15 vendimet e dëmshme të Qeverisë Haradinaj dhe kërkesa për dorëheqje

Politika

15 vendimet e dëmshme të Qeverisë Haradinaj dhe kërkesa për dorëheqje

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 28 maj 2018 Në ora: 14:19
Tryeza e organizuar nga Vetëvendosje

“Opozita duhet të krijojë aleatë brenda koalicionit për ta rrëzuar Qeverinë. Në të kundërtën do ta ketë vështirë, edhe pse Qeverisë herë me 52 vota të deputetëve, e herë me 61 vota”, ka thënë analisti Faik Krasniqi.

Gjatë debatit të zhvilluar në tryezën e partive politike të Kosovës të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, kryetari i kësaj partie, Albin Kurti ka deklaruar se kryeministri Ramush Hradinaj, nëse ka etikë duhet të jap dorëheqje.

“Kjo është qeveria e pakicës. Kjo gjendje nuk mund të vazhdoj nëse duam të ecë vendi ynë përpara. Nëse ka etikë ky kryeministër duhet të jap dorëheqje dhe të shkojmë në zgjedhje demokratike”, ka thënë ai.

Për më tepër, Kurti  ia ka numëruar Qeverisë së Haradinaj  të gjitha veprimet  duke filluar nga  pazaret me Milan Radojiçiq për koalicion me Listën Serbe,  deri tek dëbimi i shtetaseve turq.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Ka me qindra arsye pse kjo Qeveri duhet të ik, por duhen votat

Analisti politik,  Faik Krasniqi ka deklaruar për “Bota sot”  se ka qindra arsyeje se kjo qeveri duhet e ik, ndërsa sipas tij, opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për rrëzimin e saj.

“Ka me qindra arsye pse kjo Qeveri duhet të ik. Por, opozita nuk i ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar këtë Qeveri. Asaj i duhen së paku edhe 2-3 vota për të ngritur mocion votëbesimi. Asaj i duhen edhe votat e Listës serbe ose të ndonjë partneri të pakënaqur brenda koalicionit qeverisës. Kurse, Listës serbe nuk i leverdis shkuarja në zgjedhje të parakohshme, jo të paktën pa e realizuar krijimin e Asociacionit e komunave me shumicë serbe, sepse zgjedhjet e parakohshme do ta zvarrisnin krijimin e Asociacionit”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se zgjedhjet të parakohshme do ta dëmtonin edhe procesin e liberalizimit të vizave, meqë jemi në kilometrin e fundit të saj.

Për më tepër, Krasniqi ka potencuar se asnjë kryeministër i deri tashëm i vendit nuk ka dhënë dorëheqje dhe nuk pritet një gjë e tillë as nga Haradinaj dhe se opozita duhet që të krijojë një aleatë brenda Qeverisë për të rrëzuar.

“Nuk është në mentalitetin shqiptarë të jepet dorëheqje, edhe pse nuk qeverisë mirë. Një gjë të tillë nuk e kanë bërë as kryeministrat e tjerë, dhe nuk pres që ta bëj edhe kryeministri i tanishëm. Prandaj, opozita duhet të krijojë aleatë brenda koalicionit për ta rrëzuar Qeverinë. Në të kundërtën do ta ketë vështirë, edhe pse Qeverisë herë me 52 vota të deputetëve, e herë me 61 vota. Sidoqoftë, zgjedhjet si opsioni më i mirë do të ishin të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm, pasi atëherë qytetarët e Kosovës veçse do të lëviznin lirshëm në Zonën Shengen!”, është shprehur Krasniqi.

Image
Nexhat Haziri

Tryezat pa rezultat

Ndërkaq, analisti Nexhat Haziri, ka thënë për “Bota sot”, se tryezat që po organizohen nga partitë politike po i shkojnë përshtati vetëm pozitës dhe  se nuk po arrihet asnjë marrëveshje. 

“Këto tryeza mendoj se janë vetëm humbje kohe që nga to nuk duhet të pritet ndonjë marrëveshje në mes partive politike për shkak të divergjencave që janë në raport pozitë e opozitë. Këto tryeza se si po mbahen dhe si po organizohen i shkojnë përshtati vetëm pozitës për mos  të arritur asnjë marrëveshje dhe në këtë mënyrë t` ia zgjas vetës qëndrimin në pushtet”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka folur edhe për deklaratën e Kurtit i cili ka përmendur  15 vendime të qeverisë nga e cila do të duhet kryeministri Haradinaj të jep dorëheqje.

“Ndërsa sa i përket arsyeve të cekura nga Kurti për dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, janë plotësisht të qëndrueshme, pasi vazhdimi i kësaj qeverie pa koncept dhe plan qeverisës vetëm sa vendit do ti shkaktojë shtangim dhe regres  në të gjitha fushat e jetës. I vetmi që po përfiton nga qeverisje e dobët e Haradinaj, është presidenti Thaçi, duke u faktorizuar në skenën politike përtej kompetencave qe ia parasheh kushtetuta e vendit”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

Tryeza tjetër pritet që të organizohet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Image
Islam Krasniqi

Krasniqi: Vendi ka nevojë për zgjedhje

Kurse, analisti Islam Krasniqi, ka thënë se arsyet të cilat i ka dhënë Kurti janë të mjaftueshme për t`i dhënë fund Qeverisë.

“Në tryezën së përbashkët të partive politike të mbajtur të premten, të organizuar nga kryetari i VV-së, Albin Kurti , janë dhënë disa arsye me të cilat janë përmendur edhe disa të cilat janë të mjaftueshme për ti dhënë fund kësaj qeverisje, e cila ka dështuar në çdo aspekt, duke filluar nga premtimi i punësimit, formimi ushtrisë, liberalizimi i vizave gjithashtu edhe demarkacioni cili e ngriti në këmbë partin e shefit  të qeveris e cila ishte në numër të vogël”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka shtuar se kryeministri nuk ë lëshon postin e tij pasi që është ëndërr e tij e kamotshme dhe se ende qytetarët nuk vetëdijesuar që të zgjedhin njerëz më dinjitet dhe moral të lartë.

“Shefi i qeveris më asgjë nuk e ndërron apo për asnjë vepron nuk e lëshon postin e të parit të qeveris, sepse është ëndërr e kamotshme e tij, i cili gjithçka pranon pos postin e kryeministrit nuk e jep. Akoma ky popull kërkon kësi pushteti, ende nuk janë vetëdijesuar qytetaret tanë që të zgjedhin njerëz më dinjitet dhe moral të lartë, të cilët do ta qajnë hallin e qytetarit edhe nëse nuk mund të ju bëjnë zgjidhje të gjithëve. Edhe pse zgjedhjet po na kushtojnë në të gjitha aspektet vendi ka nevojë  për to, sepse kjo klasë politike nuk mund të shty procese përpara, pos asaj që do të pajtohet me gjithçka që i servohet diku tjetër!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

Të këqijat e Qeverisë sipas Albin Kurtit:

Ndryshe, këto janë veprat e  Qeverisë të përmendura nga Kurti, që sipas VV-së janë  arsyet për zgjedhje.

1) E filloi me pazaret me kriminelin nga veriu Milan Radojçiq për koalicion me Listën Serbe;

2) E vazhdoi me ministrin Rikallo për të cilin dhjetëra shqiptarë thonë se ka qenë në mesin e bandave të Serbisë që kanë malltretuar njerëzit gjatë luftës;

3) I bëri plot 21 ministra, 80 zëvendës-ministra, e 5 zëvendës-kryeministra për të rehatuar familjarë e farefis e militantë të afër 20 partive në qeveri të cilat po i ndajnë pozitat e buxhetin porsi placckë;

4) Duke i shkelur së paku tri ligje, Ligjin e ZRrE-së, Ligjin e Prokurimit dhe Ligjin për Ndërmarrjet Publike, nënshkroi kontratën kapitulluese për termocentralin e ri me një fond investiv privat “Contour Global” të cilit ne ia garantojmë shitjen, kredinë dhe fitimin prej 18,5%, kurse qytetarëve ua shtrenjtojmë energjinë elektrike;

5) Ia dyfishoi vetes pagat në shtetin me varfërinë e papunësinë më të lartë në Evropë – rritja e pagës vetvetes është hajni;

6) Organizoi faljen e borxheve publike të ndërmarjeve të papërgjegjshme, a thua se po falte nga kuleta e vet. Falte jashtëligjshëm borxhe. Mund ta falësh gjobën ose ndëshkimin, por jo borxhin. Dhe, këtë duhet ta bëjë Kuvendi në republikë parlamentare e jo qeveria. Falja e borxhit të privatit ndaj shtetit është privatizim abuziv.

7) Ratifikoi demarkacionin e Mehës dhe Thaccit me Malin e Zi, i cili na e ndryshon kufirin e na i humbet 8.200 hektarë;

8 ) Mashtroi për liberalizimin e vizave, ndërsa ne mbetemi ende vendi me qytetarët më të izoluar në Evropë;

9) E rifilloi ‘Zajednicën’ e Serbisë me iniciativën për hartimin e statutit të saj;

10) E dërrmoi Postën dhe Telekomin e Kosovës me keqmenaxhim e mbipunësim duke i shkaktuar humbje të mëdha drejt një bankrotimi të qëllimshëm;

11) Një pjesë të kabinetit e ka të mbushur me njerëz që janë nën hetim për vepra kriminale;

12) Na e diskreditoi arsimin universitar kosovar duke e ç’regjistruar atë nga cilësia evropiane;

13) Si deficiti tregtar e borxhi publik po ashtu edhe mjerimi social vetëm sa janë rritur;

14) Pagoi 1 milionë euro për serbët në veri që nuk paguajnë energjinë elektrike;

15) Bëri spektakël me arrestimin e Gjuriqit të cilin nuk e gjykuan dhe dënuan kurse i dënuan gjashtë shtetas turq me dëbim pa gjyq e pa ligj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat