17 vjet nga vrasja e Ismet Rracit, familja kërkon drejtësi, deklarohet Prokuroria

Politika

17 vjet nga vrasja e Ismet Rracit, familja kërkon drejtësi, deklarohet Prokuroria

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 24 prill 2018 Në ora: 13:22
Ismet Rraci dhe Ibrahim Rugova

Sot bëhen 17 vite nga vrasja e ish Kryetarit të Komunës së Klinës dhe njërit prej themeluesve të LDK-së, Ismet Rraci. Kjo vrasje vazhdon të jetë e pazbardhur, sikurse edhe shumë vrasje të tjera me motive politike që kanë ndodhur në Kosovës, para, gjatë e sidomos pasluftës.  

Djali i të ndjerit Ismet Rraci, Astriti, ka folur për “Bota sot” lidhur me vrasjen ende të pazbardhur të babait të tij duke thënë  se hetimet duhet të vazhdojnë ose të rishikohen aty ku kanë ngecur. Ai bënë thirrje që edhe organet kompetente të japin ndonjë përgjigje.

“Për familjen, atentati ndaj babës mbetet ende i pa ndriçuar, prandaj hetimet duhet të vazhdojnë ose të rishikohen aty ku kanë ngecur. Duke qenë se baba në momentin e atentatit ka qenë person zyrtar, mendoj se edhe ju keni të drejtë publike që këtë pyetje t’ua parashtroni edhe organeve zyrtare të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë”- ka thënë Astrit Rraci.

Sipas tij, prokuroria dhe shteti i Kosovës ka dështuar që të bëjnë hapa para në zbulimin e dorasëve të babait të tij, e ndër tjera tregon se si e vranë atë.

“Kanë kaluar tashmë 17-të vite që ne si familje po kërkojmë të vërtetën rreth vrasjes së babës. Deri më tani prokuroria, hetuesia dhe drejtësia e Republikës së Kosovës ka dështuar të nxjerrin para gjyqit urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e krimit. Shteti i Kosovës madje ka dështuar që së paku ta trajtoj rastin si atentat ndaj një zyrtari të saj. Të ju kujtoj, baba në momentin e vrasjes ka qenë duke shkuar në punë. Ai kishte pak kohë që ishte zgjedhur Kryetar i Komunës së Klinës, si bartës i listës nga ana e LDK-së, kryetar shumëvjeçar i Degës dhe anëtar i Këshillit Qendror të saj”- shprehet i biri i Ismet Rracit, Astriti.

Ai thotë, se asnjë qeveri deri tash me përbërje të ndryshme politike, nuk ka arritur të zbulojë asnjë vrasje dhe kurrë nuk ka pasur as edhe ndonjë masë për të thirrur se paku në përgjegjësi organet kompetente të sigurisë e drejtësisë për jo efikasitet.

“Deri më tani kanë kaluar shumë qeveri e parlamente me përbërje të ndryshme partiake, edhe përkundër faktit që asnjë vrasje politike nuk është zbardhur, kurrë nuk ka pasur as edhe ndonjë masë për të thirrë së paku në përgjegjësi organet kompetente të sigurisë e drejtësisë për jo efikasitet. Ndoshta edhe mund të pajtohemi se një apo dy vrasje mund të mbesin të pa ndriçuara, por jo të gjitha?!”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Prokuroria, për gazetën “Bota sot”, kanë thënë se nuk mund të japin përgjigje pasur rasti është në fazën e hetimeve.  

“Prokuroria nuk mund të jap asnjë përgjigje lidhur me pyetjet e tuaja pasi që jemi në fazën e hetimeve. Mirëpo e inkurajojmë secilin që është i gatshëm të dëshmoj, për cilindo qoftë, lidhur me ndonjë dyshim për ndonjë vepër penale, po ashtu, ftojmë të lajmërohen në çdo kohë në Prokurori. Po ashtu, Prokuroria e inkurajon secilin që ka informacione, din diçka, ka parë ose dëgjuar për këto keqpërdorime që të lajmërohet në Prokurori”- ka qenë përgjigja e prokurorisë për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat