“Dyshimi” gjerman për shtetin e Kosovës!

Politika

“Dyshimi” gjerman për shtetin e Kosovës!

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 30 prill 2018 Në ora: 09:48
EULEX

Qeveria gjermane, ditë më parë kërkoi që misioni evropian i sundimit të ligjit në Kosovë, EULEX, duhet të zgjasë mandatin edhe për dy vite. Ndërkohë që liderët e Kosovës dëshirojnë që misioni të përmbyllë mandatin e vet në fund të qershorit.

Nga zyra e Ministrisë së Jashtme në Gjermani, bëjnë të ditur se EULEX-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe institucionet e Kosovës, dhe se Berlini dëshiron që misioni të vazhdojë punën, shkruan "Bota sot".

“Për këtë arsye, Gjermania mbështet fuqishëm vazhdimin e mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet, megjithëse thjeshtëson detyrat e saj”, kanë thënë nga zyra e Ministrisë së Jashtme në Gjermani.

EULEX-i erdhi në detyrë pas largimit të UMNIK-ut nga Kosova, e mandatin e tij e përfundon zyrtarisht në fund të qershorit të këtij viti.

Liderët e Kosovës janë absolut këmbëngulës që mandati i EULEX-t të përfundojë në datën e paraparë dhe të mos vazhdojë tutje, mirëpo kjo këmbëngulësi mund të ngjall dyshime, sepse pas largimit të tyre, institucionet e Kosovës do ta marrin në dorë të gjithë sistemin e drejtësisë, i cili nuk është aq i pavarur sa duhet.

Mosbesimi gjerman në institucionet e Kosovës

Image
Faton Abdullahu

Lidhur me këtë, analisti politik Faton Abdullahu, thotë për “Bota sot” se mosfunksionimi i mirë i institucioneve të Kosovës apo thënë ndryshe dështimet e mëdha për ta luftuar korrupsionin për ta bërë gjyqësorin më efikas dhe reformat në drejtësi, e kanë shtyrë shtetin gjerman të lëshojë këto deklarata.

“Arsyeja kryesore pse e ka pa të udhës Qeveria gjermane të konstatojë se EULEX-it duhet t’i zgjatet mandati në Kosovë është mosfunksionimi i mirë i institucioneve të Kosovës apo thënë ndryshe dështimet e mëdha për ta luftuar korrupsionin për ta bërë gjyqësorin më efikas dhe reformat në drejtësi. Sikur të mos ishte ky realitet i tillë në Kosovë, çfarë nuk e duam asnjëri prej nesh, Gjermania nuk do ta kishte këtë qasje. Sikur të kishim funksionim normal demokratik e efikas të institucioneve tona, nuk do të kishte nevojë që as edhe një ditë më shumë të qëndronte më shumë në Kosovë EULEX-i. Por, për aq sa ngecjet në zbatimin e ligjit janë të pranishme dhe me shumë defekte, sugjerimi konkret i shtetit mik, pra Gjermanisë, është i arsyeshëm dhe i justifikueshëm. Fatkeqësisht”, u shpreh Abdullahu.

Gjermania ende beson te EULEX

Image
Avni Islami

Ndërkaq profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, në një prononcim për “Bota sot”, mendon se deklaratat e Gjermanisë që EULEX-i ta vazhdojë misionin e tij në Kosovë, mund të vijnë për arsye se Gjermania ka ende besim te EULEX-i.

“E dimë se misioni i EULEX në Kosovë do të përfundojë në qershor të këtij viti, ndërsa deklaratat e shtetit Gjerman që EULEX të vazhdoj mandatin e tij në Kosovë, mund të vinë për arsye se Gjermania ka ende besim te EULEX-i dhe te strukturat e saj. EULEX-i ka pas “sukseset” e tij gjatë qëndrimit në Kosovë, por jo edhe aq sa pritej”, u shpreh Islami.

Ai është i bindur që institucionet e Kosovës janë të gatshme maksimalisht që ta marrin vetë në dorë sistemin e drejtësisë edhe pas largimit të EULEX-it, duke shpresuar që ata të jenë të pavarur.

“Unë mendoj dhe jam shumë i bindur që institucionet e sigurisë së Kosovës, janë të gatshme maksimalisht që ta marrin në dorë vetë udhëheqjen e strukturave të sigurisë, pasi trajnimet e ndryshme të tyre, i bëjnë ata më profesional, mirëpo shpresoj që ata të mos jenë të ndikuara nga organet qeverisëse”, theksoi Islami.

“EULEX ta vazhdojë mandatin"

Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i institutit për studime të Sigurisë-ISS, Armend Halimi, thotë për “Bota sot”, se kërkesa e Gjermanisë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it është për angazhimin dhe kontributin në sferën e drejtësisë, sidomos gjyqësisë.

Image
Armend Halimi

“Misioni i EULEX-it sikurse e dimë me tepër ka mision sistemin e drejtësisë, se sa mision operativ te sigurisë, përkatësisht kur është fjala për ballafaqim direkt me kriminalitet, kjo tani më veç është dëshmuar, ngase përsigurinë e brendshme ekskluzivisht është përgjegjëse dhe kompetente Policia e Republikës sëKosovës, ndërsa për atë të integritetit territorial dhe sigurisë së përgjithshme është KFOR-i. Sigurisht që EULEX asiston edhe në aksione kundër krimit te organizuar, mirëpo nevoja për misionin e tij tani, sipas edhe kërkesës së qeverisë gjermane,ështëpër angazhimin dhe kontributin nësferën e drejtësisë, sidomos gjyqësisë, ku veç e dimë që kapaciteti njerëzor i gjykatave tona për të qenë efikas në përgjithësi, e ne veçanti me lëndë të krimit të organizuar dhe korrupsionit është shumë i dobët, e qëfatkeqësishtkësajdobësie i kontribuon para se të gjithash mos pasja guxim e gjykatëseve vendor për të trajtuar krimet e tilla”, është shprehur Halimi.

Sipas Halimit, nëse një shtet si Gjermania thotë se EULEX-i duhet të vazhdojë mandatin në Kosovë, kjo duhet të ndodh pasi dihet që Gjermania ia do të mirën Kosovës.

"Për më tepër, Gjermania është vend mik i Kosovës i dëshmuar prej kohësh, me një kontribut të madh në çdo aspekt, e që sigurisht pritet shumë edhe kontributi i saj në sistemin e drejtësisë në një të ardhme jo të largët, pra nëpërmes po këtij misioni, pra EULEX-it. Është fakt se edhe ky organ, nuk ka realizuar gati as minimumin e misionit të tij për çfarë është thirrë dhe deklaruar, por që kur një shtet me ndikim të madh në Evropë insiston që ky mision të vazhdojë punën në Kosovë, le të shpresohet për një seriozitet në realizimin e misionit, ngase logjikisht nuk do investohej pafundësisht në një mision të dështuar”, përfundoi Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat