Liberalizimi para pushimit veror, varet nga veprimet konkrete të politikanëve

Politika

Liberalizimi para pushimit veror, varet nga veprimet konkrete të politikanëve

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 prill 2018 Në ora: 09:06
Ilustrim

“Deklarata e Qeverisë se lajmin për liberalizimin e vizave do ta kemi para pushimit të verës për mua është thjesht një deklaratë paragjykuese, por jo edhe argumentuese, meqenëse vendimi i BE-së për heqjen e vizave për Kosovën nuk varet nga plotësimi i kriterit të kohës, por varet nga veprimet konkrete që dëshmojnë se Kosova seriozisht dhe me paanshmëri po e lufton dukurinë e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, është shprehur Sami Blakaj për “Bota sot”.

Premtime të shumta janë bërë vazhdimisht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, që edhe ata të mund të lëvizin të lirë dhe që Kosova të mos jetë më e izoluar. Një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, derisa premtimet për këtë vazhdojnë.

Së fundmi, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, në një nga seancat e Kuvendit ku u debatua për Raportin e Progresit, tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, se mendon se mendon që heqja e vizave për Kosovën do t’i konfirmohet para pushimit të verës.

“Për vizat është vendosur, por ajo temë nuk është përfshirë në raport se vetë karakteri ka dedikim të caktuam është një arritur e madhe fakti se i është rekomanduar hapja e negociatave dy fqinjëve tonë. Jam i bindur se ajo që na intereson neve, pra heqja e vizave, ajo do të ndodhë. Mendoj se para pushimit të verës do të na konfirmohet”, u shpreh Haradinaj para deputetëve.

Image
Ramush Tahiri

Flasin analistët

Se sa ka mundësi që të ndodhë një gjë e tillë, para pushimit të verës, njohësit kanë dhënë vlerësimet e tyre.

Politologu i njohur Ramush Tahiri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se beson në fjalën e Haradinajt, pasi është kryeministër dhe ka informata zyrtare për këtë, duke shtuar se beson që deri në fund të vitit do të kemi heqjen e vizave.

“Po i besoj Haradinajt në deklaratën për kohën e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës sepse është kryeministër i vendit dhe ka informata zyrtare dhe fjala e tij duhet të ketë peshë dhe kosovarët deri në fund të këtij viti do të udhëtojnë nëpër shtetet e Evropës pa viza”, ka deklaruar Ramush Tahiri.

Ndërsa, njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, vlerëson se në bazë të vlerësimit të Raportit të

Image
Sami Blakaj

Blakaj: Deklarata e Kryeministrit paragjykuese 

Progresit, nuk ka shpresa që liberalizimi të ndodhë brenda disa muajsh, e aq më pak para pushimit të verës.

“Vlerësimi i Raportit të Progresit për Kosovën nuk jep shumë shpresë që brenda muajsh, aq më pak para pushimit veror do të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën. Kriteri kryesor për heqjen e vizave për Kosovën mbetet lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe në këtë drejtim Kosovës i mbetet të shënojë rezultate të prekshme për ta bindur Bashkimin Evropian se ky kriter i përcaktuar për liberalizimin e vizave do të konsiderohet i përmbushur”, vlerëson Sami Blakaj.

Sipas tij, deklarata e qeverisë për një afat kohor për liberalizim të viza është më shumë paragjykuese, pasi vendimi i BE-së për këtë çështje nuk varet nga koha, por nga veprimet konkrete të shtetit të Kosovës.

“Deklarata e Qeverisë se lajmin për liberalizimin e vizave do ta kemi para pushimit të verës për mua është thjesht një deklaratë paragjykuese, por jo edhe argumentuese, meqenëse vendimi i BE-së për heqjen e vizave për Kosovën nuk varet nga plotësimi i kriterit të kohës, por varet nga veprimet konkrete që dëshmojnë se Kosova seriozisht dhe me paanshmëri po e lufton dukurinë e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, është shprehur Sami Blakaj për “Bota sot”.

Krasniqi: Shumica e politikanëve e kanë vendin në burg

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, thotë se nuk ka rëndësi ajo çfarë thuhet në Raportin e Progresit, pasi luftimi i korrupsionit nuk po bëhet.

“Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është edhe kusht serioz i BE-së ndaj Kosovës, sepse po të ishte kusht serioz, atëherë shumica e politikanëve dhe këlyshëve të tyre do të duhej të shkonin në burg për aferat e ndryshme korruptive në Kosovën e pasluftës. Prandaj nuk ka fare rëndësi se çfarë shkruan në Raportin e Progresit dhe të gjeturat e saj. Korrupsioni dhe krimi i organizuar luftohet, nëse këta politikanë që Kosovën e kanë sjellë në këtë gjendje të shkonin në burg”, është shprehur Krasniqi.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Vizat hiqen deri në fund të vitit

Sipas tij, liberalizimi i vizave do të bëhet për shkak se duhet t’i vie  fundi izolimit të qytetarëve të Kosovës, derisa thotë se kjo do të ndodhë në dhjetor të këtij viti ose në fillim të vitit 2019.

“Kosova dhe qytetarët e saj do ta fitojnë liberalizimin e vizave, jo për shkak të punës së kryeministrit Haradinaj dhe ish kryeministrave Thaçi e Mustafa, por për shkak se ka ardhur fundi i izolimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës dhe për shkak se BE-së i ka interesuar më shumë ratifikimi i Demarkacionit, dhe jo lufta e korrupsionit endemik dhe krijimi i një shteti serioz. Sikur BE-ja të kishte qenë e interesuar që Kosova të bëhej shtet serioz, këta politikanë nuk do t'i kishim në skenën politike. Ne do të shtirremi se gjoja e kemi plotësuar edhe këtë kusht, dhe ata do të shtirren se gjoja e kemi e plotësuar. Deri në dhjetor të këtij viti, ose janar të 2019 do të liberalizohen vizat”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot’.

Ndryshe, ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit që ka qenë një ndër kushtet për liberalizim të vizave është përmbushur, derisa tani mbetet luftimi i krimit dhe korrupsionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat