Kritikat e Apostolovës për zv/ministrat, Shahu tregon se si ajo ka mundur ta parandalojë

Politika

Kritikat e Apostolovës për zv/ministrat, Shahu tregon se si ajo ka mundur ta parandalojë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 2 maj 2018 Në ora: 20:02
Kuvendi i Kosovës, foto arkvi

Qeveri me shumë ministra e numër të madh zëvendësministrash vlerësohet Qeveria aktuale e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj.

E për numrin e madh të zëvendësministrave në kabinetin qeveritar, sot përfaqësuesja e BE-së në Kosovë Natalya Apostolova, tha se është e dhimbshme kur flitet për administratën publike, e Kosova është vendi që ka 80 zëvendës ministra.

Madje, ajo tha se duan të shohin paratë të përdoren për reformë të mirëfilltë, e jo për paga të zëvendësministrave.

“Është me rëndësi që këto rekomandime që GIZ i ka bërë që të merren seriozisht. Pastaj varet sa i përkushtuar është ministri dhe ekipi i tij ti realizojë këto reforma. Që për MASHT të jetë llogaridhënia. Kemi nevojë për përkushtimin e Ministrisë së financave dhe Administratës publike sepse disa reforma që flasin këtu, do t’i prekin dhe sferat e tyre.  Është e dhimbshme kur flasim për administratën publike. Kosova  është vendi që ka 80 zv/ministra. S’po dua të bëj krahasime me vendet tjera në regjion. Por, kuptoni çfarë dua të them. Në administratën publike në reformë të saj, kur ne shpenzojmë buxhetin në mbështetje më të madhe diku 75 milion. Ne dëshirojmë të shohim që këto para të përdoren për reformë të mirëfilltë, e jo vetëm për paga të zv ministrave”, tha ajo.

Image
Rexhep Shahu

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se çështja e 80 zëvendësministrave është shaka e madhe e Evropës dhe se duhet të ketë shumë më pak.

“Natyrisht që duhet të ketë shumë më pak zëvendësministra sepse një shtet i vogël me 80 zëvendësministra është tashmë si shakaja e madhe e Evropës. Nuk mund të shërbejnë çokat me taksat e qytetarëve për të joshur parti e individë politikë”, është shprehur ai.

Sipas Shahut, Apostolova ka të drejtë për qortimin e saj dhe që sipas tij ajo përmes institucionit që përfaqëson do të mund të kishte ndërhyrë që kjo të mos ndodhte.

“Zonja Apostolova ka shumë të drejtë me qortimin e saj për 80 zëvendësministra, por besoj se ajo mund të kishte ndërhyrë me anë të institucionit të saj, me anë të Brukselit që të mos ndodhte kjo histori, në thelb banale. Një qeveri gjen mënyra të tjera për të bërë bamirësira politike”, ka vlerësuar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat