Përplasja e 8 milionë markave dhe platforma e LDK-së për vrasjet politike

Politika

Përplasja e 8 milionë markave dhe platforma e LDK-së për vrasjet politike

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 11 maj 2018 Në ora: 17:47
Anton Quni, Xhavit Haliti

Përplasjet në Kuvendin e Kosovës në mes të deputetëve nuk janë të pakta.

E së fundmi një përplasje e ashpër, gati në përleshje fizike ndodhi në mes të deputetit të LDK-së, Anton Quni dhe deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti.

I gjithë debati u zhvillua për 8 milionë markat, që sipas Quni, Haliti i kishte marr nga kolonel Ahmet Krasniqi.

 “Desha që t’i them edhe një herë Anton Qunit le t’i informoj mediat se nuk e ke sjellë asnjë dokument që dëshmon se unë i kam marrë 8 milionë. Sepse po dezinformojnë mediat se i ke argumentuar se i kam marr 8 milionë, unë s’i kam marrë 8 milionë të kam thënë atë ditë dhe edhe sot po të them, por edhe ty si koleg po të them, interpretimin qysh e keni bërë në emisione është tjetër, por mirë është t’iu thoni ta ndërprisni gënjeshtrën”, i kishte thënë Haliti-Qunit në një nga seancat e Kuvendit.

Ndërsa, Quni ishte kundërpërgjigjur duke thënë se ka sjellë fakte.

“Ju i keni të gjitha dëshmitë për cilën shumë bëhet fjalë, është një ndër dëshmitë, normal që nuk kam arritur t’i siguroj të gjitha, por në ato dëshmi janë vula e Ministrisë së Mbrojtjes, janë numri i protokollit, janë protagonistët, janë krejt. Janë me shumë se 8 milionë euro që Qeveria e Kosovës i ka ndarë për nevojat e Shtabi të përgjithshëm të UÇK-së, për nevojat e ko mandateve të zonave, e tjera, që të gjitha ju çdo herë i keni mohuar…ndoshta ende po mendoni se jeni në vitin 1998-99 kur keni marrë në pyetje njerëz të ndryshëm, i keni kërcënuar, i keni dhunuar, i keni abuzuar, por sot jemi në parlament”, ishte kundërpërgjigjur Quni.

Më pas Haliti tha se nëse del një njeri që dëshmon se ai e ka rrahur, dhunuar apo kërcënuar, ai do të jap llogari.

“Nëse del një shqiptar, ose një përfaqësues i cilitdo komunitet që unë e kam marrë në pyetje, që unë e kam shantazhu, që unë i kam thënë ndonjë fjalë të keqe, përveç në gjaknxehtësi me shokët e mi me shumë, unë nuk kisha qëndruar këtu. Unë nuk kam rreh askënd, nuk kam vra askënd qysh po thu ti, s’kam marrë në pyetje se s’ka qenë detyrë e imja, disa gjëra i dinë ti, s’po dua të flas. Por t’i sot edhe atë ditë ke gënjyer unë nuk kam nënshkruar dokument, sepse unë nuk kam nënshkruar me pseudonim kurrë me Qeverinë e Kosovës. Gjithçka çka kam nënshkruar, unë mendoj që kemi bërë mirë, e kam nënshkruar me emër dhe mbiemër tim, unë jap llogari për gjithçka çka kam nënshkruar në këtë botë dhe botën tjetër”, u shpreh Haliti.

Quni iu përgjigj sërish Haliti, duke i thënë se është mirë që po reflekton dhe po tregon që ka pasur bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës në ekzil.

“Unë ua dorëzova disa dokumente urdhëroni, mbetet në diskrecionin e juaj të publikoni nëse mendoni se është koha, bëni thirrje edhe tek autoritetet e Qeverisë që kanë menaxhuar me këto fonde a janë në pyetje me pak apo me shumë. Unë ua solla ato dëshmi….”, ishte përgjigja e Qunit ndaj Halitit.

Prokuroria nuk ka informata

Image
Hekrem Lutfiu

Por a duhet hetuar kjo çështje dhe a ka filluar hetimet Prokuroria, për akuzat që i kanë bërë deputetët njëri-tjetrit?

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Hekrem Lutfiu, ka thënë se ende nuk ka informata për këtë çështje.

“Nuk kam informata ende në lidhje me këtë çështje”, ka thënë Lutfiu.

Ndërsa, deputeti Anton Quni, nuk ka shtuar asgjë më shumë, duke thënë se të gjitha i ka thënë në Kuvend.

Image
Anton Quni

“Për këtë temë, të gjitha i kam thënë në Parlament”, ka thënë shkurt Quni për gazetën “Bota sot”.

Në anën tjetër, deputeti Xhavit Haliti nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës.

Debate që harrohen

Kurse, analisti politik, Faton Abdullahu, në një bisedë për gazetën “Bota sot” lidhur me këtë çështje, ka thënë se debate të tilla të ashpra në Kuvend, bëhen e më pas harrohen, duke lënë huti e duke mos ditur arsyen se pse bëhen këto.

Image
Faton Abdullahu

“Debate deputetësh me nota të ashpra konflikti për të kaluarën, mbi keqpërdorimet, krimet e besa edhe vrasjet, që janë bërë dikur, janë të herë pas hershme në Kuvendin e Kosovës dhe jo vetëm aty. Më pas ato davariten, harrohen, thua se nuk kanë ndodhur dhe lënë një tis që më së shumti shkakton konfuzitet duke e rënduar të tashmen jo rrallë edhe atje ku nuk duhet. Asnjëherë nuk është e lehtë për ta definuar pse bëhen këto dhe në kohën kur bëhen, çfarë mëtohet të arrihet, gjë që krijojnë hapësira për interpretime nga më të ndryshme”, është shprehur Abdullahu.

Sipas tij, konfliktet e tilla duket se do të zgjasin, duke u spekuluar për interesa të ndryshme.

“Për shkak se është kështu, duket se konfliktet e tilla me fjalë, do të zgjasin edhe për shumë kohë, për më keq, duke u spekuluar me to për interesa nga më të ndryshme. Fajin më të madh për këtë e ka sistemi ynë i drejtësisë ku shumë gjëra nuk funksionojnë apo thënë ndryshe, në semgmente të caktuara nuk duan qëllimisht të funksionojnë”, vlerëson ai.

Platforma e LDK-së

Madje, Abdullahu propozon që LDK të ketë një platformë, që të kthehet në qëndrim partiak obligativ për krime që janë bërë kundër saj në kohëra të rënda për të dhe Kosovën, përndryshe mund të ketë problem me zgjidhjen e problemit.

“LDK duhet të ketë qëndrim të qartë partiak për këto çështje. Në këtë parti duhet të merren vesh njëherë e mirë se si do t’ia bëjnë kësaj pune deri sa janë në opozitë e si do t’i qasen asaj kur të vijnë në pushtet. Duhet një Platformë e LDK-së, të kthehet në qëndrim partiak obligativ për këto krime, vjedhje dhe vrasje që janë bërë kundër saj në kohëra të rënda për këtë subjekt dhe për krejt Kosovën. Përndryshe nuk mund të ketë zgjidhje të problemit. Do të vazhdojë kështu me taktizime të pakoordinuara mirë, prej të cilave vetëm shteti ynë dhe familjarët e viktimave, nuk do të fitojnë asnjëherë asgjë”, ka përfunduar Faton Abdullahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat