Vazhdon dështimi i diplomacisë së Kosovës!

Politika

Vazhdon dështimi i diplomacisë së Kosovës!

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 24 maj 2018 Në ora: 07:17
Foto ilustrim

“Fatkeqësisht janë bërë shumë udhëtime jashtë vendit duke kërkuar njohje, por një gjë e tillë nuk po ndodh për shkak të mungesës së strategjisë. Pra nuk mjaftojnë vetëm deklarimet, por duhet të ketë punë konkrete. Qeveritarët më shumë kanë bërë propagandë brenda Kosovës se jashtë shtetit. Fatkeqësia është se tani më shumë po bëhet lobim për t’i ruajtur njohjet se për njohje të reja”, thekson deputetja e Vetëvendosjes Drita Millaku për “Bota sot”.

Para dhjetë vitesh kur u shpall shtet i pavarur dhe demokratik, Kosovën e njohën një numër i madh i shteteve. Me kalimin e viteteve numri i njohjeve erdhi duke u rritur. Por, tash pas një dekade të ekzistimit si shtet, njohjet janë shumë të rralla, madje kohëve të fundit ato disa herë edhe po kontestohen.

Gjatë vitit të fundit, Kosovën e kanë njohur vetëm dy shtete. Në shkurt të vitit të kaluar Bangladeshi e kishte njohur Kosovën, ndërsa në fund të vitit 2017 Madagaskari i ishte shtuar kësaj liste të njohjeve, për të përfunduar me Barbados, që është bërë shteti i 116 duke e njohur Kosovën tre muaj më parë.

Por për këtë ngecje në këtë fushë, thuajse nuk e diskuton askush. Kohët e fundit kemi dëgjuar vetëm komentet e zyrtarëve të lartë të Kosovës, duke ia marrë meritat njëri-tjetrit se kush i ka siguruar këto njohje.

Aktualisht në krye të diplomacisë së Kosovës, është Behgjet Pacolli, kreu i AKR-së, i cili vazhdimisht po bën vizita të shumta, deri në shtet afrikane e aziatike, mirëpo pa rezultate për njohje të reja.

Të kontaktuar nga gazeta, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nuk kanë dhënë një koment pse Kosova ka ngecur në njohje të reja. Po ashtu, gazeta ka kontaktuar edhe zyrën e Presidentit, për t’i pyetur nëse është angazhuar edhe Presidenca e vendit në sigurimin e njohjeve të reja, mirëpo ata nuk i janë përgjigjur pyetjes së gazetës.

Image
Gjergj Dedaj

Flet Dedaj

Ndërkaq, zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Gjergj Dedaj, thotë për “Bota sot” se, është e natyrshme që të ketë ngecje në njohjen e shtetit të Kosovës, për arsye të politikave të tyre të brendshme, sidomos tek pesë vendet anëtare të BE-së, por edhe Serbisë e Bosnjës.

“Akti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008 ishte ngjarje dhe shumica e shteteve demokratike të botës kanë njohur këtë ngjarje dhe realitet të arritur me shumë sakrifica dhe gjakderdhje dhe mbështetjen e NATO-së, SHBA-ve dhe Bashkimit Europian. Tash është e natyrshme të ketë ngecje edhe për arsye të zhvillimeve të politikave globale por edhe për shkak të problemeve të brendshme të disa shteteve të cilat në parim do duhej ta njohin pavarësinë e Kosovës, siç janë 5 vendet anëtare të BE-së, por edhe Serbia e Bosnja si vende të rajonit”, vlerëson ai.

Ai thotë më tutje se duhet që Kosova të bëjë çmos për ta shtyer tutje agjendën euroatlantike.

 “Diplomacia e Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës duhet të bëjnë çmos për ta shtyer tutje agjendën euroatlantike të Kosovës dhe sa më parë të hiqet regjimi absurd i vizave, të hapen negociatat për antarësim në BE dhe NATO, por edhe në të gjitha institucionet politike, ekonomike, kulturore, shëndetësore, sportive, (duke përjashtuar ato fetare pasi jemi shtet laik dhe sekulare) evropiane dhe botërore”.

“Të gjitha aftësitë dhe kapacitetet tona institucionale duhet t’i drejtojmë në këtë kurs euroatlantik dhe kjo agjendë do të sjellë edhe njohje të reja duke shkuar drejtë përmbylljes së këtij procesi. Nuk duhet të humbasim kohë në agjenda tjera të padobishme dhe të cilat nuk kanë sens as nuk janë e ardhmja e Kosovës europiane demokratike”, përfundon zv/ministri Dedaj.

Image
Drita Millaku

Dështim i madh për Kosovën

Nga ana tjetër, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, thotë se në dy vitet e fundit Kosovën e kanë njohur vetëm 4 shtete dhe është një dështim i madh i institucioneve e sidomos MPJ.

“Pra institucionet nuk kanë bërë punën e tyre si duhet dhe mungon një angazhim dhe strategji për t'iu kundërvënë fushatës agresive të Serbisë. Këtë dështim e shoh edhe si mungesë të përkrahjes së aleatëve tanë tradicional. Duhet të bëhet shumë punë sidomos në 5 shtetet evropiane të cilat mund të jenë shumë pengesë për anëtarësime në shumë mekanizma ndërkombëtarë”, vlerëson deputetja Millaku.

Ajo thotë se janë bërë vizita në shtete tjera duke kërkuar njohjet, mirëpo kjo nuk po ndodhë.

 Sipas saj, qeveritarët po bëjnë propagandë më tepër brenda Kosovës se sa jashtë.

“Fatkeqësisht janë bërë shumë udhëtime jashtë vendit duke kërkuar njohje, por një gjë e tillë nuk po ndodh për shkak të mungesës së strategjisë. Pra nuk mjaftojnë vetëm deklarimet, por duhet të ketë punë konkrete. Qeveritarët më shumë kanë bërë propagandë brenda Kosovës se jashtë shtetit. Fatkeqësia është se tani më shumë po bëhet lobim për t’i ruajtur njohjet se për njohje të reja”, thekson deputetja e Vetëvendosjes për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Faktorët që ndikuan në numrin e njohjeve

Ndërkaq analisti politik, Nexhat Haziri thotë se askujt nga Ministria e Punëve të Jashtme nuk i kujtohet se cila ka qenë njohja e fundit për shtetin e Kosovës.

“Nuk e di nëse dikujt nga Ministria e Jashtme i kujtohet se cila ka qenë njohja e fundit që ka ardhur për Kosovën, pra të njohjes së shtetit”, thekson Haziri.

Ai përmend më tutje edhe disa faktorë që kanë ndikuar në ngecjen e njohjeve për Kosovën.

“Ndërsa sa i përket asaj se kush është fajtori pse kanë ngecur njohjet, mendoj se janë një sërë faktorësh, që nga Ministria e Jashtme por edhe komplet institucionet e vendit. Shihet se ushtimet e shpeshta, takimet e Ministrit të Jashtëm Pacolli nuk po japin rezultatet e pritura dhe të proklamuara nga vet ai. Gjithashtu nuk ka një transparencë nga vet Pacolli se cili është shkaku i ngecjeve të njohjeve të shtetësisë së Kosovës. Një dëm që disi ka ndikuar edhe te shtetet mike që kanë lobuar për sigurimin e njohjeve për shtetin e Kosovës, është edhe tendenca e udhëheqëseve shtetëror të Kosovës për shfuqizimin e gjykatës Speciale, gjë që me këtë veprim i kemi zhgënjyer këto shtete përkrahëse të Kosovës”, vlerëson analisti Haziri.

Ai madje thotë se në këtë proces nuk duhet të përfshihet vetëm MPJ-ja, por edhe Presidenti i Kosovës, Kryeministri dhe kryetari i Kuvendit.

Haziri shprehet se tri figurat e fundit që e përfaqësojnë Kosovën, mund edhe të jenë pengesë për sigurimin e njohjeve për shkak të profilit të tyre në rrafshin ndërkombëtarë.

“Nuk është e mjaftueshme që vetëm Ministria e Jashtme të angazhohet në sigurimin e njohjeve, por në këtë proces do të duhej të ishin më aktiv edhe presidenti i vendit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit. E them me keqardhje që këta tre të fundit mbase edhe mund të jenë pengesë për sigurimin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës, përshkak të profilit të tyre aspak pozitiv në rrafshin ndërkombëtar si pasojë e veprimtarisë së tyre inkriminuese gjatë gjithë këtyre viteve”, përfundon analisti Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat