Flet Tomë Gashi, a mundet Serbia të ngritë aktakuzë ndaj zyrtarëve të Kosovës për arrestimin e Gjuriqit?

Politika

Flet Tomë Gashi, a mundet Serbia të ngritë aktakuzë ndaj zyrtarëve të Kosovës për arrestimin e Gjuriqit?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 prill 2018 Në ora: 14:27
Tomë Gashi

Serbia po planifikon të ngritë aktakuzë ndaj zyrtarëve të Kosovës, për arrestimin e drejtorit së të ashtuquajturës Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Kështu ka bërë të ditur ministri serb i Punëve të Jashtme Nebojsha Stefanoviq, i cili ka deklaruar se organet kompetente të Serbisë po ndërmarrin masa dhe veprime që do të duhej të shpinin në ngritje të aktakuzës kundër ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve për arrestimin e Gjuriq, i cili ka thënë se qytetarët e Serbisë janë dëshmitarë për aktin terrorist kundër Marko Gjuriqit e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë dhe Prokuroria për krim të organizuar ka filluar hetimet.

“Tashmë ekziston një drejtim i mirë në kuptimin se ne i kemi personat që kanë marrë pjesë në veprimet e ndryshme në këtë akt dhe që kundër atyre personave të ngrihet aktakuzë, ndërsa po priten rrethanat që ata ë jenë të qasshëm tek organet tona dhe që t’i dorëzohen organeve tona të drejtësisë“, ka thënë Stafanoviq.

E sipas mediave serbe, zyrtarët ndaj të cilëve do të ngritet aktakuza janë ish shefi i AKI-së, Driton Gashi, ish ministri i punëve të brendshme të Kosovës Flamur Sefaj dhe Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit Behgjet Pacolli.

Se a mund ta bëjë një gjë të tillë, për gazetën “Bota sot”, avokati i njohur, Tomë Gashi, ka thënë se Serbia mund të ngritë aktakuza të cilat mund t’i dërgojë pranë gjykatave që veprojnë në Serbi e që kanë autorizim për territorin e Kosovës, por që kjo nuk e rrezikon askënd.

“Sigurisht që Serbia mund të ngritë aktakuza ndaj personave që i ke përmendur...dhe këto akuza mund t’i dërgojë pranë Gjykatave që veprojnë në Serbi, të autorizuara për territorin e Kosovës. P.sh siç është Gjykata në Nish e cila mbulon territorin e Gjykatave të Prishtinës. Kjo nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë dhe nuk e rrezikon askënd nga ata që do të akuzohen nga Serbia përveç nëse zihen-shkojnë në territorin e Serbisë dhe këtë Serbia e bën për konsumim të brendshëm ngase Serbia ende e konsideron territorin e Kosovës si territor integral të Republikës së Serbisë dhe këtë ende e ka në kushtetutën e saj”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, e gjitha është luftë politike brenda Serbië, pasi brenda saj ka tri pozicione politike që përfaqësohen nga partitë aktuale atje.

“Është çështje e një lufte politike brenda vet Serbisë ngase edhe brenda Serbisë ka së paku tri pozicione politike të përfaqësuara nga partitë aktuale në Serbi. 1- Pozicionet e partive që deklarojnë se statusi politik i Kosovës ende nuk është zgjidhur dhe këta mendojnë ta bëjnë përmes negociatave që sipas tyre duhet të bëhen me OKB, pasi që ende është në fuqi rezoluta e OKB 1244...2- Pozicionet e partive politike që e konsiderojnë Kosovën pjesë integrale të Serbisë e që janë partitë në pushtet dhe 3- Partitë e vogla dhe intelektual të Serbisë që e kuptojnë realitetin dhe e pranojnë shpeshherë edhe haptas, publikisht në media që Kosova është shtet i pavarur”, është shprehur avokati Gashi.

Ai vlerëson se ngritja e aktakuzave të tilla nuk i bën keq atyre të cilët akuzohen dhe se është një gjë që ju konvenon edhe pushtetarëve në Kosovë edhe atyre në Serbi dhe me këto po vazhdon spektakli që nga arrestimi i Gjuriqit.

“As këtyre që do të akuzohen për arrestimin e Gjuriq nuk do t’ju bie keq sepse veten do ta konsiderojnë patriotë që ndikuan në arrestimin e një civili- Gjuriqit me të gjitha forcat elite-speciale të Policisë së Kosovës e që në kushte normale sikur Kosova të kishte sovranitet në veri të Kosovës, Gjuriqi do të duhej dhe do të mund të arrestohej me vetëm dy policë të Kosovës, njëri në uniform e tjetri në rroba civile. E gjithë kjo është bërë për spektakël medial- politik dhe spektakli po vazhdon me ngritjen e këtyre akuzave e që për përfitime politike të brendshme ju konvenon edhe pushtetarëve në Kosovë si dhe atyre në Serbi”, ka deklaruar Tomë Gashi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat