Rishikimi i buxhetit rrëzon Qeverinë Haradinaj

Politika

Rishikimi i buxhetit rrëzon Qeverinë Haradinaj

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 22 maj 2018 Në ora: 20:56
Ramush Haradinaj

Muaji qershor mund të jetë fatal për Qeverinë Haradinaj, pasi që gjatë kësaj kohë duhet të bëhet rishikimi i buxhetit. Koalicioni qeverisës nuk i ka votat e mjaftueshme për të bërë këtë rishikim. Nga ana tjetër, deputetët e partive opozitare kanë paralajmëruar se ata nuk do ta përkrahin ekzekutivin për këtë çështje.

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje po e presin fundin e muajit qershor për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Kjo pasi që brenda këtij muaji duhet të bëhet rishikimi i buxhetit për këtë vit.

Për të bërë këtë ndryshim nevojiten minimumi 61 vota të deputetëve në Kuvend. Kurse, ekzekutivi zyrtarisht ka 56 sosh.

Partitë opozitare kanë paralajmëruar se ato nuk do të përkrahin rishikimin e buxhetit, pasi që sipas tyre, buxheti është shfrytëzuar pamëshirshëm nga dikasteri i Qeverisë Haradinaj.

Kajtazi: Qeveria nuk do të gëzoj në asnjë mënyrë votën e LDK-së

Në zyrën e kryeministrit nuk i janë përgjigjur gazetës “Botës sot”, kur janë pyetur se a i kanë votat e mjaftueshme për rishikimin e buxhetit.

Kurse, deputetët opozitare thonë se ata ende nuk kanë marrë zyrtarisht një dokument për këtë çështje, por sipas tyre Qeveria, është e obliguar deri në fund të muajit qershor të procedojë në Kuvend këtë rishikim.

Image
Lirije Kajtazi

Lirije Kajtazi nga grupi parlamentar i LDK-së në një prononcim për “Bota sot”, se ekzekutivi nuk do gëzojë votën e subjektit të saj politik.

“Nëse Qeveria ka kërkesa të arsyeshme ne jemi për ta përkrahur atë, por mënyra si ata dinë për të bërë veprime nuk besoj se do të mund të kalojnë rishikimin e buxhetit. Nëse na japin sinjale që janë të arsyeshëm na ua japim votën tonë. Krejt varet prej tyre se çfarë ofrojnë, por deri tani nuk kanë dhënë sinjale sepse e kanë shfrytëzuar pamëshirshëm buxhetin dhe kjo do të thotë se Qeveria nuk do të gëzojë në asnjë mënyrë votën e LDK-së”, thekson Kajtazi për “Bota sot”.

Ajo shtoi se nëse nuk kalon kjo çështje në Kuvend, LDK-ja do t’i përdorë të gjitha mundësitë kushtetuese për rrëzimin e Qeverisë.

Rrëzimin e qeverisë po e kërkon edhe Avdullah Hoti, pasi që Kryesia e Kuvendit të hënë ka dështuar ta caktojë mbledhjen e ardhshme të seancës.

“Seanca e nesërme e Kuvendit shtyhet. Kuvendi është bërë jo funksional. Kuvendit i ka humbur kuptimi, si institucioni më i lartë i shtetit. Është urgjente funksionalizimi i institucioneve legjitime, përmes zgjedhjeve të lira e demokratike”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Image
Ismajl Kurteshi

Rishikimi i buxhetit qeveria duhet t’i ketë numrat ose do të kërkohet mocion i mosbesimit

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi thotë se ekzekutivi nuk i ka votat e mjaftueshme në Kuvend dhe kjo sipas tij, po i shkakton probleme vendit.

“Qeveria aktuale nuk e ka shumicën dhe kjo po sjellë probleme jo vetëm qeverisë, por po i sjellë probleme edhe vendit, sepse gjatë kësaj legjislature janë miratuar më se paku ligje”, deklaron Kurteshi.

Sipas Kurteshit, miratimi i një numri të vogël të ligjeve vjen si pasojë, se koalicioni qeverisë nuk i ka votat e mjaftueshëm.

Ai thotë se ekzekutivi po e zvarrit rënien duke sjellë për miratim në Kuvend ligje me interes vital për vendin për të cilën duhet votuar edhe deputetët e opozitës.

“Kjo çështje po zvarritet duke sjellë në Kuvend për miratim ndonjë ligj që është i rëndësisë së veçantë për interesa të vendit, ku kanë votuar edhe deputetët e opozitës dhe ligje të tilla besojë se do t’i votojmë edhe në të ardhmen”, thekson ai.

Por, Kurteshi paralajmëron se ekzekutivi nuk do ketë vështirësi për buxhetin, sepse duhet të tregojë se e ka shumicën ose do të ngrihet një mocion mosbesimi.

“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pa kufi sepse një ditë do të jemi në një situatë kur duhet të votohet rishikimi i buxhetit ku qeveria ose do ti ketë numrat ose do të kërkohet mocion i mosbesimit sidomos kur të vjen çështja e rishikimit të buxhetit, i cili parashihet të ndodh më se voni deri në fund të muajit qershor”, shtoi Kurteshi.

Sa i përket dërgimit të kërkesës së opozitës në Gjykatën Kushtetuese për të pyetur se a mund të qeveriset vendi duke pasur një qeveri me 56 vota ai tha:  “Nuk është se duhet ta bëjnë deputetët e pozitës ose të opozitës sa i përket ngritjeve të çështjeve në Gjykatën Kushtetuese. Ne disa herë si deputet të opozitës kemi ngritur çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe ato janë shqyrtuar dhe kanë dhënë përgjigje që disa herë kemi qenë të kënaqur, e disa herë jo, por unë mendoj se edhe pa dërgimin në Gjykatën Kushtetuese, një qeveri nuk mund të funksionojë në Kuvend pa e pasur shumicën”, përfundoi Kurteshi.

Image
Faton Topalli

Nga ana tjetër, deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli thotë se ata ende nuk kanë diskutuar brenda grupit parlamentar të tyre se a do të votojnë rishikimin e buxhetit.

“Rishikimi i buxhetit fillimisht duhet të vij në kuvend, sepse neve ende nuk na ka ardhur dhe e dyta duhet kjo çështje duhet të shqyrtohet brenda grupit parlamentar dhe pastaj të vendosim se a e votojmë apo jo”, deklaroi Topalli për “Bota sot”.

Image
Arton Demhasaj

Rishikimi i buxhetit tregon fuqinë e Qeverisë në Kuvend

Analisti Arton Demhasaj, thotë se rishikimi i buxhetit tregon fuqinë e qeverisë në Kuvend.

“Buxheti është një mekanizëm për të matur shumicën e qeverisë edhe pse në raste të tilla kur votohet buxheti gjithmonë votojnë edhe deputetë e opozitës për shkak se buxheti nuk është se votohet vetëm për qeverinë, por votohet për krejt shtetin dhe shoqërinë. Kështu që shumicën e rasteve kur është miratuar buxheti është votuar me votat e shumicës së kuvendit”, thotë Demhasaj për “Bota sot”.

“Pra, unë nuk shoh rrezik çështjen e buxhetit. Mundet me qenë një mekanizëm që mund të mat se a e ka qeveria shumicën apo jo, por këtu mund të hyjnë në lojë pazaret prej partive opozitare që ndonjë përqindje  të buxhetit ta çojnë në komunat e tyre”.

Sa i përket mundësisë që opozita t’i drejtohet Gjykatës kushtetuese për dalje nga kriza politike, Demhasaj thotë se ky institucion nuk mund të llogarit se sa deputet i ka Qeveria.

“Kushtetuesja nuk mund e mat se sa deputet i ka qeveria, sepse ndodh që shumë shpesh ligjet e caktuara t’i votojë edhe opozita dhe kjo është problem për t’u matur. Nuk mund asnjëherë që të llogaritet me shumicën çfarë ekziston”, thotë ai.

Ai shtoi se mënyra e vetme për rrëzimin e qeverisë mbetet mocioni i mosbesimit.

Ndryshe, Qeveria Haradinaj zyrtarisht ka 56 deputet në Kuvend, pasi që Lista Serbe ka dalë nga koalicioni qeverisës si shenjë pakënaqësie pas arrestimit të zyrtarit serb, Marko Gjuriq për hyrje ilegale në territorin e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat