do të duhej të arrestohej Thaçi për shpifje të tilla. Për fat të keq Kosova jeton në një situatë ku gjithkush bën çfarë të don dhe realisht Kosova është një shtet jo demokratik”, deklaroi më tej Kelmendi.

Kundër akuzave të presidentit Tahci ka reaguar edhe zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti ka thënë se këto janë shpifje të shefit të shtetit.

“I mjeri Javert. Ky nuk mund të jetë president, me gjithë këtë dëshirë që ka për t’u bërë inspektor policie. Mendja e Thaçit është një vorbull që i dhemb atij e i kushton Kosovës. Shpif si polic në bodrume hetuesie, akuzon si prokuror në farsa prej gjyqi. Neni më i rëndësishëm i Kushtetutës së Republikës po bëhet neni 91”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, neni 91 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës parasheh shkarkimin e presidentit nga ana e Kuvendit të Kosovës, nëse ai ka bërë shkelje të kushtetutës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat