Ekskluzive: Lënda e Shkumbin Mehmetit në Gjykatën Kushtetuese, flet avokati i tij

Politika

Ekskluzive: Lënda e Shkumbin Mehmetit në Gjykatën Kushtetuese, flet avokati i tij

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 maj 2018 Në ora: 17:41
Skënder Musa dhe Shkumbin Mehmeti

Skënder Musa, avokati mbrojtës i Shkumbin Mehmetit, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, tha se kërkesa për zbutje të dënimit, kishte ardhur si shkak se konsideruan se tashmë ishin krijuar kushtet dhe rrethanat për të cilat edhe gjykata ishte dashur t’i marrë parasysh. 

Avokati thotë se Mehmeti para prokurorëve dhe hetuese të EULEX-it, por edhe para atyre vendor kishte dëshmuar për rastin, për të cilin edhe ishte dënuar me një dënim kapital, për një vepër penale që në bazë të hetimeve të prokurorëve të EULEX-it, ishte dëshmuar se nuk ka qenë kryerësi i veprës penale të vrasjes dhe të kidnapimit.

Më 21 mars të vitin 2018, prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccarelli, i propozoi kryeprokurorit të EULEX-it, Claudoi Pala, që të kërkoj nga Gjykata Supreme e Kosovës zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit për të pandehurin Shkumbin Mehmeti.

Përkundër që së bashku me kërkesën ishin dorëzuar edhe prova të reja, një gjë e tillë u refuzua nga Gjykata Supreme.

Skënder Musa, avokati mbrojtës i Shkumbin Mehmetit, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, tha se kërkesa për zbutje të dënimit, kishte ardhur si shkak se konsideruan se tashmë ishin krijuar kushtet dhe rrethanat për të cilat edhe gjykata ishte dashur t’i marrë parasysh.

Image
Skënder Musa, avokati mbrojtës i Shkumbin Mehmetit

Avokati thotë se Mehmeti para prokurorëve dhe hetuese të EULEX-it, por edhe para atyre vendor kishte dëshmuar për rastin, për të cilin edhe ishte dënuar me një dënim kapital, për një vepër penale që në bazë të hetimeve të prokurorëve të EULEX-it, ishte dëshmuar se nuk ka qenë kryerësi i veprës penale të vrasjes dhe të kidnapimit.

“Kërkesa për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit për Shkumbin Mehmeti ka ardhur për shkak se konsiderojmë se janë krijuar kushtet dhe rrethanat dhe janë paraqitur prova të reja për të cilat gjykata është dashur t’i marrë parasysh, e sidomos faktin e dëshmisë së dhënë para prokurorëve dhe hetuese të EULEX-it, por edhe para hetuesve dhe prokurorëve vendor, i cili ka dëshmuar për rastin për të cilin edhe është dënuar me një dënim kapital për një vepër penale që në bazë të hetimeve të prokurorëve të EULEX-it, mund të them se është dëshmuar se nuk ka qenë kryerësi i veprës penale të vrasjes dhe të kidnapimit”, u shpreh avokati.

Musa thotë, se pavarësisht se është vendosur tashmë, provat që janë dorëzuar së bashku me kërkesën e fundit, kanë qenë prova më ndryshe se herëve tjera.

“Arsyet që janë dhënë në vendimin e gjykatës për refuzim është se kjo çështje, po kjo kërkesë është shqyrtuar në të gjitha nivelet edhe me herët nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme dhe është konsideruar se për këto është vendosur më herët, mirëpo ne konsiderojmë se pavarësisht se është vendosur, provat që janë dorëzuar me kërkesën e fundit kanë qenë prova më ndryshe se herëve tjera”, tha Musa.

Dëshmia e dhënë në televizion për vrasjet e pasluftës

I pyetur se a ndërlidhet ky refuzim, me dëshminë që Mehmeti bëri në një televizion vendor, lidhur me shumë vrasje politike, avokati mbrojtës tha se kërkesa e fundit ka qenë për rastin e quajtur “Olimpia”, dhe nuk ka qenë me deklarimet që Mehmeti bëri në televizion.

 “Kërkesa ka qenë për vendimin konkret, për rastin të quajtur “Olimpia”, dhe nuk ka qenë me deklarimet e Mehmetit në televizionin vendor, i cili ka folur për disa çështje tjera, që nuk kanë qenë objekt i këtij rasti. Në Gjykatë është shqyrtuar vetëm për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit për rastin konkret”, tha ai.

Por, Musa gjithashtu thekson se, nuk ka pasur ndryshim të trajtimit pas deklarimeve të fundit të bëra nga Mehmeti.

“Nuk ka pasur ndonjë ndryshim as pozitiv dhe as negativ, sa i përket deklarimeve të tija në televizion”, theksoi Musa.

“Shumë shkelje”

Tutje, Musa shprehet se gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it si dhe ato vendore kanë dështuar që ta mbajnë një proces gjyqësor të drejt, ashtu siç parashihet edhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Lirit Themelore të Njeriut.

“Sa i përket vendimit të shkallës së parë që është refuzuar kërkesa për zbutje të jashtëzakonshme, i mbrojturi im ka parashtruar kërkesë në Gjykatën e Apelit. Ndërkaq, sa i përket lëndës që ne presim që të vendoset drejtësia, për shkak se ne konsiderojmë se Gjykatat e UNMIK-ut kanë dështuar që ta mbajnë një proces gjyqësor të drejt, ashtu siç parashihet edhe në Konventën Evropian për të Drejtat e Lirit Themelore të Njeriut. Gjithashtu edhe Gjykata e EULEX-it ka dështuar në rastin e zotëri Shkumbin Mehmeti që të vendoset drejtësia dhe të vendoset një gjykim i drejt, por kanë dështuar edhe gjykatat vendore që të arrijnë të sigurojnë një proces gjyqësor të drejt siç parashihet në nenin 5 të kodit të procedurës penale dhe në nenin 7, për shkak se provat e reja vërtetojnë pa asnjë mëdyshje se zotëri Shkumbin Mehmeti ka marrë pjesë në një grup kriminal, por nuk ka qene kryesi i veprës penale të vrasjes dhe të kidnapimit, prandaj lënda ndodhet edhe në Gjykatën Kushtetuese”, thotë Musa.

Ai shpreson se Kushtetuesja do ta kërkojë në tërësi lëndën nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe nëse kjo e fundit e shqyrton lëndën në mënyrë meritore, atëherë do ta sheh se ka shumë shkelje.

“Shpresojmë se Gjykata Kushtetuese do ta kërkojë në tersi lëndën nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e nga EULEX-i do të marrë edhe pajtimin e prokurorit të EULEX-it ose do ta kërkojë edhe mendimin e prokurorit lidhur me këtë çështje dhe nëse e merr lëndën dhe e shqyrton lëndën në mënyrë meritore, atëherë do ta sheh se ka shumë shkelje, ka shumë prova, që në kohën e UNMIK-ut ne konsiderojmë se janë fshehur qëllimisht dhe do ta kthej lëndën nga fillimi”, tha ai.

“Zgjidhja e vetme, rigjykimi”

Musa thotë se e vetmja zgjidhje në këtë proces, në gjithë këtë padrejtësi që i është bërë Mehmetit, sipas tij, është kthimi i rastit në rigjykim. Për këtë, ai thotë se edhe baza ligjore ekziston që të vendoset drejtësia.

“E vetmja zgjidhje në këtë çështje, në gjithë këtë padrejtësi që ju ka bërë Mehmetit, ne konsiderojmë se është kthimi i rastit në rigjykim. Baza ligjore gjithmonë ekziston për t’u vendosur drejtësia, tash është në instancën më të lartë të drejtësisë së Kosovës, mirëpo ne shpresojmë se Gjykata Kushtetuese do ta marrë vendimit e drejt, do t’i anulojë vendimet e Gjykatave të rregullta dhe lëndën ta kthejë në rivendosje, përndryshe kjo lëndë do të përcillet në të gjitha instancat”.

“Në rastin e parë që Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, ne do ta procedojmë edhe në Strasburg, për shkak se kemi të bëjmë me një shkelje të të Drejtave Themelore të Njeriut, me shkelje e të drejtave të të akuzuarit sepse Kosova ka dështuar të ketë proces të drejt gjyqësor, e që garantohet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është garantuar edhe me kornizën kushtetuese, është garantuar edhe me rezolutën e Këshillit të Sigurimit kur kanë hyrë trupat e NATO-s dhe Bashkësia Ndërkombëtare në Kosovë. Në këtë rast, sidomos që nga rasti i fillimit të shkallës së parë në Gjykatat e UNMIK-ut absolutisht nuk është votuar asnjë dispozitë për Gjykim të drejt dhe të pavarur”, shtoi avokati mbrojtës i Mehmetit .

Sa i përket trajtimit që i është bërë nga ana e prokurorisë së EULEX-it, si avokat mbrojtës, në tersi shprehet se është i pakënaqur, pasi që, sipas tij, Policia dhe Prokuroria e EULEX-it vazhdimisht e kanë marrë si dëshmitar, e kanë intervistuar për shumë raste, por që asnjë proces nuk e kanë dërguar deri në fund, me përjashtim të prokurorit të fundit Danilo Ceccarelli, prokuror i EULEX-it, i cili ka arritur të ngrit një aktakuzë dhe shumë i angazhuar, mirëpo lënda e këtij prokurori kishte ardhur në fund të mandatit.

“Ne jemi shumë të pakënaqur me trajtimin që i është bërë nga hetuesia dhe prokuroria e EULEX-it. Në aspektin juridik procedura është zvarritur me vite të tëra për shkak se nga viti 2012, kur i mbrojturi im ka filluar të bashkëpunoj me EULEX-in, kanë mundur të përfundojnë të gjitha procedurat, kanë mundur të përfundojnë edhe hetimet, ndërkaq kur tani mandati i EULEX-it është në përfundim, pasi që është deri në qershor, sa i përket rastit “Olipmia”, kanë përfunduar hetimet dhe është ngritur aktakuza, mirëpo edhe mandati i prokurorit është në fund”, u shpreh ndër tjerash Musa.

“Mehmeti po qëndron në burg, si me qenë në izolim”

Në fund, avokati Musa thekson se Shkumbin Mehmeti për rastin “Olimpia” është duke bashkëpunuar vullnetarisht.

Avokati Musa, potencon se Mehmeti po qëndron i vetëm i mbyllur, si të ishte në izolim, për çka ai konsideron se janë duke u shkelur edhe të drejtat e të burgosurit.

“Të them të drejtën nuk mund të deklaroi se a është dëshmitar i mbrojtur apo është dëshmitar bashkëpunues. Sa i përket rastit që unë e përfaqësoj “Olimpia”, është duke bashkëpunuar vullnetarisht dhe vetëm pas një procesi gjyqësor nëse vërtetohen dëshmitë e tij se kanë qenë të bazuara atëherë prokurori i shtetit mund të paraqes kërkesën që t’i falet apo t’i zbutet dënimi ekzistues. Realisht, qëndrimin e tij në pavijonin ku ka qenë në burg ka qenë shumë më i vështirë sepse bashkëpunimi i tij me EULEX-in e ka pasur shumë më vështirë mi qëndru edhe vuajtjeve të dënimit sepse qëndron vetëm i mbyllur dhe faktikisht këtij ju kanë shkelur edhe të drejtat si i burgosur, për shkak se vrasja është kryer në 2012 dhe jemi në 2018, i bie që gjashtë vite po qëndron vetëm, si me qenë në izolim”, ka përfunduar avokati Skender Musa, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat