Platforma e Qeverisë, ndanë opozitën

Politika

Platforma e Qeverisë, ndanë opozitën

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 2 maj 2018 Në ora: 10:22
Dialogu në Bruksel

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, ende nuk kanë vendosur se a do të përkrahin platformën e Qeverisë Haradinaj për bisedimet finale me Serbinë.

Deputetë dhe zyrtarë të këtyre dy subjekteve politike, thonë se zyrtarisht ata nuk kanë pranuar tekstin e kësaj platforme.

Qeveria Haradinaj me 19 prill, miratoi platformën për dialogun politik me Serbinë. Ky dokument duhet të miratohet në formë të një rezolute në Kuvend, ku përmes saj, institucionet e Kosovës do të fillojnë bisedimet me zyrtarët serbë për arritjen e një marrëveshje ndërkombëtare, të pranueshme për të dyja shtetet.

Në këto bisedime, rolin udhëheqës do ta ketë presidenti i shtetit, Hashim Thaçi.

Për këtë pikë, përfaqësuesit e LDK-së dhe ata të Vetëvendosjes kanë mendime të ndryshme se a duhet të lejohet shefi i shtetit të udhëheq këto bisedime.

Përderisa në LDK thonë se në strukturat e partisë ende nuk është marrë një vendim për platformën e ekzekutivit, në Lëvizjen Vetëvendosje kundërshtojnë kategorikisht pjesëmarrjen e presidentit në bisedime.

Ata thonë, se presidenti Thaçi nuk është një figurë e denjë për bisedime, pasi që sipas tyre, gjatë kohës sa ai ishte kryeministër, ai ka bërë marrëveshje në dëm të Kosovës.

Gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të presidencës për të marrë një përgjigje lidhur me deklaratat e Vetëvendosjes se kreu i shtetit, Hashim Thaçi nuk mund të udhëheq bisedimet finale me Serbinë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Veliu: Institucionet Kushtetuese të merren me bisedimet

Nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se subjekti i tij politik ende nuk ka marrë një vendim në strukturat e partisë lidhur me platformën për bisedimet me Serbinë.

Image
Agim Veliu

Veliu thotë se ky dokument duhet të kalojë përmes Kuvendit, por sipas tij, janë institucionet Kushtetuese ato që duhet të merren me bisedimet e Brukselit.

“Kjo është një çështje që duhet të merren organet shtetërore. Unë besoj që platforma për bisedimet finale me Serbinë duhet të kalojë përmes Kuvendit. Të shohim. Por, bisedimet sigurisht që duhet të udhëhiqen dhe zhvillohen prej institucioneve kushtetuese”, thotë Veliu për “Bota sot”.

Sa i përket faktit që platforma autorizon presidentin Thaçi për të hequr bisedimet e ardhshme, Veliu thotë se institucionet e zgjedhura duhet të udhëheqin këtë proces. 

“Tash secili në kuadër të përgjegjësisë që i ka. Pa marr parasysh, unë jam ithtarë i asaj që institucionet e zgjedhura të udhëheqin këtë proces”, shtoi Veliu.

Nagavci: Jemi kundër që Thaçi t’i udhëheq bisedimet

Ndryshe, nga Veliu i LDK-së, mendon deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.

Ajo thotë se në asnjë mënyrë nuk duhet të lejohet presidenti t’i udhëheq bisedimet me Serbinë.

“Në si subjekti politik jemi kundër që Thaçi t’i udhëheq bisedimet, dhe për më tepër kjo bie ndesh me obligimet kushtetuese të presidenti. Presidenti nuk ka asnjë bazë juridike, etike e as për shkak të marrëveshjeve të mëhershme që ai i ka bërë në dëm të Kosovës”, thotë Nagavci për “Bota sot”.

Image
Arbërie Nagavci

Sipas saj, Hashim Thaçi në cilësinë e kryeministrit ka bërë marrëveshje të dëmshme për vendin.

“Forma si është zhvilluar dialogu nga ai deri më tani, ka qenë e papranueshme, ka qenë paautorizim prej Kuvendit dhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme janë bërë në dëm të shtetësisë dhe tërësisë territoriale të Kosovës”, shtoi Nagavci për “Bota sot”.

Qeveria Thaçi prej vitit 2010 filloi bisedimet teknike me Serbinë, e më pas ato politike.

Gjatë këtyre bisedimeve u nënshkruan disa marrëveshje. Prej tyre, ajo për fusnotën dhe ajo e 2013 për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Një ndër pikat kryesore të kësaj marrëveshje, është ajo për themelimin e Asociacionit të komunave serbe.

Kritikohet përmbajtjes së platformës së Qeverisë

Përpos kundërshtimit që bisedimet të udhëhiqen nga presidenti i vendit, deputetja Nagavci shprehet kritike edhe ndaj përmbajtjes së platformës së Qeverisë për bisedimet me Serbinë.

“Platforma ende nuk ka ardhur në Kuvend, duhet të vijë në Kuvend, por për momentin ende nuk është proceduar. Por, çfarë kemi parë nga mediat. Ajo është shumë e varfër. Sigurisht që në momentin që vjen në votim në do të votojmë kundër”, thotë Nagavci.

“Në këtë formë kështu si është ne nuk do të përkrahemi. Ka shumë pak materiale, nuk i përcakton temat që duhet të bisedohet dhe nuk parasheh që paraprakisht nga kuvendi të caktojë agjendën”, shtoi ajo.

Edhe Jeta Krasniqi nga KDI, mendon se platforma për bisedimet me Serbinë është shumë e varfër.

Image
Jeta Krasniqi

“Platforma aktuale është një dokument i varfër që i ngjan një procedure teknike të miratimit të një dokumenti nga ana e Qeverisë, e cila dëshiron të konfirmojë udhëheqjen e këtij procesi nga ana e Presidentit të vendit, për mbylljen e procesit me marrëveshje ligjërisht të obligueshme në mes palëve dhe epilogun e njohjes reciproke”, thotë Krasniqi për “Bota sot”.

“Ky dokument më shumë duket të jetë një autorizim për presidentin e vendit që të udhëheqë bisedimet me Serbinë, pa pasur një dakordim të spektrit politik vendor, shoqërisë civile, sferës akademike e botës mediatike”.

Krasniqi thotë se ky dokument nuk u cek çështjet kryesore të bisedimeve.

“Kjo platformë nuk përcakton temat e diskutimit, nuk ofron shpjegime mbi ekipin negociues dhe strukturën e tij, nuk ofron informacione se çfarë do të ndodh me marrëveshjet e arritura deri më tani, çfarë roli do të ketë Kuvendi i Kosovës apo dhe vetë Qeveria, pra ekzekutivi i vendit i cili ka udhëhequr me këtë proces. Me anë të kësaj platforme nuk janë të përcaktuara afatet kohore apo mekanizmat zbatues, nuk është e përcaktuar se çfarë hapash do të ndërmarrin institucionet e Kosovës për të lobuar për platformën kosovare”, shtoi ajo.

Kelmendi kërkon një platformë kundër Thaçit

Image
Muhamet Kelmendi

Nga ana tjetër, profesori i së drejtës juridike Muhamet Kelmendi, kërkon nga Kuvendi që të miratojë platformën përfundimtare se si duhet të bëhen bisedimet.

“Unë mendoj se kjo çështje duhet të kalojë në Kuvend dhe Kuvendi duhet të jetë ai që të vendos platformën politike e të caktojë delegacionin”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Por, Kelmendi kundërshton me çdo kusht idenë që kreu i shtetit të përfshihet në bisedime me Serbinë.

“Mendimi im personal është që zoti Thaçi të jetë udhëheqës për arsye se ai ka bërë shumë gabime aq të mëdha në të kaluarën që ato ndikojnë negativisht në sovranitetin, integritetin dhe shtetësinë e Kosovës”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Kelmendi përmend marrëveshjet që i ka bërë Thaçi, në bisedimet e më hershme me zyrtarët serb.

“Thaçi atëherë si kryeministër ka filluar me bisedime teknike që ia solli Kosovës fusnotën, arriti t’i bëjë policë njerëzit e rojës së urës të cilët punojnë për Serbi, e shumë gjëra tjera”, shtoi Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat