Të sakrifikohesh për “shefin e madh” dhe liberalizimin

Politika

Të sakrifikohesh për “shefin e madh” dhe liberalizimin

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 8 prill 2018 Në ora: 21:31
Adem Grabovci dhe Hashim Thaçi

Pas miratimit të marrëveshjes për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi dhe zhurmës së madhe që u bë rreth saj, testi i radhës për Kosovën sa i përket liberalizmit të vizave, është luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Plotësimin e këtij testi, ndonëse me vonesë e nisën institucionet e drejtësisë në Kosovë. Kështu, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, goditi “celulat e korrupsionit” në Kosovë, duke ngritur aktakuzë ndaj 11 protagonistëve kryesor të aferës “pronto2”.

Në këtë çështje penale janë akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare si ish deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish Sekretar të përgjithshëm llhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish zëvendësministri  Fatmir Shurdhaj,  këshilltari politik në MPB S.G., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Njazi Kryeziu dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë Arbenita Pajaziti.

Se a ishte e rastësishme apo jo ngritja e aktakuzave menjëherë pas plotësimit të njërit kriter për liberalizimin e vizave, i mbetet BE-së por edhe qytetarëve të Kosovës ta gjykojnë.

Mirëpo, ajo që mbetet të shihet, është se sa do të ndikojë ky hap në çuarjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave. Proces ky, që kishte ngecur për shkak të vonesave të miratimit të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Afera “Pronto” dhe pjesët e saj të përgjimeve, përbëjnë një prej dëshmive se shteti është kapur nga struktura të kriminalizuara.

Ngecjet e vazhdueshme të Kosovës në shtet- ndërtim dhe mirëqenie, kanë krijuar një perceptim të përgjithshëm se zyrtarët e shtetit janë të korruptuar.

Afera “Pronto2”, vetëm sa e ka përforcuar këtë perceptim të qytetarëve.  Në anën tjetër, Kosova ende nuk ka marr dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.

Ngritja e aktakuzave për protagonistët e aferës “Pronto” konsiderohet e përgjysmuar përderisa para drejtësisë nuk dalin edhe krerët më të lartë se sa ministrat dhe deputetët, që janë të përfshirë në këtë aferë.

Për ta pasur një rezultat të plotë dhe për të dëshmuar se korrupsioni dhe krimi i organizuar është duke u luftuar, Prokuroria nuk do të duhej të bënte diferencime sa i përket ngritjes së aktakuzave për këtë aferë. Vetëm kështu do të mund të dëshmohej se lufta ndaj korrupsionit është serioze dhe e sinqertë.

Në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi kishte fuqi ekzekutive për t`i emëruar personat e caktuar, në postet që ua sugjeronte “shefi i shefave”  Adem Grabovci. Bisedat e përgjuara kanë dëshmuar se shumë njerëz janë emruar në borde e kompani publike nën direktivat e Adem Grabovcit. 

E tani, duket se posti i Presidentit duket se ka “amnistuar” Thaçin, andaj edhe Prokuroria e kurseu nga një aktakuzë e mundshme apo qoftë edhe nga marrja në pyetje.

Kështu, 11 persona do të sakrifikohen për liberalizimin e vizave, pavarësisht vendimit që Gjykata e merr për këta persona në fund.

Mirëpo, kokat do të mbesin! Ata do të mbesin aty për të krijuar aleatë të rinj dhe për të mbajtur shtetin nën kthetrat e tyre.  Urime “liberalizimi”!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat