Deputeti i PDK-së: Zgjedhjet nuk janë zgjidhje për proceset e rëndësishme

Politika

Deputeti i PDK-së: Zgjedhjet nuk janë zgjidhje për proceset e rëndësishme

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 maj 2018 Në ora: 22:00
Ilustrim

Qeverisja Haradinaj është kritikuar që nga fillimi i mandatit të saj, si për mënyrën si është formuar, si për kabinetin qeverisës, por edhe për punën që e ka bërë dhe është duke e bërë.

Lidhja Demokratike e Kosovës pothuajse që nga fillimi i qeverisjes Haradinaj, kishte përmendur mocion kundrejt saj, ndërkaq pastaj këtë mocion filloi ta përkrahë edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Përkundër, pajtimit të dy partive opozitare për një mocion mosbesimi, ato ende nuk kanë ndërmarrë ndonjë iniciativë.

Iniciativa e vetme e opozitës, konkretisht e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte organizimi i tryezës me partitë politike, duke përmendur paraprakisht si temë diskutimi edhe zgjedhjet e parakohshme, mirëpo për këtë nuk ishte diskutuar në tryezë.

Pas LDK-së, tryezë kishte organizuar edhe PDK-ja, mirëpo as në këtë tryezë nuk është diskutuar për zgjedhje të parakohshme.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, thotë se nuk do të shkohet në zgjedhje, për shkak se ato nuk janë zgjidhje për proceset e rëndësishme që e presin Kosovën.

Image
Nait Hasani

Tryezat e partive politike, sipas Hasanit, janë formë e mirë e diskutimit.

“Jo nuk do të shkohet në zgjedhje, sepse zgjedhjet nuk janë zgjidhje për proceset tjera të rëndësishme, që e presin Kosovën. Koalicioni ka qëndrueshmëri dhe ende nuk është koha për zgjedhje të reja. Tryezat janë formë e mirë e diskutimit, nuk ka arsye përse të mos vazhdohet tutje”, pohon Hasani.

Zgjedhjet i kishte përjashtuar edhe kryeministri aktual Ramush Haradinaj, ndërkaq partia bashkëqeverisëse e koalicionit, Nisma Socialdemokrate, kishte deklaruar se zgjedhjet do të mbahen në muajin shtator të vitit të ardhshëm.

“Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk do të mbahen deri në shtatorin e vitit të ardhshëm, sepse deputetët duan të bëjnë dy vend gjatë kësaj legjislature në mënyrë që tu numërohet mandati i plotë”, kishte deklaruar Milaim Zeka për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat