Hashim Thaçi, Presidenti që falë vrasësit mizorë

Politika

Hashim Thaçi, Presidenti që falë vrasësit mizorë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 15 maj 2018 Në ora: 06:27
Ilustrim

Me një vendim të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpallje të faljes për 12 persona që vuanin dënime me burg në Kosovë, Ruzhdi Misini vrasësi i Agron Arifit është liruar. Agron Arifi ishte vrarë mizorisht nga Misini, më  11 tetor të vitit 2010.

 Arbenita Arifi, vajza e Agron Arifit, ka rrëfyer për gazetën “Bota sot”, mënyrën se si kishte ndodhur tërë ngjarja, ku babai i saj ishte vrarë mizorisht nga personi, i cili me një dekret të Presidentit fitoi lirinë, ndërsa ka treguar për hapat që ajo dhe familja kanë ndërmarrë për të kundërshtuar vendimin.

Një vrasje makabre kishte ndodhur para rreth 8 vitesh, ku Agron Arifi, viktimë e dorasit Ruzhdi Misini, u vra dhe u masakrua fillimisht duke iu prerë mizorisht gjymtyrët e trupit, për t`u vrarë më pastaj me plumb, ndërsa trupi i tij i lidhur për makinë, ishte tërhequr zvarrë nga dorasi.

Me një vendim të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për shpallje të faljes për 12 persona që vuanin dënime me burg në Kosovë, për krimet e kryera, Ruzhdi Misini vrasësi i Agron Arifit është liruar.

 Rrëfimi i Arbenita Arifit

Arbenita Arifi, vajza e të ndjerit, Agron Arifi, ka rrëfyer për gazetën “Bota sot”, mënyrën se si kishte ndodhur tërë ngjarja, ku babai i saj ishte vrarë mizorisht nga personi, i cili me një dekret të Presidentit fitoi lirinë.

Ajo thekson, se gjithçka nisi nga pluhuri ku ishte duke punuar babai i saj, tashmë i ndjeri Agron Arifi.

“Më 11 tetor 2010 pas një diskutimi mes babait tim Agron Arifi  dhe Florije Misinit, gruas së vrasësit, që në këtë rast është nxitëse dhe kurrë asnjëherë nuk është marrë ndonjë veprim ndaj saj, dhe marketi ku ka ndodhur gjithçka, gjithmonë ka funksionuar dhe nuk është mbyllur. Pasi i kishe thënë Florija babit tim: o mjeshtër më mbyte me këta pluhur ndalu ma. Babai ia kthen: qe një javë më ke duruar, duro edhe sot se e kryjta, unë nuk mundem me drejtu pluhnin sa kah me shku. Pas këtij diskutimi vjen Ruzhdi Misini, vrasësi dhe e shan babin, fillon e prenë me brushalic (prerëse e pllakave) në ballë, në hundë, në duar e në gishta. Shefit të babit Ruzhdiu i kishe thënë se e ka lajmëruar policin, dhe babi e kishte prit policinë as nuk është mjeku për arsye të mos largohet nga vendi i ngjarjes. Pas 5 orëve e kishte kryer vrasjen me një plumb, por, nuk i mjaftoj as prerja e as vrasja,  dhe e zvarriti 3-4 metra në rrugë kufomën”, rrëfeu Arbenita Arifi për “Bota sot”.

Ajo citon nenet dhe kriteret për faljen e dënimit dhe kriteret ndaluese për faljen e dënimit, e pastaj thekson se familja e tyre nuk e ka falur gjakun e babait të tyre dhe nuk do të pajtohen me vendimin e presidentit për falje të dorasit.

“Për gjithë këto vepra është dënuar 13 vjet e 6 muaj. Tash më 11 prill 2018, presidenti Thaçi bashkë me kryesuesit e komisionit Hasan Shala, Drita Rexhaj dhe Ali Bajgora, morën vendim të falin 14 të burgosur,  e kushtetuta dhe ligjet thonë: Neni 5. Kritere për faljen e dënimit: 2.1 pesha e krimit 2.3 pendimi i sinqertë 2.4 shfaqja e sjelljeve dhe karakterit të respektueshëm. Neni 6, kritere ndaluese për faljen e dënimit A)Personi i dënuar ka kryer veprën penale me egërsi dhe mizori B) Vrasja me paramendim C) Ndikimi i faljes nga pala e dëmtuar. Ne, pala e dëmtuar, nuk e kemi falur gjakun e babit dhe nuk pajtohemi me këtë falje të presidentit”- shprehet Arbenita.

Arifi: Kam ngritur padi në gjykatën kushtetuese kundër komisionit dhe presidentit

Ajo tregon edhe procedurat që ka ndërmarrë lidhur me këtë rast, e që shprehet e zhgënjyer nga institucionet e Kosovës, pasi në të gjitha zyrat ku është drejtuar, nuk ka marrë përgjigje. Ajo tani ka paditur presidentin Thaçi dhe komisionin e vendimit, sepse sipas saj, ata kanë shkelur kushtetutën e Kosovës. Vrasësit Ruzhdi Misinit, i janë aprovuar të gjitha kërkesat, thotë Arbenita.

“Kam dorëzuar një kërkesë të më tregojnë me cilat kritere falet një vrasës, në zyrën e presidentit Thaçi, ministrisë së drejtësisë, shërbimit korrektues, drejtorit të burgut të Dubravës dhe asnjëherë nuk kam marr përgjigje. Në gjykatën themelore u takova me Drita Rexhaj, as aty nuk mora përgjigje, por më arrestuan se pa ftes të gjykatëses shkova në zyre. Pasi nuk mora asnjë përgjigje nga askush, unë kam ngrit padi në gjykatën kushtetuese kundër komisionit dhe presidentit, sepse këta kanë shkelur ligjet dhe kushtetutën e Kosovës. Do të parashtroj urgjenca që të filloj gjykimi sa më shpejt që të jetë e mundur. Shpresoj që në fund të vendoset drejtësia në vend, edhe pse jemi shumë të zhgënjyer me gjithçka deri tani. Qe 7 vjet e 7 muaj neve palës së dëmtuar ende nuk kanë nis seancat për çështjen juridike për kompensim të dëmit material dhe jo material. E vrasësit Ruzhdiut i janë aprovuar të gjitha kërkesat”, theksoi Arifi.

Boll na ka vra Ruzhdi Misini, e tash po na vranë edhe shteti për së gjalli, thotë Arbenita, ndërsa e thekson se nëse nuk ndërmerret ndonjë vendim i drejtë nga drejtësia, ajo do të merret vet personalisht me këtë rast.

“Ne familjarët e Agron Arifit deri tani kemi pritur përgjigje nga organet dhe institucionet të marrin vendime të drejta siç e parasheh ligji, por ata gjithmonë i kanë thyer rregullat. Unë paralajmëroj që pas kësaj padie nëse nuk ndërmerret vendimi i drejt, drejtësinë do ta bëj vet. Unë nuk kam pas babë për të humbur. Ne kemi mbetur pa kryefamiljarin 46 vjeçar, për arsye të pakuptimta, për pluhur unë u rrita pa baba nga mosha 16 vjeç. Presidenti e asnjë nga institucionet e vendit nuk morën kurrë asnjë vendim të ndihmojnë neve palën e dëmtuar, boll mjafton që na ka vra Ruzhdiu tash edhe shteti po na vranë për së gjalli”, tha Arbenita Arifi.

Ajo tregon se në flet deklarimin për dekret të presidentit i marrur nga komisioni, shkruan se Ruzhdi Misini është i akuzuar vetëm për një vepër, e në fakt ai është i akuzuar dhe i dënuar për dy vepra. Ajo është e sigurt se komisioni dhe gjyqtarët janë të korruptuar në këtë rast.

“Bota sot” ka dërguar pyetje në zyrën e presidentit për të marrë përgjigje rreth padisë që Arbenita Arifi i ka bërë presidentit Thaçi, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje.

E kryesuesi i komisionit, Hasan Shala, përmendet në klanin “Pronto”, që për të ka padi të tjera në gjykatë për lloj të ndryshme të korrupsionit.

Presidenti edhe fali familjarin e tij

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi në listën e të falurve, e ka futur edhe dhëndrin e tij, Hasan Rracin. Ai del të jetë bashkëshorti i vajzës së tij të axhës, Halime Rracit.

Madje nga 14 personat e falur, Presidenti i ka falur më së shumti vite dhëndrit të tij, gjithsej 3 vite, ndërkohë që të tjerëve u ka falur nga 2 vite dhe nga gjashtë muaj.

Hasan Rraci, kishte kryer dy vrasje jo pak të rënda.

Në vitin 2008 ai kishte vrarë në oborrin e shtëpisë së vetë, vajzën e tij 15 vjeçare.

Arsye për vrasjen e të bijës ishte dyshimi i tij se ajo kishte lidhje dashurie me kushëririn e largët të tij Mensur Rracin. Për këtë vepër Raci ishte dënuar me vetëm dy vite burg.

Çuditërisht ai nuk e kishte vuajtur gjithë dënimin e shqiptuar nga Gjykata duke kaluar vetëm gjashtë muaj në burg.

Ditën që kishte dal nga burgu kishte vrarë në mes të qytetit të Klinës kushëririn e tij 21 vjeçar, Mensur Racin.

Gjykata për krimin e dytë ia shqiptoi atij 19 vite burg.           

Presidenti i ka falur këtij dorasi që del të jetë dhëndër i familjes Thaçi, 3 vite të burgut.

Kushtetuta

Presidenti i vendit sipas kushtetutës e ka në kompetencë faljen e të dënuarve në raste të veçanta.

Në ligjin numër 03/L-094, për presidentin e Kosovës, thuhet se dekreti për shpallje të faljes është i mundur, pra presidenti i Kosovës, e ka mundësinë që të falë të dënuarit për vrasje, por një gjë e tillë varet nga pesha e krimit që ka kryer personi në fjalë.

Në kushtetutën e Kosovës shkruan se kriteret për faljen e dënimit mund të jepet kur: a) nuk ekzistojnë kriteret ndaluese të parashikuara në ligj; b) personi i dënuar ka vuajtur më shumë se një të tretën e dënimit të dhënë; c) personi i dënuar me sjelljen, punën dhe veprimet e tij tregon se nëpërmjet dënimit të vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe rehabilitimin shoqëror të tij; ç) përmbushet të paktën njëri prej kritereve të mëposhtme: I) personi i dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë i mitur; II) kur për shkak të sëmundjes dhe moshës së personit të dënuar nuk justifikohet më vazhdimi i mëtejshëm i vuajtjes së dënimit; ose III) kur e dënuara është me fëmijë të mitur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat