Ushtria nuk bëhet pa ndihmën e ndërkombëtarëve

Politika

Ushtria nuk bëhet pa ndihmën e ndërkombëtarëve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 maj 2018 Në ora: 12:42
FSK

Kosova përkundër disa viteve pavarësi vazhdon të mos e ketë ushtrinë e saj. Ministria e FSK-së, ka dorëzuar të martën në Qeveri pakon e ligjeve për Ushtrinë.

Zëdhënsja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë se Qeveria ka pranuar “pakon e ligjeve” për ushtrinë. Tash është krejt çështje procedurale se kur kjo pako shkon në Kuvend.

Pas takimit prezantues për arritjet dhe planet në sigurinë e Kosovës, me theks të veçantë për FSK-në,  kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se do të ndodhë transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por përkundër kësaj ai nuk ka dhënë një datë se kur do të ndodhë ky transformim.

Se çështja e ushtrisë së Kosovës mund të përfundojë me ndryshim të ligjit, kishte deklaruar edhe presidenti Hashim Thaçi, gjë që ishte përkrahur nga përfaqësuesit e popullit. Mirëpo, qëndrimi i palëkundur i ndërkombëtarëve që kjo të ndodhë me ndryshim të Kushtetutës, ka bërë që kjo gjë të mos procedojë më tutje.

Ndërkaq, ish – Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, Wesley K. Clark, gjatë një vizite në Kosovë javën e kaluar, ka thënë se zhvillimi ekonomik është më se i rëndësishëm për të dëshmuar tek të tjerët se Kosova është shtet demokratik.

Kelmendi: Duhet të koordinohemi me ndërkombëtar

Image
Ramiz Kelmendi

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, thotë se çështja e ushtrisë është për poena politik.

Sipas Kelmendit, zhvillimi ekonomik duhet të jetë parësor, pastaj më vonë ushtria.

“Mendoj që ndoshta pak ma shumë kjo gjendje e FAK-ut, është për shkak të poenave politike sesa që është në interes të Qeverisë. Është dëgjuar edhe deklarata që gjenerali Clark thotë se fillimisht duhet të bëhet zhvillimi ekonomik, e pastaj më vonë ushtria, për shkak se duhet financimet e fuqishme, duhen financimet të mëdha që goxha shumë e dëmton buxhetin e varfër të Kosovës. Nuk është problem me pëlqim apo pa pëlqim të pakicave, me ndryshime kushtetuese apo jo, po duhet të dakordohemi me ndërkombëtarë”, pohon Kelmendi.

Formimi i Ushtrisë dhe liberalizimi i vizave brenda 3 muajve, kishin qenë premtimet e kryeministrit Ramush Haradinaj para marrjes së mandatit.

Haradinajt në kohë fushate, thoshte se formimi i Ushtrisë është mirë të bëhet në koordinim me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, mirëpo nëse një gjë e tillë nuk ndodh, Kosova duhet të veprojë vetë dhe të mbyllë këtë temë.

Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje i konsideron deklarime të zbrazëta deklaratat për formimin e ushtrisë.

Sveçla: Kemi pasur deklarime të zbrazëta

Image
Xhelal Sveçla

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, thotë se proceset politike nuk përfundojnë me deklarime, por duhet hapa konkrete dhe për këtë nuk vërehet te Qeveria.

Sa i përket formimit të ushtrisë, sipas Sveçlës, ka pasur deklarata në formë kërcënimesh e ndonjëherë në formë dëshirash, por këto sipas tij, kanë dëmtuar këtë proces.

“Proceset, e sidomos ato politike, nuk marrin drejtim e as nuk përfundojnë vetëm me deklarimin e vullnetit që ato të ndodhin. Për to duhet pasur punë e hapa konkret që të ndodhin, e kjo nuk vërehet te Qeveria. Sa i përket kësaj çështje deri tash kemi pasur vetëm deklarime të zbrazëta në formë herë kërcënimesh e herë dëshirash, që vetëm kanë dëmtuar këtë proces dhe kanë përulur fjalët e përdorura. Qeveria kështu po deklaron, por t’i shohim hapat e qeverisë të cilët duhet të jenë gjithsesi substanciale”, deklaron deputeti Sveçla.

Vendimi në duar të vendorëve

Image
Drizan Shala

Ndërkaq, eksperti i sigurisë Drizan Shala, thotë se faktori ndërkombëtar është duke luajtur lojë politike për shndërrimin e FSK-së në FAK.

Sipas tij, qeveria duhet të vendoset për ta jetësuar shtyllën kyçe të shtetit, pra ushtrinë.

“Qeveria aktuale ka rifilluar një aksion për ta jetësuar një shtyllë të rëndësishme, ka përgatitur një mori projektligje për t’i japë kompetenca "ushtarake" kuadrit aktual të FSK-së. Sipas Kryeministrit ka pësuar ky projektligj ndryshime substanciale, e jo sikur që ishte herën e kaluar. Po Qeveria ka filluar një fushatë senzibilusuese për t’i bindur ndërkombëtarët ( NALT,Atashet ushtarake në Kosovë) që FSK-ja nuk do paraqes rrezik për jetesën e komuniteteve e në veçanti atij të serbëve. Faktori ndërkombëtar është duke luajtur lojën politike që në njërën anë potencojnë që ky vendim për të shndërruar FSK-në në FAK është në duart e vendorëve, e në anën tjetër e prolongojnë atë në aspektin e kartës"kushtetuese" dhe kështu qeveria duhet që të vendoset për të jetësuar shtyllën kyçe të shtetit që është ushtria”, thekson Shala.

Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, është çështja e cila pothuajse që pesë vjet është duke u diskutuar dhe pengesa kryesore e saj është Lista serbe, pasi që kjo e fundit nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat