Profesori ndërkombëtar: Shqiptarët janë të zemëruar, mund të rrëzojnë Qeverinë

Politika

Profesori ndërkombëtar: Shqiptarët janë të zemëruar, mund të rrëzojnë Qeverinë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 27 maj 2018 Në ora: 13:00
Enver Bytyçi

Drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ) dhe profesori në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, Enver Bytyçi, ka folur për “Bota sot” rreth protestës së mbajtur në Tiranë të organizuar nga opozita shqiptare.

Ai ka treguar shkakun e mbajtjes së kësaj protesta, e cila ishte  videoja e publikuar për vëllain e ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafa, Agron ose Geron Xhafa.

“Protesta e opozitës shqiptare ishte një protestë e paravendosur vetëm disa ditë më parë. Ishte rrejdhojë e videos së implikimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafa, në trafikun e drogës, së paku me suportin e tij ndaj vëllait të tij, Agron ose Geron Xhafa. Ato pamje në video, sado që bëhen përpjekje t'i zhvleftësojnë me lloj-lloj shpikjesh kundër dëshmitarit X, janë shikuese për një ministër të brendshëm, i cili mburret ditë-natë bashkë me shefin e tij kryeministër, se po "bëjnë shtet" dhe se "po veprojnë me forcën e ligjit"!”, ka deklaruar Bytyçi.

Po ashtu, ai ka folur edhe për rrjedhojën e protestës për të cilën ka thënë se ka pasur risi në gjetjen e formave të protestës, në modelimin e intervistës për vendin e ministrit, në pllakatet e parullat që u shfaqën dhe që u thirrën dhe se ka vlerësuar që ka folur vetëm kreu IiPD-së Lulzim Basha.

“Prandaj shqiptarët protestuan. Protestuan kundër kësaj qeverisjeje të koruptuar dhe implikuar në trafikun e drogës e me krimin e organizuar. Rrjedha e kësaj proteste shkoi në përgjithësi ashtu siç ishte parashikuar. Pati risi në gjetjen e formave të protestës, në modelimin e intervistës për vendin e ministrit, në pllakatat e parrullat që u shfaqën dhe që u thirrën. Nuk folën shumë njerëz, vetëm kreu i opozitës, Basha. Dhe ishte mirë kështu. A mund të ishte më mirë? Sigurisht! E mira nuk ka fund! Por përpjekja e mazhorancës në qeveri për ta zhvleftësuar atë si protestë popullore, vetëm se e rrit zemërimin popullor”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Bytyçi ka shpjeguar se qytetarët janë të zemëruar dhe se opozita nuk është ende plotësisht e besueshme për shkak të propagandës antiopozitare të qeverisë.

“E vërteta është se njerëzit janë të zemëruar. Deri tani besuan se do të gjejnë ndonjë zgjidhje përmes emigracionit dhe ikjes nga Shqipëria. Tani duket se as kjo mënyrë e zgjidhjes nuk funksionon. Mbetet vetëm qëndresa, protesta dhe revolta që ata të çlirohen. Ndërkaq duket se opozita ende nuk është plotësisht e besueshme. Kjo më shumë për efekt të propagandës antiopozitare të qeverisë, sa për shkak të paaftësisë së drejtuesve të opozitës. Basha është vënë në shënjestër të kritikës edhe nga ish-eksponentë të demokratëve, të cilët nuk e kursejnë, sa herë që ai i kundërvihet rivalit të tij kryeministër. Duket se opozitarët e opozitës brenda opozitës janë më aktivë kundër kreut të Partisë Demokratike sesa atij që qeveris me gabime ose që nuk qeveris fare, vetëm bën "dëgjesë publike", duke bërë monolog me veten e tij!”, ka potencuar Bytyçi.

Sipas tij është arritur qëllimi i protestuesve dhe objektivi kryesor i opozitës ishte shkarkimi i ministrit të Brendshëm, i akuzuar për lidhje dhe tolerim të veprimtarisë kriminale të vëllait të tij.

“Në perceptimin tim protesta ia arriti qëllimit, sepse dha sinjale të qarta se opozita po forcohet në arritjen e objektivave të saj. Natyrisht që një program alternativ i qartë dhe i kuptueshëm i opozitës do të ishte një vlerë e shtuar për të bindur publikun e qytetarët në aksionin e saj politik për çlirimin e vendit nga krimi dhe droga. Por duhet kuptuar se protesta u mbajt në muajin e ramazanit, në një ditë me temperatura të larta, në kohë plazhi e pushimi!

Objektivi kryesor i opozitës si edhe e protestës ishte shkarkimi i ministrit të Brendshëm, i akuzuar për lidhje dhe tolerim të veprimtarisë kriminale të vëllait të tij. Fakti që është i dyti ministër i Brendshëm i shënjestruar si bashkëpunues me trafikun e drogës dhe krimin e organizuar, e bën të vështirë shkarkimin ose dorëheqjen e tij, sepse do të krijohej ideja që kryeministri i vendit përzgjedh qëllimisht njerëz të inkriminuar për të drejtuar policinë e shtetit dhe rendin në Shqipëri. Opozita e bën vazhdimisht këtë akuzë dhe pikërisht ky fakt i shtyn Edi Ramën dhe Fatmir Xhafën të rezistojnë. Por nëse opozita këmbëngul fort dhe sjell vazhdimisht prova kundër ministrit të Brendshëm, ai është i detyruar të dorëhiqet. Nëse reziston, atëherë rrezikohet të bjerë vetë qeveria dhe kështu të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, ka shtuar Bytyçi për “Bota sot”.

Në fund, ai ka theksuar se protestat mund ta rrëzojnë edhe një qeveri jo të qytetarëve, jo më një ministër të inkriminuar.

“Thjesht duhet kohë. Asgjë nuk arrihet në një ditë. Çdo aksion politik ka një proces fillimi dhe një finish të tijin. Protesta ishte e fuqishme për nga demonstrimi i forcës. Ishte një paralajmërim. Nëse kryeministri dhe ministri i Brendshëm e lexojnë mirë, atëherë do të duhet t'i hapin rrugë ndryshimeve në qeveri. Në të kundërt mund të shkohet përtej protestës. Gjuetia e shtrigave kundër protestuesve në modelin e gjuetisë kundër kuksianëve, falë të cilëve mijëra qytetarë udhëtojnë çdo ditë nga Kosova në Shqipëri pa dëmtuar xhepin, vetëm se do ta rritë zemërimin e shqiptarëve kundër kësaj qeverie të korruptuar dhe inkriminuar!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat