Sipas analistit, ekziston rreziku real që Shkumbin Mehmeti të vritet në burg

Politika

Sipas analistit, ekziston rreziku real që Shkumbin Mehmeti të vritet në burg

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 25 prill 2018 Në ora: 10:11
Shkumbin Mehmeti

Deklaratat e Shkumbin Mehmetit, dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë  Speciale, tronditën opinionin me disa fakte për krimet e pandriçuara të pasluftës, për të cilat ai përmendi edhe emra që fillojnë nga dhënësit e urdhrave e deri te ekzekutuesit.

Bëhet fjalë për rastet që nuk janë zgjidhur tash e sa vite. Ndaj deklaratave të fundit të Mehmetit, familjarët kanë reaguar ashpër duke kërkuar sa më shpejt drejtësi.

Image
Hekrem Lutfiu

Pavarësisht këtyre deklaratave  të Shkumbin Mehmetit, ende nuk është publikuar asgjë e re lidhur me këtë rast.  Në lidhje me këtë çështje, Hekrem Lutfiu, zëdhënës në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka thënë për “Bota sot” se nuk mund të jap informata.

“Për shkak të konfidencialitetit të hetimeve, për momentin nuk mund të japim informacione lidhur me këtë çështje”, është  shprehur Lutfiu.

Kelmendi: Prokuroria po fle mbi dosjet e krimit

Avokati Tomë Gashi, ka thënë se të gjitha deklaratat e Shkumbin Mehmetit, duhet seriozisht të hetohen nga Prokuroria kompetente, madje sipas tij, këtë e ka kërkuar edhe vetë Hardinaj pas prononcimit të Shkumbin Mehmetit.

Image
Tomë Gashi

“Në këtë rast nuk besoj se drejtësia është e kapur për shkak të interesit të përgjithshëm por edhe personal të Hardinajt që të hetohen deklaratat e Shkumbin Mehmetin, mirëpo përgjigjën më të saktë për këtë duhet ta kërkoni nga prokurori i shtetit”, ka thënë avokati Gashi.

Ndërkaq, njohësi i politikave ndërkombëtare të sigurisë, profesor Jeton Kelmendi, ka thënë se Prokuroria e shtetit të Kosovës po flen mbi dosjet e krimit, ndërsa kjo klasë e drejtësisë është produkt i  kësaj politike të inkriminuar.

Sipas tij, pas dosjes së Shkumbin Mehmetit shihet qartë se kemi dështim në sektorin e drejtësisë, duke e dështuar krejtësisht edhe politikën edhe të ardhmen e vendit.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se këtu ka vend për t'u hetuar sepse prokuroria në një shtet normal do duhej ta hetonte këtë rast. Por, lind pyetja pse prokuroria nuk ngriti aktakuza dhe pse nuk merret me këtë çështje dhe ndaj deklaratave të Shkumbin Mehmetit që ishin aq serioze. Mehmeti, përmendi edhe ndikimet e ndërkombëtareve, prandaj edhe ky rast nuk hetohet, pasi kjo kastë politike dhe njerëzit e krimit duhet të rrëzohen madje edhe ata që janë në drejtësi”, ka thënë Kelmendi.

Mehmeti: Ekziston rreziku real që Shkumbini të vritet në burg

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti, thotë se,  nuk ka pritur që dëshmia e Shkumbin Mehmetit do të prodhojë arrestime, që do të ishin normale në një vend ligjor.

Image
Faton Mehmeti

“Duke qenë një vend ku mbizotëron ligji i xhunglës, nuk kam pritur fare që kjo dëshmi të pasohet me arrestime apo masa të tjera ndaj të përmendurve. Këtu drejtësia vlen vetëm për të varfrit, ndërkohë që Kosova asnjëherë nuk do të arrij të çlirohet nga ata që e kanë kapur shtetin. Arkitekti i të gjitha të zezave që i kanë ndodhur vendit është në krye të shtetit, paramendo pastaj çfarë drejtësie mund të ketë këtu. Ekziston rreziku real që Shkumbini të vritet në burg, dhe kështu edhe të mbyllet e gjithë kjo çështje, e cila asnjëherë nuk pritet të prodhojë drejtësi, që edhe kërkohet dhe është e domosdoshme”, ka thënë analisti politik Faton Mehmeti.

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, ka thënë se nxjerrja në shesh e të “vërtetave” në dëshminë e Shkumbin Mehmetit, është një tronditje e jashtëzakonshme për njerëzit e pushtetshëm, por edhe një trase e shtruar për nxjerrjen e kokave kryesore të krimit, të cilët  kanë keqpërdorur çdo mekanizëm publik për ta amnistuar veten nga krimet e mbas luftës.  

“Gjykoj, se zvarritja e këtij rasti lidhet drejtpërdrejt me njerëzit e pushtetshëm, pasi që vërtetimi i dëshmive të Shkumbin Mehmetit, potencialisht do të tronditë skenën politike kosovare dhe nxjerrë nga loja njerëz që akoma frymojnë lirshëm në institucionet publike. Prandaj, Prokuroria  e kapur nga njerëz të politikës përdor çdo mekanizëm  jo legal për zvarritjen e rastit në fjalë, duke amnistuar përkohësisht njerëzit të cilët kanë ndikim akoma në skenën politike të Kosovës”, ka thënë Hidajet Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Reformë radikale në sistemin e drejtësisë

Sipas tij, amnistimi i përkohshëm i njerëzve të pushtetshëm e posaçërisht njerëzve të PDK-së është falë kapjes së drejtësisë nga pushtetet e PDK-së, dhe vazhdimi i logjikës së njëjtë është falë këtij instalimi politik në institucionet e drejtësisë.

“Në këtë realitet faktik në sistemin e  drejtësisë  është imperativ  i kohës që të funksionlaizohet një “dore e  hekurt “e pushtetit, e cila përveç vullnetit politik duhet të ketë profesionalizimin dhe guximin. Është imperativ i kohës që të angazhohen një grumbull mekanizmash për ta nisur reformën radikale në sistemin e drejtësisë, duke kthyer drejtësinë në shërbim të qytetarëve dhe interesave shtetërore, dhe duke vënë në binarët e duhur. Përveç vullnetit politik dhe guximit duhet të kombinohen edhe mekanizmat ndërkombëtar  dhe shoqëria civile, e cila përmes presionit do të jetë kontrollues i vazhdueshëm i kësaj reforme të kërkuar”, ka thënë analisti Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat