Flamuri dhe himni dardan do të jenë simbolet e Kosovës - Bota Sot
Flamuri dhe himni dardan do të jenë simbolet e Kosovës

Politika

E shtunë, 20 tetor 2018

Flamuri dhe himni dardan do të jenë simbolet e Kosovës

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 16 maj 2018 Në ora: 08:11
Ibrahim Rugova me flamurin dardan

Një flamur me sfond të kaltër, në brendësinë e të cilit është e vendosur  shqiponja dy krenare duke vazhduar me një sfond të kuq ku shkruan emri antik i Kosovës, “Dardani”, dhe duke përfunduar me yllin gjashtë cepash në maje, i quajtur edhe si ylli Skënderbeut, i cili është përdorur si simbol nga ilirët, shqiptarët antikë. Është ky flamuri, të cilin ish- presidenti Ibrahim Rugova e përdori që nga viti 1992, pas mbajtjes së Referendumit për Pavarësi (1991) dhe pas zgjedhjeve Presidenciale e Parlamentare të Republikës së Kosovës (1992).

Pas publikimit, shumica e popullit të Kosovës, ka filluar ta quajë "Flamuri i Dardanisë", me emrin antik të vendit ku përfshihej edhe toka e Kosovës, Toplicës, Shkupit etj.

Edhe pse partia që e formoi presidenti Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës, vazhdimisht e thotë se kur të vijë në pushtet do ta bëjë realitet, ëndrrën që flamuri i Dardanisë të jetë flamur zyrtar i Republikës së Kosovës, ndërsa himni “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë’, të jetë himn i Republikës së Kosovës, ende nuk është marrë asgjë konkrete lidhur me këtë.

Kujtojmë, se periudha e pestë legjislative i takoi Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa çështja e simboleve nuk u diskutua fare.

LDK pret mundësinë e parë juridike

Mirëpo, a është duke e marrë seriozisht Lidhja Demokratike e Kosovës, vendosjen e himnit dhe flamurit dardan dhe sa është e nevojshme dhe e rëndësishme që vendi te këtë flamurin dhe himnin Dardan, që ishin amanet i Presidentit Rugova, flasin deputetët e LDK-së.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se edhe po të shkohet me referdum për këto dy opsione, ato do të kenë mbështetjet masive nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Image
Naser Rugova

Rugova ka shtuar se kjo do të bëhet, edhe me miratimin e komuniteteve tjera, e në veçanti atyre jo serbe, të cilat që nga viti 1990 me Kushtetutën e Kaçanikut e deklaratën e 2 korrikut e ngjarjet tjera historike tjera, kanë qenë përkrah vullnetit të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi.

Propozimet më të mira për simbolet shtetërore

Andaj, sipas tij, duhet të ngritët një konsensus i spektrit politik dhe pastaj të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Them se ajo ide nuk është e re për LDK-në, thjesht është qëndrimi i LDK–së, dhe në mundësinë e parë politike juridike po edhe në koncept më të gjerë himni i Kosovës “Kur ka ra kushtrimi n ‘Kosovë” të jetë himn i Kosovës dhe flamuri dardan të jetë flamur shtetëror  sepse konsiderojmë se reflekton edhe në kuptimin më të mire për historinë dhe përpjekjet e Kosovës. Himni “Kur ka ra kushtrimi n`Kosovë” janë perceptimet më të mira dhe gjithëpërfshirëse ku transmetohen dhe shpërfaqen vlerat e Republikës se Kosovës”, ka thënë Rugova

Tutje, deputeti i LDK-se ka theksuar se flamuri dhe himni dardan, janë mbështetur edhe nga institucionet kulturore më të larta dhe po ashtu ata nuk cenojnë asnjë komunitet jo shqiptar që jeton në Kosovë.

“Dita ditës po flitet se simbolet shtetërore, flamuri dhe himni dardan të propozuara nga Presidenti Rugova, që janë mbështetur edhe nga institucionet kulturore më të larta dhe janë propozimet më gjithëpërfshirëse dhe më të mira që reflektojnë edhe me vlerat dhe traditat e Kosovës. Unë dua të besoj fuqishëm në vetëdijen e spektrit politik, po edhe në vendet perëndimore, partnereve strategjik, sepse Kosova ka dëshmuar tani që është shtet demokratik dhe ka një kushtetutë që garanton liritë dhe të drejtat e pakicave dhe himni ”Kur ka ra kushtrimi n‘Kosovë” dhe flamuri dardan nuk cenon asnjë komunitet tjetër jo shqiptar në Kosovë dhe në këtë  kuptim edhe po të shkohet me referendum  qytetaret e Kosovës jam i bindur duke përfshirë edhe minoritetet që këto dy opsione mund të kishin një mbështetje masive nga qytetaret e Republikës së Kosovës”, ka shtuar Rugova.

Duhet konsensus i gjerë politik

Naser Rugova, ka shtuar edhe se këto opsione duhet të aprovohen në Kuvend dhe të këtë një konsensus më të madh të spektrit politik.

“Kjo çështje nuk dërgohet vetëm në qeveri por edhe në kuvend dhe siç dihet në vitin 2008 edhe himni edhe flamuri janë votuar në kuvend dhe këtu duhet një konsensus i spektrit politik shqiptar, në radhë të parë partive politike shqiptare, atyre parlamentare apo edhe jo parlamentare, institucioneve kulturore, shkencore dhe intelektuale, dhe kur te arrihet një konsensus i tillë atëherë nuk do të kishte asgjë të keq që Republika e Kosove ta ketë himnin dhe flamuri dardan. Kjo duhet të bëhet edhe me miratimin e komuniteteve tjera e në veçanti atyre jo serbe, të cilat që nga viti 1990 me Kushtetutën e Kaçanikut e deklaratat e  2 korrikut e ngjarjet tjera historike tjera, komunitetet jo serbe kanë qenë përkrahë vullnetit të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi . Andaj duhet të ngritët nga një konsensus i spektrit politik dhe pastaj të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse është kuvendi ai që i ka të gjitha predispozitat  që të bëjë të gjitha ndryshimet”, ka përfunduar Rugova.

Simbolet ndryshojnë me anë të një pajtueshmërie kombëtare

Image
Muharrem Svarqa

Ndërkaq, anëtari i kryesisë se Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muharrem Svarqa ka thënë për gazetën “Bota sot”, se respekti për këto simbole, nuk e përjashton kërkesën për ndryshimin e tyre në një kohë të përshtatshme, me anë të një pajtueshmërie kombëtare.

Svarqa ka shtuar se, pasi t’i kemi arritur synimet tona për të qenë si shtetet tjera sovrane, mund të hapet kjo çështje dhe të vendoset, pas një debati të gjerë dhe pajtueshmërie në shumicë dërrmuese.

“Ndryshimi i simboleve shtetërore të Kosovës, një veprim, për të cilin mendojmë se ka mbështetje të gjerë tek popullata shumicë e vendit tonë, përfshirë edhe partitë politike, sidomos Lidhjen Demokratike të Kosovës, është një temë shumë e ndjeshme. Dihet si janë bërë dhe si janë vendosur këto simbole, megjithëse vendi ynë nuk është përjashtim. Megjithatë, himni, stema e flamuri, të tilla siç janë, duhen respektuar sepse ato paraqesin mëvetësinë, veçantinë dhe një pjesë të identitetit shtetëror të Kosovës. Respekti për këto simbole, nuk e përjashton kërkesën për ndryshimin e tyre në një kohë të përshtatshme, me anë të një pajtueshmërie kombëtare. Por, nuk konsideroj se tani është koha për hapjen e kësaj teme, sa kohë që Kosovën nuk e kanë njohur disa shtete të Evropës dhe vendi ynë ende nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara. Pasi t’i kemi arritur synimet tona për të qenë si shtetet tjera sovrane, mund të hapet kjo çështje dhe të vendoset pas një debati të gjerë dhe pajtueshmërie në shumicë dërrmuese”, ka përfunduar Svarqa.

Flamuri i Dardanisë apo flamuri i kryetarit të Kosovës është futur në përdorim nga kryetari i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Publikimi i flamurit dhe propozimi për flamur shtetëror të Kosovës është bërë në vitin 2001 nga vetë kryetari i atëhershëm i Kosovës. Reagimet ndaj propozimit kanë qenë të ndryshme, që nga adhuruesit e deri te kundërshtimi i hapur që u shpreh edhe me revolta.

Flamuri i Dardanisë dhe himni “Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”, janë porosi e Presidentit Rugova për shtetin e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test