Aktakuzat e Serbisë ndaj ish- pjesëtarëve të UÇK-së, temë e dialogut?

Politika

Aktakuzat e Serbisë ndaj ish- pjesëtarëve të UÇK-së, temë e dialogut?

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 8 maj 2018 Në ora: 11:59
Thaci- Mogherini- Vuciq

“Nuk e di pse mungon ky guxim tek institucionet tona dhe pse në vazhdimësi duhet që Kosova të “lëshoj pe”, mirëpo, besoj se reciprociteti do të kuronte shumë probleme që po paraqiten thjeshtë sepse Serbia po e din që me Kosovën po mundet të ketë këtë qasje jo korrekte.  Prandaj, sa më parë që aplikohet një reciprocitet i përgjithshëm ndaj Serbisë, aq më parë do të shohim një përmirësim të qasjes që Serbia ka ndaj Kosovës.” ka thënë Korab Sejdiu Deputet i Pavarur i Kuvendit të Kosovës.

Vizitat e delegacioneve serbe në Kosovë nuk janë të rralla. Gjatë shënimit të ndonjë manifestimi të ndonjë feste fetare apo kulturore një pjesë e qeverisë serbe vijnë në Kosovë. Ata vizitojnë objektet kulturore, duke e cekur vazhdimisht se Kosova është pjesë e Serbisë.

Por, vizita e fundit nuk u përcoll pa probleme. I ashtuquajtur drejtori i zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq erdhi në Kosovë me 26 Mars, pa lejen e autoriteteve të Kosovës, me ç’rast u arrestua nga Policia e Kosovës.

Pas arrestimit të Gjuriqit, pasuan deklaratat e qeveritarëve serbë, ku e kundërshtuan ashpër këtë akt, madje nxitën edhe deklarata për një luftë të re në Ballkan.

Por, a do të mundet kryeministri Ramush Haradinaj të vizitojë jug lindjen, ku në atë pjesë shtrihen qytetet, ku historikisht disa qytete i kanë takuar Kosovës?

Javën e kaluar kryeministri është ftuar të marrë pjesë në manifestimin tradicional ‘Takimet e Vendlindjes 2018’ në Medvegjë.

Por këshilltari i tij, Avni Arifi  ka thënë se Haradinaj nuk do të jetë pjesë e këtij manifestimi.

Mirëpo, a është arsyeja e mos vizitës kërcënimi i Ministrit të Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, ku ka thënë se asnjë protokoll nuk mund ta mbrojë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj nga arrestimi nëse ky i fundit viziton Serbinë?

Duke komentuar deklaratën e Haradinajt, se është i gatshëm për të vizituar Medvegjën dhe se vizita e tij do të bëhej me protokoll dhe me leje të autoriteteve serbe, Stefanoviq ka thënë se Haradinaj e ka vendin vetëm në burg.

“Gjykatat tona e kërkojnë Haradinajn për krime të rënda dhe nuk ka protokolle që mund ta mbrojnë atë”, është shprehur Stefanoviq, përcjellin mediet.

Përpos, Haradinajt të ftuar në këtë manifestim ishin Presidenti Hashim Thaçi, Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli dhe Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Reciprociteti i domosdoshëm

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se arrestimi eventual i Haradinajt në Serbi do të nënkuptonte një tensionim të jashtëzakonshëm të situatës dhe përkeqësim të raporteve ta acaruara në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Image
Korab Sejdiu

“Kjo qasje e Serbisë nuk është befasuese, sepse është vazhdimësi e destruktivitetit që tregojnë karshi Kosovës në rajon dhe ndërkombëtarisht.  Unë nuk e di sa janë këto kërcënime retorikë politike, apo kërcënime kredibile, sepse për këtë vetëm Serbia mund te jep përgjigje.  Mirëpo, Kryeministrit Haradinaj, duhet ta ketë parasysh këtë kërcënim në marrjen e vendimit lidhur me ndonjë vizitë eventuale në Serbi.  Arrestimi eventual i kryeministrit Haradinaj në Serbi do të nënkuptonte një tensionim të jashtëzakonshëm të situatës dhe përkeqësim të raporteve veç të acaruara në mes të Kosovës dhe Serbisë.  Por, vlen të potencohet se kërcënimet e tilla nuk duhet lënë të papërgjigjura nga ana kosovare” ka thënë ai.

Deputeti Sejdiu, ka shtuar se sa më parë që aplikohet një reciprocitet i përgjithshëm ndaj Serbisë, aq më parë do të shohim një përmirësim të qasjes që Serbia ka ndaj Kosovës.

“Në raportet që Kosova ka me Serbinë, ekziston një mungesë guximi nga institucionet e Kosovës që të aplikojnë reciprocitet të plotë, si në aspektin politik, ashtu edhe në sfera të tjera si ekonomia, arsimit, etj.  Natyrisht, e them këtë me ndonjë përjashtim eventual të vogël, por në përgjithësi, institucionet e Kosovës janë treguar të dobëta në veprimin si shtet karshi Serbisë në raport me abuzimet e vazhdueshme që Serbia bënë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.  Nuk e di pse mungon ky guxim tek institucionet tona dhe pse në vazhdimësi duhet që Kosova të “lëshoj pe”, mirëpo, besoj se reciprociteti do të kuronte shumë probleme që po paraqiten thjeshtë sepse Serbia po e din që me Kosovën po mundet të ketë këtë qasje jo korrekte.  Prandaj, sa më parë që aplikohet një reciprocitet i përgjithshëm ndaj Serbisë, aq më parë do të shohim një përmirësim të qasjes që Serbia ka ndaj Kosovës.” ka përfunduar Sejdiu.

Kryeministri nuk ka çka lyp në Beograd

Njohësi i zhvillime politike në  vend, Haki Abazi, në një prononcim për “Bota  sot” ka thënë se ka ardhur koha që kryeministri i Kosovës, kushdo që të jete ai të lirohet nga komplekset me Serbinë.

“E natyrshme, Serbia dëshiron të mirëmbajë presionin para ndërkombëtarëve duke thënë se po negocion me njerëz që kanë aktpadi, po i shantazhon në vazhdimësi përfaqësuesit e shtetit që njihet si metodën e krijimit të pozicionit të avantazhit në negociata dhe gjithashtu me këtë po mirëmbajnë narrativen shoveniste në diskursin e brendshëm të Serbisë për nevoja elektorale. Ka ardhur koha që kryeministri i Kosovës kushdo që të jete ai të lirohet nga komplekset me Serbinë. Serbia është e parëndësishme për proceset e brendshme në Kosovë”, ka thënë Abazi.

Image
Haki Abazi

Sipas tij, mjedisi, pastrimet e rrugëve, menaxhimi spitaleve dhe shkollave, mëngjismi i PTK, gjendja e popullatës se gjeneratës së tretë e të katërt, menaxhimi has bankës qendrore, punësimet familjare, marrëdhëniet bilaterale me vendet që e kane njohur Kosovën, përkrahja e sportisteve, prodhimet organike bujqësore, ripërtëritja e zanateve dhe prodhimeve tradicionale nuk varen nga Serbia.

“ Kryeministri i Kosovës nuk ka çka lyp në Beograd, derisa nuk ndërtohet memoriali i shqiptareve të vrarë e të masakruar që nga 1878 deri tani. Çfarëdo vizitë apo kërkesë për vizitë duket se është inferioritet mbështjellë me arrogancë dhe jo përmbajtje. Përmbajtja është të rregullohen punët në shtëpi”, ka thënë Abazi

Arrestimi i Haradinajt në Serbi nxit konflikt ndërmjet dy shteteve

Arton Demhasaj nga Organizata Çohu, ka thënë për “Bota sot”, se është rrezik që Haradinaj ta vizitojë Serbinë për arsye të arrestimit të menjëhershëm të tij.

Demhasaj, gjithashtu ka theksuar se reciprociteti  është i domosdoshëm si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik.

Image
Arton Demhasaj

“Problemi i parë është se ne në Kosovë nuk kemi aktakuza ndaj lidershipit të Serbisë, qoftë ndaj kryeministrit apo presidentit, ministrat e kabinetit me akuza në mënyrë që sapo të hynë në Kosovë t`i arrestojnë.

E dyta, Serbia ka akuza kombëtare që lidhen me Interopl e Europol për një pjesë të lidershipit tonë politik, që kanë qenë në luftën në UÇK-së. Në kuadër të kësaj vizitë kryeministri jonë mund të rrezikojë që të arrestohet menjëherë dhe të del para gjykatës për shkak të akuzave të Serbisë ndaj Haradinaj dhe kjo është rrezik për shkak konsiderojë që nuk do duhet të duhet të ndodhë diçka e tillë. Sa i përket reciprocitetit unë jam për me pas reciprocitet  si në aspektin ekonomik si atë politik dhe jam për atë që askush prej lidershipit të Serbisë nuk mundet ta vizitojë Kosovën nëse nuk ka  leje nga autoritetet kosovare dhe kjo mendojë që  duhet me ndodhë. Haradinaj nuk mund të vizitojë Serbinë derisa ka aktakuza në Serbi për krime lufte. Konsiderojë që është shumë e rrezikshme për arsye të acarimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në mënyrë që mundet të ketë edhe konflikt të armatosur që është e rrezikshëm me ndodhë”, ka thënë Demahasaj.

Po ashtu, ai ka komentuar edhe lajmet për fshirjen e emrit të Haradinajt nga lista e të kërkuarve.

”Në momentin kur Haradinaj shkelë hapësirën territoriale të Serbisë, automatikisht rrezikon burgosjen, mirëpo ne e kemi parë vitet e kaluar me vizitën e Haradinaj në France ai u arrestua pikërisht me flet nisjen e Serbisë për krime lufte kështu që ai mundet të arrestohet edhe nga shtetet e tjera për shkak të flet arrestimit nga Serbia e jo më të hyjë në Serbi. Interpoli e ka hequr Haradinaj nga lista mirëpo Serbia nuk e ka tërhequr ende aktakuzat për figurat e UÇK-së, me pakë fjalë ka heq dorë Interpoli e jo më Serbia” ka thënë ai

Demhasaj, ka shtuar se kjo çështje duhet të hyjë si temë edhe në bisedimet me Serbinë.

“Mendoj që kjo duhet me qenë çështje që të bisedohet në dialog që Bashkimi Evropian ti bëjë presion Serbisë në mënyrë që ata ti heqin aktakuzat e tilla për faktin që ne kemi pas një Tribunal të Hagës, i cili është marrë me këto akuza ku disa prej tyre i ka shpallur të pafajshëm, gjithashtu kemi pasur edhe UNMIK-un, i cili ka gjykuar për krime lufte, gjithashtu edhe EULEXI i cili ka bërë në punë të mirë e tash e kemi një Gjykatë Speciale që është përgjegjëse dhe e cila do të ketë dhe një herë këto akuza në dorë. Bashkimi Evropian duhet ti bëjë presion Serbisë që Kosovën ta heqë nga preambula dhe mos të ketë Serbia të drejtë t`i akuzojë shtetasit tanë dhe me u marr me aspekte tjera gjyqësore” ka thënë Demhasaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat