“Kosova të mos i futet aventurës së humbjes së tokës për njohje nga Serbia”

Politika

“Kosova të mos i futet aventurës së humbjes së tokës për njohje nga Serbia”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 maj 2018 Në ora: 14:30
Ilustrim

Kryetari i Partisë Liberale Demokratike të Serbisë, Çedomir Jovanoviq dje në Kosovë tha se Serbia në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, dëshiron që ta marrë veriun.

Lidhur me këtë deklaratë, njohësi i çështjeve politike në vend, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Kosova nuk duhet të futet në aventura të tilla dhe se nëse do të ketë shkëmbim territoresh, atëherë duhet marrë Lugina e Preshevës.

Image
Faik Krasniqit

“Është shumë e vërtetë deklarata e Çedomir Jovanoviqit, se Serbia e dëshiron veriun në këmbim të njohjes së Kosovës. Mirëpo, Kosova nuk bën të futet në aventura të tilla, që për hir të njohjes nga Serbia të humbas mbi 1000 km2. Në rast se Kosova dhe Serbia pajtohen për shkëmbim territoresh, atëherë Lugina e Preshevës me 1249 km2 (komunat Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë) t'i takonin Kosovës, kurse tre komunat me shumicë serbe me 996 km2 (komunat Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) t'i takonin Serbisë, do të ishte më e arsyeshme”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, Kosova do të ketë humbje nëse bëhet shkëmbimi i territorit.

“Po të ndiqen vijat etnike sipas vendbanimeve në komuna, Kosova do të humbasë edhe më tepër në këtë shkëmbim të territoresh. Humbja bëhet edhe më e madhe me faktin se, sipas të gjitha gjasave, në kuadër të shkëmbimeve mund të futet edhe Mitrovica Veriore e formuar si Komunë me Pakon e Ahtisarit dhe e spastruar nga shqiptarët në vitin 2004, që përfshin një sipërfaqe prej 5.4 kilometra në katrorë e cila po bën përpjekje për zgjerim me futjen në kuadër të saj edhe të fshatit tjera, siç janë: Vinarci i Ulët dhe i Epërmi, Gushafci, Vidimriqi, Suhodoll i Epërm dhe i Ulëti (të banuar vetëm me shqiptarë, përjashto këtu Suhodollin e Epërm), duke krijuar homogjenitet dhe zgjerim territorial”, ka vlerësuar ai.

Ai vlerëson se Serbia e do veriun për shkak të pasurive, por që një gjë të tillë nuk do e lejojnë fuqitë e mëdha.

“Por interesimi i Serbisë për shkëmbim territoresh nuk vjen nga interesi i saj për popullsinë serbe që jeton në veri të Kosovës, por pikërisht për faktin e pasurive të mëdha natyrore me të cilat disponon pjesa veriore e Kosovës. Sidoqoftë, nuk besoj që fuqitë e mëdha do të lejonin një gjë të tillë, edhe nëse politikanë shqiptarë të Kosovës dhe ata të Serbisë do të tentonin të futeshin në aventura të tilla, sepse në këtë mënyrë do të hapej Kutia e Pandorës për devijime demografike në gjithë globin”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat