Refuzoi “Shtabin e Rognerit”, Ilir Konushevci u vra në pabesi në një pritë të organizuar

Politika

Refuzoi “Shtabin e Rognerit”, Ilir Konushevci u vra në pabesi në një pritë të organizuar

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 9 maj 2018 Në ora: 22:29
Ilir Konushevci

Më 9 maj po bëhen plotë dy dekada që nga vrasja e Ilir Konushevcit, i njohur me nofkën “Mërgimi” gjatë luftës. Kjo vrasje ende nuk është e zbardhur. Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, pasi  ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe është njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në në përgjithësi.

Përgatitja ushtarake

Viti 1989 mbeti i paharruar për Ilirinë; pasi u vranë dy bashkëfshatarët (idolët) e tij, Afrim Zhitia dhe Bedri Sokoli. Në atë kohë Iliri theksonte: “Këto vrasje dhe vrasjet e tjera, do ta forcojnë edhe më shumë moralin dhe idealin tonë në rrugën e çlirimit të Kosovës”.

Fundi i viteve nëntëdhjetë karakterizohet me paraqitjen e jetës plurale. Pluralizmi,  konsiderohej si front legal i organizuar kundër synimeve nënshtruese të okupatorit, ku në këtë lëvizje Iliri dha një kontribut të jashtëzakonshëm, mirëpo, Iliri dhe shumë shokë të tij, shpejt e kuptuan se filozofia e një politike të pritjes është e pasuksesshme. Kështu filluan që të mendojnë për gjetjen e rrugës së mundshme për realizimin e çështjes madhore, lirisë së Kosovës, përmes luftës së armatosur.

Në qershor të vitit 1996 njësiti “Shqiponjat”, bie në kontakt përmes Rrustem Mustafës - Remit, me komandant Zahir Pajazitin dhe nga ajo kohë ishte vazhdimisht krah për krah me të. Zahiri thoshte “Ia kam lakmi Ilirit për qëndrim, guxim dhe sakrificë”. Pas vrasjes se Zahirit, Hakifit dhe Edmondit më 31 janar 1997, në fshatin Pestovë afër Vushtrrisë, me sugjerimin e shokëve (Selim Haziri, Naim Hyseni dhe Naim Haziri), kalojnë në ilegalitet në një banesë në Prishtinë për disa ditë dhe nga këtu vendosin që të kalojnë në Shqipëri. Nga ajo kohë, Iliri, në rrethanat e krijuara në Shqipëri, ndryshoi formën e veprimit të tij, por duke mos u larguar asnjëherë nga betimi i dhënë për të luftuar gjer në fund për çlirimin e Kosovës. Atje filloi të bashkëpunojë me bashkëluftëtarët e Zahirit, si me Adrian Krasniqin, (me të cilin ishte i pandarë deri në vdekjen e Adrianit), Mujë Krasniqin, Ismet Abdullahun, Murat Ajetin etj. Iliri në Shqipëri punoi në furnizimin me armatim në nivel të vendit, detyrë e cila ishte shumë e vështirë. Këtë detyrë e kryente kryesisht me Ardian Krasniqin (pas vrasjes së Luan Haradinajt). Pasi formuan rrjetin e bashkëpunëtorëve, Iliri dhe Ardiani disa herë erdhën në Kosovë, me qëllim të riorganizimit të radhëve të UÇK-së, si dhe koordinimit të punëve me rrethet e tjera, sepse pas vrasjes së Zahir Pajazitit, shumëçka nuk ishte si më parë. Pas vdekjes së Zahirit, Iliri e përfaqësonte ZOLL-in në Shtabin Qendror.

Vrasja

Kur pritej që përmes Ilirit në Kosovë të futeshin oficerë të lartë për në UÇK, kur në Kosovë zhvilloheshin ofensiva të ashpra dhe të cilat paralajmëronin një luftë frontale, atëherë kur pritej dhe kërkohej më së tepërmi sjellje e armatimit, derisa ishte duke kryer si çdo herë detyrën e tij me përkushtimin më të madh, u vra në mëngjesin e hershëm (rreth orës 2:00) të datës 9 maj 1998 atje ku me se paku pritej, në një pritë të organizuar nga dora e zgjatur e pushtuesit serb (së paku kështu thuhet), së bashku me mjekun Hazir Mala, derisa udhëtonin për në Bajram Curr, me një kamion të ngarkuar me armatim. Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe Shtabin e saj Qendror.

Edhe pse ende thuhet se Iliri u vra në pritën e organizuar nga armiku serb, vrasja e tij mbetet shumë enigmatike dhe e dyshimtë.

Dëshmia e Izet Haxhisë

Disa muaj më parë, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”,  Izet Haxhia tregoi bisedën që kishte me Ilir Konushevcin në kullën e Haklajve, ku sipas tij, Iliri i kishte thënë se ose do më vrasin ose do t’i vrasë, ku e kishte fjalën për shtabin e “Rognerit”.

“Autorët e vrasjes së Ilir Konushefcit dihen kanë qenë vëllezërit Bislim e Agim Demiri dhe disa të afërm të tyre. Bislim Demiri ka qenë një bashkëpunëtor i njohur i UDB-së serbe që në kohën e embargos ndaj Jugosllavisë, kohë kur ky person hynte e dilte lirshëm ne Kosovë duke bërë kontrabandën e naftës, por e rëndësishme është të dihet se kush ishin urdhëruesit e kësaj vrasje. Ilirin kam pasur fatin ta takoj tek kulla e Haklajve në vitin 1998 dhe në bisedë e sipër, ai i zemëruar tha se ose do më vrasin ose do t’i vras ata në Tiranë dhe kishte fjalën për grupin e “Rognerit” të cilët po i nxirrnin njëmijë pengesa në furnizimin me armë të luftëtarëve në front të UÇK-së. Si duket grupi i Rognerit u tregua më i shpejtë me ndihmën e Klosit dhe e eliminuan këtë luftëtar te madh, patriot e të ndershëm te Kosovës”,- kishte thënë Haxhia në intervistën për “Bota sot.

Ajeti: Koha e fundit për zbardhjen e vrasjes

Ish bashkëluftëtari i Ilir Konushefcit dhe Zahir Pajazitit, Avni Ajeti, ka folur për “Bota sot” lidhur me rolin e Ilirit në luftë duke treguar se çfarë ndodhi me të dhe me Ilirin pas vrasjes së Zahir Pajazitit.

Image
Avni Ajeti

“Roli i Ilir Konushevcit në kohën kur vepruam ishte i pazëvendësueshëm, ishte njeriu qe e zëvendësoj Zahirin, i ra mbi supe i gjithë organizimi i logjistikës për UÇK-në. Unë, Iliri dhe Shaip Haziri, pasi morëm lajmin për vdekjen e Zahir Pajazitit, është dashtë të largohemi prej Kosovës sepse ne jemi dekonspiruar dhe kemi qëndruar në Shqipëri dhe pastaj ajo lufta mori përmasa më të mëdha nga një luftë guerile në një luftë frontale dhe ne atje u mobilizuam me detyra si armatimi, furnizimi dhe pastaj ndodhi edhe vrasja e familjes Jashari dhe më vonë edhe ndihma e ndërkombëtarëve”- tregoi Ajeti për “Bota sot”.

Edhe Avni Ajeti, ka dyshime rreth vrasjes së Ilir Konushevcit.

Ajeti, vrasjen e tij e cilëson si të pazbuluar dhe turp i rënd për Shqipërinë dhe Kosovën. Ai dyshon që vrasja e Ilir Konushevcit është një krim mirë i organizuar dhe sipas tij është koha e fundit që të zbardhet kjo vrasje.

“Tani pas 20 viteve të flasim për vrasjen e pa zbuluar të Ilirit nga shteti Shqiptar si Shqipëria ashtu edhe Kosova, është turpi më i rëndë. Në këtë rast flet shumë, pra për një krim të organizuar dhe jam shumë i bindur që nuk e lë të qetë, prandaj është koha e fundit që të zbardhet kjo vrasje”.

Kujtojmë se, Avni Ajeti ishte guerili më i ri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili luftoi përkrah heronjve të mëdhenj si Zahir Pajaziti, Ilir Konushevci e shumë të tjerë.

Dyshimet

Është e qartë se shërbimi sekret serb, i njohur si UDB dhe njerëzit e saj në Shqipëri mund të kenë qenë dorasit e vrasjes së Ilir Konushevcit. Për disa kohë është folur për një telefonatë, një natë para ngjarjes, telefonatë e ardhur nga larg, që caktonte shumën që duhej për një vrasje, e kjo mund të jetë njëra ndër pistat e kërkimit të së vërtetës. Zërat nga larg, herë herë të njohur, e herë herë të panjohur, nuk shfaqen për herë të parë në historinë e politikës sonë në dekadat e fundit.

Periudha e vrasjes së Ilirit është edhe njëra nga pikat kyçe, kur në strukturat e luftës kishte zhvillime të ndjeshme dhe, pse të mos cilësohet, figura e Ilirit u bënte hije shumë vetëve që donin veten në pamjen e parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat