Caktimi i kryeprokurorit të ri të Speciales, Zogaj: Kosova po del nga pengu i hipotekës së krimit

Politika

Caktimi i kryeprokurorit të ri të Speciales, Zogaj: Kosova po del nga pengu i hipotekës së krimit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 maj 2018 Në ora: 20:50
Selia e Gjykatës Speciale

Prokurori amerikan Jack Smith do të jetë së shpejti Kryeprokuror në Gjykatën Speciale, duke zëvendësuar David Schwediman, i cili e ka përfunduar mandatin e tij.

Se a pritet që emërimi i tij të shtyjë ngritjen e aktakuzave të para apo t’i përshpejtojë ato, për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike në vend, Skënder Zogaj, ka thënë se emërimi i tij është lajm i mirë, pasi nis etapa e daljes nga pengu i hipotekës së krimit, i shtetit të Kosovës, derisa shton se ajo nuk do të bëjë mrekulli.

Image
Skënder Zogaj

“Caktimi i kryeprokurorit të ri të Gjykatës Speciale, Jack Smith është një lajm i mirë sepse, me nismën e punës së Gjykatës Speciale fillon etapa e re e nismës së daljes nga pengu i hipotekës së krimit, i popullit dhe shtetit të Kosovës! Gjykata nuk do të bëj mrekulli, por do të pasqyrojë krimet dhe kriminelët dhe kjo do të kthjellë vetëdijen e shqiptarëve të Kosovës që të shkëputen nga nëntoka e krimeve e të marrin vendime të duhura për një ardhmëri më të mirë dhe dinjitoze pas robërisë shekullore! Këtë mundësi do ta ofrojë Gjykata Speciale”, vlerëson Zogaj.

Sipas tij, do të shtyhen ende aktakuzat e para, pasi kryeprokurorit i duhet kohë për tu njohur me lëndët, por që thotë se aktakuzat e para do të ngriten kah fundi i vitit.

“Sa i përket nismës së punës mendoj se do të ketë edhe pak shtyrje të afatit, sepse kryeprokurorit të ri i duhet kohë për t’u njohur me dosjet e aktakuzave që duhet të ngriten! Pra, unë mendoj se akuzat e para do të publikohen kah fundi i vitit”, është shprehur Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat