Paralajmërimet e Thaçit rrezikojnë të ardhmen e Kosovës - Bota Sot
Paralajmërimet e Thaçit rrezikojnë të ardhmen e Kosovës

Politika

E premte, 16 nëntor 2018

Paralajmërimet e Thaçit rrezikojnë të ardhmen e Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 26 maj 2018 Në ora: 12:39
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar në Sofje të Bullgarisë se nga përfundimi i negociatave me Serbinë asnjëra palë nuk fiton qind për qind dhe se duhet të ketë akomodim më afirmativ për serbët. 

Ai ka paralajmëruar se marrëveshja finale mes Kosovës e Serbisë do t’u ofrojë akomodim më afirmativ serbëve të Republikës së Kosovës.

E këtë paralajmërim, njohësi i zhvillimeve politike në vend po e konsideron si të rrezikshëm për Kosovën dhe të ardhmen e funksionimit si shtet.

Analisti politik, Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se kjo ide është mjaft enigmatike që ngjallë edhe shqetësimin e drejtë të qytetarët e Kosovës.

Image
Nexhat Haziri

“Kjo ide është mjaftë enigmatike që ngjallë edhe shqetësimin e drejtë të qytetarët e Kosovës, se cilat do të jenë kompromiset e radhës që Hashim Thaçi, mendon t’i bëjë Serbisë. Ky paralajmërim i tij do të duhet t’i mjaftonte spektrit politik që t'ia bënte të pamundur këtij njeriu që ta përfaqësojë Kosovën në këtë rang bisedimesh me Serbinë, e që po quhen edhe finale që do të prodhojnë marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Haziri.

Sipas Hazirit, paralajmërim i presidentit Thaçi për kompromise të reja, është një paralajmërim serioz për rrezikun që i kanoset Kosovës.

“Mendoj që Serbisë iu janë bërë mjaft kompromise nga pala e Kosovës, kompromise këto që e kanë prekur edhe substancën shtetërore të Kosovës, që akoma mund të bartin rrezik për Kosovën dhe funksionimi i saj si shtet, sidomos me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Prandaj ky paralajmërim i presidentit Thaçi për kompromise të reja, është një paralajmërim serioz për rrezikun që i kanoset Kosovës dhe të ardhmes së saj të funksionimit si shtet, nëse ky njeri është udhëheqës i palës kosovare në procesin e bisedimeve me Serbinë”, shtoi Haziri për “Bota sot”.

Ndërkohë, kujtojmë se që 10 vite Kosova ka hyrë në bisedime me Serbinë pa asnjë kushte dhe deri më tani janë nënshkruar disa marrëveshje. Prej këtyre marrëveshjeve, është ajo për fusnotë dhe marrëveshje e parë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që si pikë kryesore e kësaj marrëveshje është ajo për themelimin e Asociacionit.

Gazeta “Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim edhe në zyrën e Presidencës për të marrë informata shtesë lidhur me paralajmërimin e presidentit Thaçi për kompromise, mirëpo këta të fundit deri më tani nuk janë përgjigjur.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test