“Reagimi i Haradinajt i vonuar”, Krasniqi tregon si të veprohet nëse na bllokon BE-ja

Politika

“Reagimi i Haradinajt i vonuar”, Krasniqi tregon si të veprohet nëse na bllokon BE-ja

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 2 prill 2018 Në ora: 22:12
Ilustrim

Të shtunën presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan e kërcënoi kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj duke thënë se ai do të japë përgjegjësi për menaxhimin e situatës me turqit e deportuar.

Presidenti turk e kritikoi Haradinajn për shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Inteligjencës kosovare, Driton Gashi, madje i ftoi qytetarët e Kosovës që të protestojnë kundër tij.

Erdogan po ashtu tha se karriera e tij si kryeministër i Kosovës do të përfundojë së shpejti.

“Karriera e kryeministrit të Kosovës do të marrë fund”, u shpreh Erdogan.

E sot, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i është kundër përgjigjur komenteve të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke thënë se askush nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës dhe se këtë duhet ta dinë të gjithë.

“Duke përkujtuar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, dëshmojmë se i kemi rrënjët e thella, edhe Kosova dhe krejt shqiptarët kudo që janë. Për ata që prej larg na gjykojnë, e para që mund t’i them se nuk na njohin atëherë, iu mungon njohja për shqiptarët, në trojet e tyre, në atdheun e tyre, bëjnë mirë me na njoft, se kurrë nuk është në traditën tonë me hi në punët e shtëpisë të dikujt tjetër. Kosova dhe unë s’kemi hyrë në punët e brendshme të Turqisë, as në të kaluarën, as sot, as në të ardhmen, por po ashtu punët tona të shtëpisë nuk do të mund t’i bëjë dikush në emër tonë në Kosovë, kemi me i bërë vetëm ne kur i bëjmë ne. Këtë le ta dinë të gjithë”, tha Haradinaj.

Image
Faik Krasniqi

Lidhur me deklaratat e kryeministrit dhe reagimin e sotëm, njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi, ka thënë se reagimi i tij është i vonuar, duke shtuar se arrestimi dhe deportimi i shtetasve turq, do të ketë pasoja për Kosovën.

“Reagimi i kryeministrit Haradinaj ndaj kërcënimeve të presidentit turk Erdogan, padyshim që është reagim tepër i vonuar. Por arrestimi i gjashtë shtetasve turq që jetonin në Kosovë dhe ekstradimi i tyre në Turqi ku akuzohen nga pushtetit i presidentit Rexhep Tayyip Erdogan, do ketë pasoja të mëdha për Kosovën dhe qytetarët e saj nga BE-ja. Reagimi negativ i parë veçse na erdhi nga Rebecca Harms, zëdhënëse e Punëve të Jashtme dhe eksperte mbi Turqinë në grupin e të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, e cila bëri thirrje për bllokim të Kosovës pas arrestimit dhe deportimit të ''gylenistëve''”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, presidenti dhe kryeministri duhet të japin përgjegjësi për këtë që ka ndodhur dhe nëse BE merr vendim për mos liberalizim të vizave, atëherë duhet të jepet përgjegjësi penale.

“Prandaj, Presidenti dhe kryeministri duhet të japin përgjegjësi para popullit për veprimin e bërë, dhe jo të ikin nga përgjegjësia duke hedhur fajin tek Ministri i Brendshëm dhe ai i AKI-së, madje edhe duke i shkarkuar, sepse ata nuk kanë vepruar kokë më vete. Nëse nuk japin përgjegjësi dhe BE-ja merr një vendim për mosliberalizim të vizave dhe bllokim të Kosovës nga ana e tyre, atëherë duhet të jepet edhe përgjegjësi penale, sepse ky deportim është bërë puro për interesa personale të Presidentit Thaçi”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat